Supremja ua refuzon kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të dënuarve për dallavere me prona

Aktuale

Supremja ua refuzon kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të dënuarve për dallavere me prona

Më: 7 gusht 2021 Në ora: 12:43
Foto ilustrim

Gjykata Supreme e Kosovës i ka refuzuar si të pabazuara kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësve të të dënuarve për dallavere me prona, Jahja Imami dhe Shërbim Berisha, të paraqitura kundër aktgjykimeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe asaj të Apelit.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 20 mars 2019, e kishte dënuar me burgim ish- referentin në Gjykatën e Pejës, Jahja Imami, drejtorin e Drejtorisë Ligjore në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, Ismet Kryeziu, si dhe Shërbim Berishën, kurse në mungesë të provave e kishte liruar nga akuza të pandehurën Valbona Naka.

Kjo gjykatë, të akuzuarin Imami e kishte shpallur fajtor për marrje të ryshfetit, duke e dënuar me dy vjet burgim, kurse për shpërdorim të pozitës zyrtare e kishte dënuar me një vit burgim. Ndaj tij, ishte shqiptuar dënimin unik prej dy vjet e gjashtë muaj, kurse ishte refuzuar akuza për dy vepra penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar, për shkak të parashkrimit absolut.

I akuzuari Kryeziu ishte dënuar me dy vjet burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa i akuzuari Berisha ishte dënuar me gjashtë muaj për legalizim të përmbajtjes së pavërtetë, kurse një vit për veprën penale të mashtrimit e që ndaj tij, gjykata kishte shqiptuar dënimin unik me burgim në kohëzgjatje prej një viti e dy muaj

Këtë vendim të Themelores e kishte lënë në fuqi edhe Apeli në shkurt të vitit 2020, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kundër këtyre aktgjykimeve, kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme ka parashtruar mbrojtja e Imamit dhe Berishës, me propozim të anulimit të vendimit dhe kthimin e çështjes në rigjykim në shkallën e parë.

Mbrojtja e Imamit ka pretenduar se aktgjykimi i shkallës së parë dhe ai shkallës së dytë janë të përfshira në shkelje të tjera të dispozitave të procedurës penale, ku shkeljet e tilla i kanë ndikuar dhe shkeljes së ligjit penal.

Ndërsa, sipas mbrojtjes së Berishës dy aktgjykimet janë të përfshira me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkelje të ligjit penal dhe shkelje tjera të dispozitave të procedurës penale, të cilat kanë ndikuar në ligjshmërinë e vendimit.

Ndaj kërkesave të mbrojtjes është përgjigjur edhe Prokurori i Shtetit, i cili Gjykatës Supreme i kishte propozuar që të njëjtat të refuzohen si të pabazuara.

Pas shqyrtimeve të pretendimeve të mbrojtjes, Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur që kërkesat t’i refuzojë si të pabazuara.

“Sipas vlerësimit të kësaj gjykate, duke pasur parasysh rrethanat e sipërpërmendura si dhe rrethanat dhe arsyet e cekura në aktgjykimin e kundërshtuar, rezultojnë të pabazuara pretendimet e mbrojtësve të dënuarve, dhe në anën tjetër, rezultojnë të drejta dhe të ligjshme pretendimet e gjykatës së shkallës së parë se të dënuarit kryen veprat penale për të cilat janë shpallur fajtor, sepse është vërtetuar drejtë, në mënyrë të plotë dhe të padyshimtë se të dënuarit kanë ndërmarr veprime inkriminuese”, thuhet në aktgjykimin e Supremes.

Tutje, në aktgjykimin e Supremes thuhet se meqenëse aktgjykimet e gjykatave të instancës më të ulët nuk përmbajnë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, kurse gjykata e shkallë së parë gjendjen faktike e ka vërtetuar drejtë dhe plotësisht ashtu siç e ka aplikuar drejtë edhe ligjin penal, pretendimet e mbrojtësve të dënuarve për shkeljen e ligjit penal janë të pabazuara.

Ndërsa sa i përket pretendimit të mbrojtjes së të akuzuarit Berisha, që i referohet kërkesës për konstatimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, në vendimin e Supremes thuhet se kjo gjykatë nuk është lëshuar në vlerësimin e kësaj shkelje, për faktin se në nenin 432 par.2 të KPPK, është përcaktuar se “ kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë nuk mund të ushtrohet për shkak të konstatimit të gabuar ose jo të plotë të gjendjes faktike.

Andaj sipas Supremes, kërkesa e mbrojtjes e ushtruar për këtë bazë është e palejuar.

Në këtë rast, akuzohej edhe Viçenc Komani, mirëpo ndaj tij më 11 prill të vitit 2018 ishte veçuar procedura, pasi që ai kishte munguar në atë seancë.

Dy ditë pasi që i akuzuari për keqpërdorim të besimit, Fatmir Muriqi e kishte pranuar fajësinë për këtë vepër penale, më 13 tetor 2017, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar atë me 3500 euro gjobë.

Gjithashtu, sipas aktgjykimit Muriqi, obligohej që të dëmtuarve Sllavisha Millutin dhe Branislava Vukanoviq, t’ua kompensojë dëmin e shkaktuar në vlerë prej 100 mijë eurosh.

Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Jahja Imami, në bashkim real ka kryer tri vepra penale si “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrja e ryshfetit” dhe “falsifikimi i dokumenteve zyrtare”.

