Baris Nakipoglu, njëri ndër personat më të kërkuar në Turqi për vrasje dhe trafik droge ishte arrestuar në territorin e Kosovës, saktësisht në autostradën “Ibrahim Rugova” afër Prizrenit nga njësitet elite të Policisë së Kosovës.
Nakipoglu ishte fshehur në Kosovë prej vitesh duke ndërruar identitet e ku kishte arritur të pajisej edhe me dokumente të Republikës së Kosovës.
Personi që kishte ndihmuar të pajiset jashtëligjshëm me dokumente të Kosovës është zyrtari i gjendjes civile në Komunën e Pejës, 63-vjeçari Halit Gashi.
Gashi është arrestuar sot nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike.
Gashi e ka regjistruar në sistemin elektronik të gjendjes civile Baris Nakipoglun duke mos i përfillur procedurat ligjore të regjistrimit fillestar të një personi në sistemin elektronik të gjendjes civile.
“Irfanit”, që në dokumente të Kosovës i shkruan vendlindja Vitomericë, nuk i kishte mjaftuar qëndrimi në Kosovë, ai me dokumente të Republikës së Kosovës kishte udhëtuar drejt Malit të Zi në datat 16 maj 2019 dhe 29 maj 2019.
Turku i shumëkërkuar ishte pajisur me dokumente të Kosovës me 07 maj 2019 ndërsa data e skadimit të letërnjoftimit dhe pasaportës së tij ishte 06.05.2029.
Kështu i dyshuari, Halit Gashi ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke e vërtetuar, regjistruar dokumentin me të dhëna të rreme.
Personi i huaj, Baris Nakipoglu ishte regjistruar në sistemin elektronik të gjendjes civile në KK Pejë në mënyrë të kundërligjshme, kinse është shtetas i Republikës së Kosovës, me këtë rast ka arritur t’i ketë në shfrytëzim dokumentet identifikuese (pasaportë, letërnjoftim dhe patentë shofer).