Dalin detaje të reja, si tentoi ta mashtrojë suharekasi familjen e biznesmenit të zhdukur

Aktuale

Dalin detaje të reja, si tentoi ta mashtrojë suharekasi familjen e biznesmenit të zhdukur

Më: 4 gusht 2021 Në ora: 17:19
Bedri Rexhepi

Gjykata Themelore e Prishtinës sot ia ka caktuar masën e paraburgimit S.G., i cili dyshohet se ka mashtruar familjen e Bedri Rexhepit, i cili është i zhdukur që nga data 8 prill, se do t’u ndihmojë për ta gjetur atë. Por si kishte rënë ai në kontakt me familjen e Bedriut dhe si e kishte luajtur rolin e dy personave? 

Vëllai i Bedri Rexhepit, Vedati, ka treguar se i dyshuari e kishte kontaktuar përmes rrjetit social Facebook.

Këtij iu prezantua si agjent i AKI-së dhe i tha se kishte kontakte me një agjent të CIA-s. Por, këto dy role ai i luante vetë.

“Fillimisht mu ka lajmëru me një profil të rremë në Facebook, dhe ka insistua që gjoja se ky e ka pasur një problem të njëjtë me rastin tonë, se para disa vjetëve ia kanë kidnapua babën a ku e di unë, e ka pasur të zhdukur dhe më ka sugjeruar më dalë me një person të CIA-s. Ky do të thotë është i njëjti, një person i ka luajtur dy role, me Facebook është paraqitur gjoja se është agjent i AKI-se e gjoja se ka komunikim me një person të CIA-s amerikane me prejardhje shqiptare dhe ma ka dhënë një email adresë dhe kam filluar komunikimin me të”, ka deklaruar Adnani.

Ai deklaron se S.G. i kishte thënë se Bedriu gjendet në një burg në Nish të Serbisë, dhe për ta nxjerrë nga atje, duhen të holla.

“Fillimisht e kam pasur një takim me të, më ka thënë që ka informata se vëllai është në burgun e Nishit, më ka dërgu edhe me shkrim, gjoja se gjendet në Serbi. Na ka thënë se do të shkojmë ta marrim, duhen disa shpenzime, pasi është privat”, ka deklaruar Vedati.

Por, ai thotë se nga fillimi kishte dyshuar në vërtetësinë e informatave që pretendonte se i kishte S.G.

“Unë kam dyshu prej ditës së parë që është mashtrim. Më pas, e kemi lënë takimin për të hënën, në bashkëpunim me policinë kemi shku në vendin ku kemi pasur të takohemi dhe policia e ka arrestuar”, ka deklaruar Vedat Rexhepi.

Gjykata Themelore e Prishtinës sot ka njoftuar se ndaj të dyshuarit është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Ai dhyshohet për veprat penale “Mashtrim”, “Shantazh”, “Prezantim i rremë si person zyrtar”, “Falsifikim i dokumentit” dhe “Manipulim i provave”. 

“Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit S.G. e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji. Të pandehurit S.G. paraburgimi i caktohet në bazë të nenit 185 dhe nenit 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPK-së”, bëhet e ditur në njoftimin e Gjykatës.

Ndryshe, Ndryshe, Bedri Rexhepi nga Lipjani është zhdukur më 8 prill të këtij viti. Të nesërmen në arat e Janjevës së Lipjanit është gjetur vetura e tij, por jo edhe Bedriu.

Dyshimet e organeve të rendit ishin se Bedriu u rrëmbye, ndërkaq lidhur me këtë, u arrestua Jeton Vllasaliu, i cili ishte klient i Bedriut, pasi ky i fundit kishte në pronësi një kompani të veturave me qira.

Sipas informatave të deritanishme zyrtare nga institucionet e rendit, Jeton Vllasaliu, i cili po qëndron në paraburgim qe gati katër muaj, është i vetmi i arrestuar lidhur me rastin e zhdukjes së Bedriut.

Në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, për vendosjen e masës së paraburgimit ndaj Vllasaliut, thuhej se ai dyshohet të jetë i përfshirë në rrëmbimin e Bedriut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat