Krasniqi pas takimit me Lajçak: Dialogu të ketë epilogun e vet sa më shpejt që është e mundur

Aktuale

Krasniqi pas takimit me Lajçak: Dialogu të ketë epilogun e vet sa më shpejt që është e mundur

Më: 16 shtator 2021 Në ora: 11:35
Miroslav Lajçak

(E plotësuar 12:19) - Ka përfunduar takimi mes përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Pas këtij takimi që zgjati rreth një orë, i pari i PDK-së në një prononcim për media tha se është njoftuar nga Lajçak lidhur me zhvillimet e fundit dhe gjithë procesin e dialogut deri më tash.

Krasniqi tha se mbeten partia e vetme që kanë platformë të plotë për dialogun, për të cilën theksoi se është rruga e vetme për të shkuar përpara.

"I shpreha qëndrimet e PDK-së lidhur me këtë proces. Për ne është e rëndësishme që dialogu të ketë epilogun e vet dhe kërkesa jonë është që të përfundojë sa më shpejt që është e mundur dhe që përfundimi i tij të ketë njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë, pa cenuar asnjë nga elementet dhe themelet e Kushtetutës të Republikës të Kosovës", tha ai.

Krasniqi bëri të ditur se në takimin me Lajçakun kanë ngritur edhe çështjen e hapjes së arkivave.

"UÇK nuk ka pasur arkiva, ky është një fakt i ditur botërisht. Kushdo që thotë diçka tjetër, me apo pa qëllim, nuk e thotë të vërtetën dhe mund të jenë në favor të konspiracioneve të Serbisë ndaj Kosovës. Atë që ka thënë Lajçak, nuk do të duhej ta them unë. E ka bërë publike dje, por mund ta bëjë më vonë", tha Krasniqi.

Kreu i PDK-së nuk la pa përmendur edhe fushatën zgjedhore, e cila ka filluar sot, për çka tha se do të flasin edhe më vonë.

Lajçak takohet me kreun e PDK-së, Memli Krasniqi

Miroslav Lajçak, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, ka zhvilluar takim me dyer të mbyllura me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin.

Lajçak, është shoqëruar nga ish-ambasadori i Kosovës në Bruksel, Bernard Nikaj.

I dërguari i BE-së pas Kransiqit do të takohet edhe me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Kurse në mëngjes e së enjtes është pritur nga kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca. Ai po qëndron për vizitë treditore në Kosovë, ku po takon krerë institucionesh e partishë për të diskutuar për ecurinë e dialogut

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat