​Kurti takon Biboviq: Kosova dhe Mali i Zi partnerë në zhvillim të rajonit

Aktuale

​Kurti takon Biboviq: Kosova dhe Mali i Zi partnerë në zhvillim të rajonit

Më: 9 shtator 2021 Në ora: 14:06
Foto nga takimi

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim të ngarkuarin e ri me punë të Republikës së Malit të Zi në Kosovë, ambasadorin Mirsad Biboviq.

Kryeministri e uroi ambasadorin për pozitën e re, duke i ofruar bashkëpunimin e Republikës së Kosovës dhe Zyrës së Kryeministrit në forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale.

Sipas një komunikate të Qeverisë, në këtë takim u bisedua për situatën me pandeminë në të dy vendet dhe përpjekjet që po bën Qeveria e Kosovës për të menaxhuar sa më mirë gjendjen e rënduar gjatë muajit gusht me variantin Delta.

Kryeministri foli për projekte të përbashkëta infrastrukturore që lidhin Kosovën dhe Malin e Zi, siç janë rruga Deçan-Plavë dhe Pejë-Rozhajë, e që do të afronin qytetarët e të dy vendeve dhe do të ndihmonin ekonominë.

Ai ofroi bashkëpunimin dhe bashkërendimin e aktiviteteve të Qeverisë së Republikës së Kosovës me Qeverinë e Republikës së Malit të Zi në iniciativat rajonale, duke e falënderuar Malin e Zi për përkrahjen dhe mbështetjen për integrimet euro atlantike dhe evropiane.

Kurti theksoi se Kosova dhe Mali i Zi ndajnë aspirata të përbashkëta për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe janë partnerë në përpjekjet e përbashkëta për demokratizim dhe zhvillim të rajonit.

Ambasadori Biboviq e përgëzoi kryeministrin për programin qeveritar, duke i uruar suksese në arritjen e rezultateve për qytetarët.

Ai theksoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe angazhimin për thellimin e tyre, si dhe ofroi përkrahjen e Malit të Zi në forumet ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat