Policia ka siguruar një video-incizim nga momenti i vrasjes së Bakush Veselit

Aktuale

Policia ka siguruar një video-incizim nga momenti i vrasjes së Bakush Veselit

Më: 13 shtator 2021 Në ora: 12:00
Policia

Organet e hetuesisë kanë siguruar një video-incizim nga rasti i vrasjes së Bakush Veselit, ka mësuar Gazeta nga burime brenda institucioneve të sigurisë.

Burimet i kanë thënë gazetës se hetuesit policorë kanë siguruar një provë të rëndësishme për zbardhjen e rastit, i cili la të vdekur të dielën mbrëma Bakush Veselin, 50-vjeçarin me vendbanim në Gjilan.

Në duart e organeve të rendit ka rënë një video-inicizim i realizuar nga telefoni, i cili sipas burimeve, shfaq momentin e të shtënave me armë zjarri në drejtim të viktimës.

Veseli, 50-vjeç, u vra rreth orës 19:45 të së dielës në një kafiteri në afërsi të parkut të qytetit në Gjilan.

Policia e Kosovës ka arrestuar tre të dyshuar për rastin e vrasjes, ka thënë policia të hënën në mëngjes në një komunikatë për media.

Në lidhje me rastin janë arrestuar tre të dyshuarit meshkuj kosovarë dhe është sekuestruar një veturë me targa vendore. Me urdhër të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion ndërsa të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë”, ka thënë policia.

Siç raportuan mediat të dielën, vrasja dyshohet të ketë ndodhur shkak i mosmarrëveshjeve për çështje pronësore mes dy palëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat