Osmani e quan të rrezikshme iniciativën “Ballkani i Hapur”, ka një paralajmërim

Aktuale

Osmani e quan të rrezikshme iniciativën “Ballkani i Hapur”, ka një paralajmërim

Më: 15 shtator 2021 Në ora: 12:53
Vjosa Osmani

(E plotësuar 14:59) - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka quajtur të rrezikshme iniciativën e “Ballkanit të Hapur” në rajonin ballkanik. E para e shtetit, gjatë qëndrimit në Gjermani, duke diskutuar për të ardhmen e Kosovës në Rrjetin për Politikë të Jashtme (DGAP) paralajmëroi edhe aplikimet e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Derisa tha se Kosova është konstruktive në dialogun me Serbinë, por nuk pranojnë të diskutojnë për integritetin territorial, statusin e Kosovës dhe nivelin e tretë qeverisës, siç është asociacioni i komunave serbe në Kosovë.

Presidentja Osmani tha se iniciativa e “Ballkanit të Hapur” po përpiqet ta zëvendësojë Procesin e Berlinit, kjo, sipas saj e vonon integrimin evropian dhe nuk duhet të ndodh.

Osmani: Iniciativa “Ballkani i Hapur” është i rrezikshëm

“Sa i përket iniciativës ‘Ballkani i Hapur’, besojmë se ajo, jo vetëm që është një iniciativë e rrezikshme, por njëkohësisht synon vonimin e procesit të integrimit evropian të shteteve të regjionit. Si nga pikëpamja e sigurisë, si nga pikëpamja politike, ekonomike, apo nga pikëpamja e integrimeve evropiane, është absolutisht gjë e gabuar për regjionin, për këtë edhe Kosova, Mali i Zi, dhe Bosnja e Hercegovina kanë refuzuar këtë iniciativë që nga fillimi. Kjo iniciativë, nëse mund ta quajë kështu, sepse nuk e dimë saktësisht çfarë është, ngase nuk ka pasur ndonjë dokument që u është dorëzuar vendeve të regjionit, njëkohësisht, nuk është gjithëpërfshirëse, e parimi i gjithëpërfshirës është parimi themelor[...]Kjo iniciativë e cila ka fillu në Novi Sad të Serbisë, asnjëherë nuk ka pasur për qëllim ta trajtoj Kosovën të barabartë me vendet e tjera të regjionit, dhe njëkohësisht, Serbia vazhdon ta mohojë të drejtën tonë për të ekzistuar...Ballkani i hapur është i rrezikshëm, i vonon integrimet evropiane, dhe synon të zëvendësojë procesin e Berlinit, gjë që është e pamundur, dhe ne nuk do ta lejojmë një gjë të tillë'', tha Osmani.

Nga Gjermania, presidentja Osmani i bëri thirrje Serbisë që ta pranojë realitetin për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Ndërkohë, kritikoi palën serbe për mos hapjen e arkivave dhe gjetjet e lokacioneve për varrezat masive për të pagjeturit.

Osmani: Ne nuk do të pranojmë të negociojmë për integritetin territorial të Kosovës

“Ne nuk do të pranojmë të negociojmë për integritetin territorial të Kosovës, ne nuk do të ndryshojmë kushtetutën për të krijuar nivele të treta të qeverisë, për ta bërë një tjetër Republika Serbska për ta destabilizuar rajonin. Po ashtu, nuk do të negociojmë statusin e Kosovës pasi është mbyllur njëherë e përgjithmonë në deklaratën e pavarësisë më 17 shkurt 2008 dhe ri konfirmuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë[...]Është vetëm një zgjidhje e vetme që do të sillte paqe dhe stabilitet në Ballkan, dhe ajo është që Serbia të pranojë realitetin për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Deri atëherë, Serbia do të jetë vendi problematik në Ballkan, destabiliizuesi, dhe trampolina që të sjell ndikim keqdashës rus, si dhe atë kinez në rajon”, shtoi ajo.

E pyetur për marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015, Osmani tha se është pikërisht presidenti serb, Alekasndër Vuçiq që po insiston në themelimin e institucioneve mono-etnike sic është asociacioni, për siç tha pretendimeve të tij territoriale në Kosovë.

Osmani: Vuçiq insiston në institucionet mono-etnike për shkak të pretendimeve territoriale

“Institucionet mono-etnike sikur ai që është ndërtuar në dokumentet e vitit 2015 nuk është në interes të serbëve që jetojnë në Kosovë, nuk kam takuar asnjëherë asnjë serb që ka kërkuar formimin e asociacionit të komunave serbe, Vuçiq e bënë këtë shkaku i pretendimeve territoriale”

Duke folur për marrëveshjen e Uashingtonit, Osmani tha se disa pjesë të saj veçse kanë qenë në kuadër të Procesit të Berlinit dhe kanë gjetur zbatim në vend, por problemi ka qenë në pikën për moratoriumin dhe Liqenin e Ujmanit.

Sipas saj, pas përfundimit të moratoriumit për aplikime në organizata ndërkombëtare, Kosova po përgatitet të jetë gati në bashkëpunim të plotë më aleatët ndërkombëtar për të dorëzuar aplikacionet në organizatat multilaterale.

Osmani: Po punojmë me partnerët për njohjet dhe aplikimin në organizata ndërkombëtare

“Moratoriumi ka mbaruar tani dhe po punojmë së bashku me partnerët tanë amerikanë sa i përket agjendës sonë për njohje dhe ofertave të organizatave ndërkombëtare. Më lejoni të jemi e qartë, nuk mendoj që mund të anëtarësohemi në organizata ndërkombëtare nëse nuk koordinohemi me aleatët tanë[...]Nuk do të shkojmë në krye veti pasi nuk dëshirojmë të dështojmë. Do të bëjmë një plan, do të aplikojmë kur të jemi gati bashkë me ShBA dhe BE partnerët, pasi dëshirojmë të kemi sukses, pasi nuk është në interes vetëm tonin, por edhe rajonit që të na kenë neve në këto organizata ndërkombëtare”, tha ajo.

Pjesë e panelit me presidenten Osmani ishte edhe diplomati gjerman dhe ish ambasadori, Ëolfgang Ischinger, i cili tha se Bashkimi Evropian dhe Qeveria e ardhshme Gjermane duhet t’ia përcjellin vazhdimisht mesazhin Serbisë se nuk mund të bëhet pjesë e BE-së përderisa nuk e njeh Kosovën.

Ischinger: Të përcjellët mesazhi se Serbia nuk do të bëhet pjesë e BE-së përderisa nuk e njeh Kosovën

“Unë e di që ai (Vuçiq)e di se vendi i tij nuk do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian përderisa nuk e zgjidh çështjen e Kosovës dhe nuk e njeh Kosovën, ai e di shumë mirë këtë. Nganjëherë lëvdatat publike dhe ofrimi i një shteti janë pjesë e përpjekjeve diplomatike, ngase prisni që prapa dyerve të mbyllura, ai shtet të bëjë më shumë, kjo është pjesë e artit të diplomacisë. Paraqitja publike nuk duhet të na hutojë sa i përket mesazhit të fortë që Presidenti Vuçiq dhe qeveria e Serbisë duhet ta dëgjojnë vazhdimisht nga Bashkimi Evropian dhe qeveria gjermane. Kam shpresë se qeveria e ardhshme gjermane do ta përcjellë qartë këtë mesazh”, theksoi ai.

Presidentja Osmani që nga dje është duke qëndruar në një vizitë zyrtare në Gjermani, ku u prit me ceremoni solemne edhe nga presidenti gjerman, Frank Walter Steinmeier.

Presidentja Osmani në Gjermani: Mbështesim Procesin e Berlinit, ‘Open Balkan’ është i rrezikshëm/Ka një porosi për Serbinë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, gjatë një diskutimi në Rrjetin për Politikë të Jashtme (DGAP) në Berlin ka thënë se Kosova vazhdimisht ka kaluar nëpër sfida të mëdha dhe të vështira.

Osmani thotë se si presidente sfida më e madhe për të dhe për qytetarët janë reformat në drejtësi.

Në këta gjashtë muaj që unë përfaqësojë qytetarët e Kosovës jam ndjerë se kam vendime të vështira për të marrë – por jam ndjerë krenare për secilin vendim që e kam marrë. Por, për të folur në përgjithësi mendoj se sfida më e vështirë jo vetëm për mua si presidente por edhe për qytetarët janë reformat në drejtësi sepse këto nuk mund të ndodhin brenda natës pasi do të ketë shumë refuzime për shumë struktura dhe nënstruktura do duhet të ketë shumë kurajo dhe vullnet politik e po ashtu duhet shumë mbështetje nga partnerët tanë ndërkombëtar”.

Por sërish kjo do të jetë sfidë e për këtë mendoj se është e vështirë dhe sfiduese”.

Puna jonë është çdo ditë sfiduese dhe nuk është asgjë e thjeshtë pasi nuk është se e ke një ide dhe atë mund ta implementosh por duhet të mendosh edhe të parandalosh gjërat e këqija që mund të ndodhin pas për këtë mendoj se reformat në drejtësi do të jetë ndër sfidat më të mëdha për ne”, tha Osmani.

***

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ritheksuar edhe një herë se në dialog me Serbinë nuk do të bisedojnë për integritetin territorial të Kosovës, dhe për pavarësinë e cila është shpallur më 17 shkurt 2008.

Osmani kështu theksoi gjatë një diskutimi në Rrjetin për Politikë të Jashtme (DGAP), në një bashkëbisedim për të ardhmen e Kosovës me ambasadorin Wolfgang Ischinger, ndërsa u shpreh se Serbia ka refuzuar çdo propozim dhe është e fokusuar që ta paraqesë Kosovën keq ndërkombëtarisht.

Serbia ka refuzuar çdo propozim dhe është fokusuar në fyerje të tmerrshme gjatë procesit të negociatave… Serbia ende po përpiqet ta bëjë Kosovën të duket keq”, tha ajo.

Presidentja shtoi tutje se në dialog asnjëherë nuk do të bisedojnë me Serbinë për disa tema.

Ne kurrë nuk do të pranojmë të negociojmë integritetin territorial, ne nuk do të ndryshojmë strukturën tonë për të krijuar shtresa të tyre qeverisëse që ngjajnë dhe mund të na çojnë në ‘Republika Srpska’ ose në një republikë tjetër, dhe natyrisht ne nuk do të negociojmë statusin e Kosovës i cili është zgjidhur një herë e përgjithmonë me Deklaratën e pavarësisë më 17 shkurt 2008″, deklaroi presidentja Osmani.

***

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se procesi i Berlinit është zgjidhja e vetme për të siguruar vendet e rajonit që të jenë më afër Bashkimit Evropian.

Osmani këtë deklaratë e bëri gjatë një diskutimi në Rrjetin për Politikë të Jashtme (DGAP), në një bashkëbisedim për të ardhmen e Kosovës me ambasadorin Wolfgang Ischinger.

“Kosova gjithmonë e ka mbështetur iniciativën e Berlinit, edhe shumë vite më parë, unë mendoj se procesi i ka sjellë më afër vendet e rajonit, i cili ka rezultuar me kaq shumë marrëveshje që vërtet e kanë bërë jetën e qytetarëve tanë më ndryshe. Ne besojmë fuqimisht se procesi i Berlinit është zgjidhja e vetme për të siguruar që vendi të jetë me të vërtetë më afër Bashkimit Evropian”.

Gjithashtu, Osmani ka folur edhe për Open Balkan, teksa tha se kjo është një nismë e rrezikshme.

“Kur bëhet fjalë për nismën e hapur ballkanike, ne besojmë se nuk është vetëm një nismë e rrezikshme por në të njëjtën kohë synon të vonojë vërtet procesin e integrimit evropian. Novi Sad, Serbia, kurrë nuk kishte për qëllim ta konsideronte Kosovën në një pozitë të barabartë me vendet e tjera të rajonit”, tha Osmani.

Presidentja theksoi se Iniciativa e Hapur Ballkanike është e rrezikshme sepse e shtynë integrimin evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat