(E plotësuar 11:45) - Përfundon takimi i Kurtit me disa nga kryetarët e komunave
Ka përfunduar takimi i kryeministrit Albin Kurti me disa nga kryetarët e komunave.
Këtë e ka konfirmuar, zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu.
Ndërkohë që në këtë takim nuk kanë shkuar kryetarët, meqë bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) u kërkoi atyre që të mos jenë pjesë e këtij takimi.
AKK ka dhënë tri nga arsyetimet se pse nuk duhet t’i shkojnë Kurtit në takim.
***
Këtë të martë ishte paraparë që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia të takohen me kryetarët e Komunave të Kosovës për të diskutuar rreth situatës së krijuar nga pandemia COVID-19.
Mirëpo disa nga kryetarët e komunave nuk i shkuan Kurtit e Vitisë në takim, kjo meqë Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) mori vendim unanim për mos-prezencë në këtë takim.
Bordi tregon se pse bënë thirrje që të mos t’i shkojnë Kurit në takim.
Largimi i AKK-së si përfaqësues i komunave në Komitetin antiCOVID-19, moslejimi i shqyrtimit të buxhetit komunal, mospërgjigjiet e ministrave të linjave ndaj kërkesave të komunave, thuhet të jenë tri nga veprimet e qeverisë të cilat indinjuan AKK-në.
“Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës në mënyrë unanime ka vendosur që Kryetarët e Komunave të mos marrin pjesë në takimin e sotëm të ftuar nga Kryeministri i Kosovës. Bordi ka vlerësuar se tek vendim kanë ardhur duke pas parasysh disa nga veprimet e Qeverisë së Kosovës e të cilët kanë qenë të drejtuara kundër pushtetit lokal në Kosovë: 1. Largimi në mënyrë arbitrare i AKK-sē si përfaqësues i Komunave në Komitetin Anti -Covid19. 2. Mos lejimi i shqyrtimit të buxhetit komunal. 3. Mospërgjigjet e ministrive të linjave ndaj kërkesave të Komunave. Bordi vlerëson se ky veprim do ta bënte qeverinë që t'i thërriste mendjes që t'i trajtoj Kryetarët e Komunave me më shumë seriozitet në marrjen e vendimeve që prekin komunat. Poashtu Bordi vlerëson se kjo është edhe mungesë e konsultimit paraprakë për organizimin e takimeve të tilla serioze me kryetarët e Komunave”, thuhet në njoftimin e AKK-së.
Megjithëkëtë takimi është mbajtur, por që të pranishëm mësohet të kenë qenë vetëm kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtri dhe ai i Podujevës, Shpejtim Bulliqi.
Tashmë ky takim i Kurtit ka përfunduar.
Këta janë dy kryetarët e komunave që nuk do të marrin pjesë në takimin e thirrur nga Kurti
Kryetari i Komunës së Suharekës Bali Muharremaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë konfirmuar mos-pjesëmarrjen në takimin e ftuar nga kryeministri Albin Kurti.
Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj ka thënë se pas vendimit të marrë nga bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës, nuk do të shkoj në takimin e ftuar nga Kurti.
“Unë fillimisht e kam konfirmuar pjesëmarrjen, por pas vendimit të bordit të AKK, unë nuk do të marrë pjesë në këtë takim”, ka thënë Muharremaj.
Edhe kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri e ka konfirmuar për Kp se nuk do të jetë pjesëmarrës në këtë takim.
Ai është pyetur nëse njëjtë do të veprojnë edhe bashkëpartiakët e tij.
“Ky nuk është vendim partiak, është vendim i bordit të AKK-së. Unë nuk do të marrë pjesë në këtë takim”, ka deklaruar Tahiri.
Ndryshe, Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës ka kërkuar nga kryetarët e komunave që të mos marrin pjesë në takimin urgjent të ftuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
KosovaPress ka mësuar se mos-përfshirja e komunave të Kosovës në komitetin anti-COVID ka indinjuar kryetarët dhe të njëjtit priten të mos marrin pjesë në këtë takim.
“Vendimi i djeshëm i Qeverisë së Kosovës për formimin e komitetit anti-COVID, ku Asociacioni i Komunave të Kosovës ka qenë anëtar, dhe largimi i AKK në mënyrë arbitrare i ka indinjuar kryetarët e komunave dhe pothuajse arsyeja kryesore që sot bordi i AKK ka bërë ftesë që kryetarët të mos shkojnë në takimin e thirrur nga kryeministri Kurti është kjo”, thotë një burim.
Qëllimi i këtij takimi mësohet të jetë situata e krijuar nga pandemia me COVID-19. Ky takim i thirrur nga Kurti pritet të mbahet në ambientet e Qeverisë së Kosovës, ku do të marrë pjesë edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Takimi tashmë ka filluar e aty po merr pjesë kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri që vie nga radhët e Vetëvendosjes.
***
Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, ka konfirmuar mospjesëmarrjen në takim me Kryeministrin Albin Kurti.
Ky hap vjen pas thirrjes së Bordit të Asociacionit të Komunave të Kosovës për të gjithë drejtuesit e komunave që ta refuzojnë këtë takim.
Thirrja siç është konfirmuar nga Kryetari i AKK-së, Sazan Ibrahimi, vjen pas largimit të AKK-së nga komiteti për menaxhimin e pandemisë.
Kurti ka ftuar për këtë të martë në takim kryetarët e komunave për të diskutuar rreth situatës me COVID-19.