Imami akuzohej se në cilësinë e referentit për vërtetime të kontratave në Gjykatën Komunale të Pejës, në fillim të vitit 2012, ka shpërdorur detyrën e tij zyrtare dukë marrë ryshfet dhe falsifikuar dokumente lidhur me disa ngastra kadastrale në Komunën e Gjakovës.

Ismet Kryeziu akuzohej se në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë Ligjore në Agjencinë Kadastrale të Kosovës ka keqpërdorur autoritetin zyrtar, pasi që i njëjti dyshohej se me dijeni ka lejuar ndërrimin e ngastrave kadastrale.

Valbona Naka akuzohej se në cilësinë e udhëheqëses për çështje juridike në Drejtorinë për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë në Komunën e Gjakovës, ka keqpërdorur detyrën zyrtare lidhur me bartjen e paluajtshmërisë, si dhe ka ndikuar në mënyrë direkte apo indirekte tek Ismet Kryeziu për të bërë bartjen e paluajtshmërisë.

Kurse, Shërbim Berisha sipas aktakuzës gjatë muajit mars të vitit 2011, në zyrën kadastrale në Komunën e Deçanit, ka bërë kërkesë për regjistrim të paluajtshmërisë, si dhe ka prezantuar aktgjykim të falsifikuar, kinse të lëshuar nga Gjykata Komunale në Pejë, për ngastër kadastrale të cilën ka pasur qëllim ta bart në emër të Milivoje Qosoviq.

Berisha, sipas ankesës ka arritur që në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, përmes Ismet Kryeziu, t’i bartë këto ngastra në emër të Milivoje Qosoviq. Sipas aktakuzës, Kryeziu duke shfuqizuar aktvendimin e Drejtorisë Komunale për Kadastër dhe Gjeodezi të Deçanit, ka obliguar këtë drejtori që të regjistrojë të drejtën e pronës në emër të Milivoje Qosoviq.

Tutje, thuhej se Shërbim Berisha i kishte vënë në lajthim të dëmtuarit Ngadhnjim Ukëhaxha dhe Jeton Aliçkaj, pasi ngastrat kadastrale në sipërfaqe prej 8.81,92 ha, në Rastavicë të Deçanit, në emër të Milivoje Qosoviq, ia kishte shitur të dëmtarëve me aktgjykim të falsifikuar, kinse të lëshuar nga Gjykata komunale në Pejë, në janar të vitit 2011, në vlerë prej 80.000 euro.

Me këtë veprim, ai akuzohej për veprën penale “legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë”.

Gjithashtu, Berisha akuzohej se ka kryer veprën penale “mashtrim”. Sipas aktakuzës, me qëllim që t’i sjell vetes përfitim të kundërligjshëm, i ka vënë në lajthim Ngadhnjim Ukhaxhaj dhe Jeton Aliçkaj, duke u shitur ngastra kadastrale prej shumës 80.000 euro, ngastra të bartura në bazë të dokumentit të falsifikuar, të cilat i ka bartur në emër të Milivoje Qosoviq.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë e ngarkonte Viçenc Komanin për veprat penale “dhënie ryshfeti” dhe “legalizim i përmbajtjes së pavërtetë”. Prokuroria pretendonte se gjatë viteve 2011-2012 ai i kishte dhënë ryshfet Jahja Imamit, referent për vërtetime të kontratave në ish-Gjykatën Komunale në Pejë.

Sipas pretendimit të prokurorisë, Komani kishte dhënë dy herë nga 1.000 euro, me qëllim vërtetimin e kontratave të shitblerjes për ngastrat kadastrale në Komunën e Gjakovës, kontrata të falsifikuara nga vet i pandehuri Komani.

Sipas aktakuzës, pas vërtetimit të kontratave fiktive nga Viçenc Komani, të njëjtat i ka përdorur dhe i ka dorëzuar pranë shërbimit kadastral në Komunën e Gjakovës. Kur aty nuk ka mundur të bëjë bartjen në librat kadastral, i njëjti ka arritur që në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, të sigurojë aktvendimin për lejimin e regjistrimit të kësaj ngastre kadastrale, ashtu siç figuron në kontratën e falsifikuar.

Ndërsa, aktakuzën ndaj Fatmir Muriqit e kishte ngritur Prokuroria Themelore në Pejë, me anë të së cilës ka pretenduar se i njëjti nuk ka qenë i autorizuar të përpilojë kontratën mbi shitblerjen, e aq më pak t’i shesë parcelat e blerësve. Sipas pretendimit të prokurorisë, Muriqi kishte keqpërdorur autorizimin e tij, duke u shkaktuar dëm të dëmtuarve në vlerë prej 100.000,00 euro.

Ndryshe, pjesë e kësaj aktakuze është edhe Jahja Imami, i cili sipas prokurorisë, duke qenë në pozitën e referentit për vërtetime të kontratave të ish-Gjykatës së Qarkut në Pejë, i ka mundësuar Fatmir Muriqit përfitimin e 100.000.00 eurove, duke vërtetuar këtë kontratë pa e lexuar fare autorizimin.

Gjykata Themelore në Pejë, më 10 prill 2016, kishte marr aktvendim për transferimin e kësaj lënde në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Një gjë e tillë ka ndodhur me arsyetimin se i akuzuari Imami kishte qenë punëtor shumëvjeçar i Gjykatës në Pejë, ndërsa për këtë arsye kjo e fundit nuk mund të procedoi tutje në këtë çështje penale.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat