Blerim Shala thotë se diçka tjetër po e kërcënon Kosovën më shumë se...

Aktuale

Blerim Shala thotë se diçka tjetër po e kërcënon Kosovën më shumë se...

Më: 31 korrik 2021 Në ora: 13:43
Blerim Shala

Analisti Blerim Shala ka kritikuar hezitimin për të marrë vaksina për shkak të thashethemeve që po përhapen në rrjetet sociale.

Ai ka thënë se me disa postime pa kurrfarë përgjegjësie mund të krijohen dyshime të mëdha për arsyeshmërinë e pajisjes së një organizmi njerëzor me vaksinë dhe këtë e ka konsideruar më të rrezikshme se vetë pandeminë.

“Zbulimi i vaksinës, aq i shpejtë, dëshmoi çfarë mund të bëjë shkenca në luftën kundër një sëmundjeje aq masive dhe aq të rrezikshme. Por duket që dija për vaksinën, për rëndësinë e saj, do të detyrohet tutje të luftojë me atë ortekun e spekulimeve, i cili po del që është tani më i rrezikshëm se vetë pandemia”, ka thënë Shala.

“Nuk ka dyshim që me logjikën e prodhimit masiv të vaksinave, të kompanive të ndryshme, do të mund të mbulohen nevojat e gjithë njerëzimit. Megjithatë, derisa vitin e kaluar, zbulimi i vaksinës merrej si një ‘dhuratë hyjnore’ për ne vdekatarët, apo, llogaritej që të gjithë ne, të cilët e vuajtëm dhe e mbijetuam virusin apo, të cilët iu shmangëm disi atij, mezi do të presim të rreshtohemi për ta marrë për një sekondë të vetëm vaksinën që ta shpëton jetën si të tillë, në muajt e fundit, u kuptua që as i gjithë ky rrëfim tronditës me origjinë ‘apokaliptike’ për Covid-19, nuk ka ndryshuar shumë mendjen dhe botëkuptimet e njeriut. Ato, zatën, në masë të madhe, tani formësohen në Facebook dhe në të gjitha format dhe emrat e tjerë të rrjeteve shoqërore dhe shumë më pak në atë komunikimin klasik mediatik në mes të një eksperti, një mjeku me nam, një shkencëtari dhe audiencës së tij. Një fallxhi, një pallavraxhi, një dijetar dhe njeri i mençur, një bartës perfekt i thashemnajeve, i llafeve të kafeneve, të gjithë këta bashkëjetojnë në rrjetet shoqërore”.

Shala tha se nuk ka shpëtim tjetër ndaj kërcënimit të vazhdueshëm të COVID-19, përveçse vaksinimit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat