​Sallahu: Ekspertët mjekoligjorë u kompensuan jashtëligjshëm në vlerë afër 1 milion euro

Aktuale

​Sallahu: Ekspertët mjekoligjorë u kompensuan jashtëligjshëm në vlerë afër 1 milion euro

Më: 10 gusht 2021 Në ora: 11:39
Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka akuzuar ish-ministren e këtij dikasteri Dhurata Hoxha dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) për ndarjen e mjeteve financiare prej afër 1 milion euro në mënyrë të kundërligjshme për grupe të caktuara të ekspertëve mjekoligjorë.

Gjithë kjo sipas Sallahut është me udhëzimin i cili është i bazuar në ligjin që është shfuqizuar, përgjatë 5 viteve të fundit.

Zëvendësministri Sallahu në një konferencë për media tha se më 6 prill 2016 ka hyrë në fuqi ligji për Institutin për Mjekësi Ligjore dhe janë shfuqizuar të gjitha aktet nënligjore që ishin bazuar në ligjin paraprak. Derisa shtoi se në vitin 2017, Këshilli Prokurorial i Kosovës, aso kohe me kryesues Blerim Isufaj, i kishte shkruar ish-ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, lidhur me udhëzimin që rregullonte mënyrën e kompensimit të ekspertëve mjekoligjorë të IML-së, por që kjo e fundit nuk e kishte marrë parasysh.

Sallahu: Ekspertët mjekoligjor janë kompensuar jashtëligjshëm në vlerë afër 1 milion euro

"Pavarësisht që në vitin 2016 kishte hyrë në fuqi ligji i ri për Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe pavarësisht faktit që Këshilli Prokurorial ia kishte tërhequr vëmendjen ish-ministres Dhurata Hoxha për kompensimin e jashtëligjshëm të ekspertëve mjekoligjor, e njëjta nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim në mbrojte të parasë publike dhe në respektim të legjislacionit. Një letër e tillë thjesht ishte injoruar nga ish-ministrja. Për shkak të këtij mosveprimi, ekspertët mjekoligjor janë kompensuar jashtëligjshëm nga KPK në vlerë afër 1 milion euro, përgjatë 5 viteve të fundit, përmes një udhëzimi administrativ të vitit 2013, i cili është bazuar në ligjin e vitit 2010, e i cili nga viti 2016 nuk është më në fuqi", tha ai.

Sallahu theksoi se një gjë e tillë është përsëritur vit pas viti deri sot nga viti 2016, dhe se për këtë kanë qenë në dijeni edhe KPK, edhe ata që kanë përfituar jashtëligjshëm por edhe ish-ministrja Dhurata Hoxha.

Sipas tij, zbrazëtira ligjore ka mundësuar mos-transparencë dhe selektivitet nga ana e Këshillit Prokurorial, pasi siç tha ai, përmes komunikimeve elektronike janë lajmëruar se individë të caktuar e të përzgjedhur, si ekspertë mjeko-ligjorë janë favorizuar duke u ftuar në vijimësi në më shumë raste për ekzaminime mjekoligjore, duke përfituar më shumë mjete sesa disa ekspertë të tjerë mjekoligjorë që janë diskriminuar.

Sallahu tregoi edhe për hapat që kanë ndërmarrë si ministri lidhur me këtë çështje.

Sallahu: Do të jemi të pa kompromis ndaj çdo kujt që ka vepruar pa u bazuar në ligje

"Si ministri e kemi denoncuar porsa e kemi kuptuar dhe në këtë mënyrë do të vazhdojmë të jemi të pa kompromise ndaj çdokujt që ka vepruar pa u bazuar në ligje apo në kundërshtim me to. Për të eliminuar keqpërdorime të taksapaguesve të Republikës së Kosovës, kemi ndërmarrë masa të menjëhershme, ku kemi hartuar draftin e ri të vendimit i cili bazohet në ligjin në fuqi lidhur me Metodën e Llogaritjes së Tarifave për Shërbimet e ofruara në fushën e mjekësisë ligjore, kompensimin e punës jashtë orarit të punës dhe pjesëmarrjen e ekspertëve mjeko-ligjorë në seanca dëgjimore.

Në këtë kuptim, ky vendim mundëson funksionim stabil të Institutit të Mjekësisë Ligjore, me sistem të rregulluar e të mirëfilltë të pagesave, duke eliminuar mundësinë aktuale që ekspertët ligjorë për çdo mendim lidhur me ekspertizën ligjore, ta marrin shumën totale të parave për dhënien e atij mendimi e krejt kjo në dëm të IML-së", bëri të ditur ai.

Zëvendësministri Sallahu tha se me këtë vendim “vdes” mundësia që të shfrytëzohen të gjitha resurset e IML-së dhe në të njëjtën kohë shuma totale për dhënien e mendimit për ekspertiza mjekoligjore të kalojë në xhirollogarinë e ekspertit mjeko-ligjor në dëm të IML-së, siç ka ndodhur deri tash.

Ai bëri të ditur se ky vendim parasheh që për dhënien e çdo mendimi të ekspertizës mjekoligjore Instituti do të kompensohet me 70 përqind të mjeteve financiare dhe 30 përqind për ekipin mjekoligjorë që e kryen ekspertizën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat