Karaçeva ia shpalos KFOR-it problemet në kufi me Serbinë, frika nga xhandarmëria serbe

Aktuale

Karaçeva ia shpalos KFOR-it problemet në kufi me Serbinë, frika nga xhandarmëria serbe

Nga: G.B Më: 19 gusht 2021 Në ora: 15:15
Pamje nga takimi

Selver Lenjani nga Bashkësia Lokale e Karaçevës së Poshtme, është takuar dje me zyrtarët e KFOR-it.

Për gazetën “Bota sot” ai ka bërë të ditur se në këtë takim është diskutuar për problemin e kahmotshëm të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në takimin e djeshëm me zyrtarë të KFOR-it të mbajtur në Karaçevë u bisedua për problematikat e këtij fshati, ndërsa tema bosht ishte problemi i kamotshëm i kufirit diskutabil mes Kosovës dhe Serbisë.  Me këtë rast, zyrtarë të KFOR-it u njoftuan nga përfaqësues të Bashkësisë lokale me sfidat e pasigurisë në këtë zonë buzë kufirit Kosovë – Serbi, ndërsa banorët lokal e konsiderojnë shpresëdhënëse praninë e KFOR-it në vendin tonë si një trupë paqeruajtëse.  Zyrtarë të Bashkësisë Lokale dëshmuan me foto argumente hyrjen e forcave militare serbe në Kosovë, përkatësisht në fshatin Karaçevë”, ka thënë ai.

Lenjani po ashtu ka thënë se kanë kërkuar mbështetje nga KFOR-i, që të jenë zëri i arsyes dhe se hyrjet e shpeshta të xhandarmërisë serbe krijojnë shqetësim dhe tension.

Sipas tij, nga ky takim u mboll shpresa se Policia do të jetë më e pranishme në atë zonë.

“Lidhur me këtë, karaçevasit kanë kërkuar mbështetje nga ana e KFOR-it që të jenë zëri i arsyes kurse patrullat policore të Kosovës të jenë të pranishme të cilat shtojnë shpresën për sigurinë e banorëve lokal. Hyrja e forcave militare serbe në vendbanimet shqiptare është e shpeshtë dhe krijon shqetësime dhe tensionon situatën në vendin tonë. Rruga e asfaltuar në hyrje të fshatit Karaçevë e Poshtme është bërë vend i pasigurt, ndërsa në secilin çast policia dhe xhandarmëria serbe mund të jetë e pranishme dhe të shkaktojë probleme për qytetar të vendit. Nga ky takim zyrtar mes KFOR-it dhe zyrtarit të BL Karaçevë u mboll shpresa se faktori relevant lokal i sigurisë publike, Policia e Kosovës duhet që sa më parë të jetë e pranishme me patrullim dhe të eliminohen barrierat e mundshme përgjatë rrugës së asfaltuar e cila të shpie drejt qendrës së fshatit Karaçvë e Poshtme”, ka theksuar Selver Lenjani për “Bota sot”.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat