A ishin aleatët e Kosovës të njoftuar për reciprocitetin me targa ndaj Serbisë? Sveçla sqaron çdo gjë

Aktuale

A ishin aleatët e Kosovës të njoftuar për reciprocitetin me targa ndaj Serbisë? Sveçla sqaron çdo gjë

Më: 20 shtator 2021 Në ora: 17:48
Xhelal Sveçla

(E plotësuar 18:41) - Pas vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme që obligon të pajisen me targa të përkohshme të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, ministri Xhelal Sveçla deklaroi se gjendja e sigurisë është e qetë dhe se ky vendim është legjitim.

Sveçla në një konferencë për media tha se në asnjë rast nuk kanë për qëllim që të kërcënohet liria e lëvizjes ndaj serbëve dhe se nga data 21 shtator përveç mundësisë së pajisjes së tyre me targa të përkohshme të Kosovës, në të gjitha pikat kufitare mund të pajisen edhe në të gjitha qendrat e regjistrimit të automjeteve në komunat e Kosovës.

Ai tha se nga data 15 shtator asnjë veturë e pajisur me targa KS nuk ka të drejtë të lëvizë në trafik dhe rrjedhimisht targat e vetme ligjore janë ato me denominimin RKS.

Për më tepër, ministri Sveçla tha se Serbia ka obliguar qytetarët e Kosovës që të vendosin targa të përkohshme dhe se vendimi i fundit është e njëjta gjë që Serbia ka bërë me qytetarët e Kosovës.

Sveçla: Gjendja e sigurisë është e qetë

“Gjendja e sigurisë është e qetë dhe Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme operative dhe logjistike që të mos pengojnë dhe vonojnë lëvizjen e njerëzve dhe mallrave. Ky vendim është legjitim edhe për faktin se përkundër që Kosova ka pranuar që automjetet nga Serbia të qarkullojnë lirshëm me tabelat e Serbisë, një gjë e tillë nuk është lejuar nga Serbia dhe përkundrazi Serbia ka obliguar dhe obligon qytetarët e Republikës së Kosovës që të vendosin tabela të përkohshme për të hyrë në Serbi. Prandaj, ne kemi vlerësuar se është momenti i fundit që edhe Republika e Kosovës të bëjë të njëjtën gjë, as më shumë e as më pak dhe të realizojmë një të drejtë legjitime të shtetit tonë dhe qytetarëve tanë duke garantuar njëkohësisht lëvizje të lirë të qytetarëve dhe mallrave”, tha ai.

Ministri i është drejtuar në gjuhën serbe qytetarëve të komunitetit serb, teksa ka ftuar që të mos e bllokojnë rrugën, pasi që të njëjtit sot kanë protestuar afër pikë kalimeve kufitare duke bllokuar edhe rrugën.

Sveçla: Në asnjë rast nuk kemi për qëllim që të kërcënohet liria e lëvizjes ndaj serbëve

“Në asnjë rast nuk kemi për qëllim që të kërcënohet liria e lëvizjes ndaj serbëve apo ndonjë provokim, apo destabilizim të situatës. Nuk do të duhej të ndikojnë deklarime politike, të cilat kanë për qëllim përhapjen e panikut dhe frikës. Sot kemi nisur zbatimin e marrëveshjes të cilën e ka pranuar Serbia me ndihmën e BE-së. Njëjtë sikur dje, sot por edhe nesër, qytetarët serbë kanë lirinë e plotë të lëvizjes dhe mbrojtjes me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Ftoj qytetarët që të mos bllokojnë rrugët dhe të mos vendosin pengesa. Kjo është e gabuar dhe e dëmshme, dhe nuk sjell kurrfarë përfitimi, prandaj të angazhohemi bashkërisht për të mirën e të gjithë neve”, tha Sveçla.

I pyetur se si vendim a ka qenë i koordinuar edhe me KFOR-in, ministri u shpreh se sa i përket situatës së sigurisë koordinohen me aleatët, teksa theksoi se edhe për këtë rast kanë qenë të njoftuar.

Sveçla: Bashkëbisedojmë e koordinohemi me të gjithë aleatët tanë

“Në vazhdimësi për sa i takon situatës së sigurisë ne angazhojmë të gjitha kapacitetet tona si shtet i Kosovës, por po ashtu edhe bashkëbisedojmë e koordinohemi me të gjithë aleatët tanë. Edhe për këtë rast ata kanë qenë të njoftuar dhe të mos harrojmë se zëvendëskryeministri Bislimi me 9 shtator në konferencë për media ka paralajmëruar këtë veprim dhe tashmë është e ditur se siç e theksova edhe më herët me 15 shtator kjo marrëveshje ka skaduar si afat dhe rrjedhimisht ka qenë çështje e organizimit, mobilizimit të resurseve si në aspektin teknik për shembull të Agjencisë së Regjistrimit Civil, po ashtu edhe të atyre të sigurisë që vendimi i qeverisë të zbatohet me sukses”, u shpreh ai.

Ai është përgjigjur edhe sa i përket asaj se a do të ketë lehtësira për qytetarët nga Lugina e Preshevës.

Sveçla: Do të ketë mekanizma të tjerë të cilët do të kompensojnë çfarëdo dëmi që u bëhet bashkëkombës e tanë

“Ky vendim ka të bëjë me qarkullimin me targa të shtetit të Serbisë. Shumë shpejt në një kohë të përshtatshme do të ketë mekanizma të tjerë, të cilët do të kompensojnë çfarëdo dëmi që u bëhet bashkëkombës e tanë qoftë nga Presheva por edhe nga Bujanoci e Medvegja", tha ai.

Ndërkaq, i pyetur se a është kërkuar nga zyrtarët e Serbisë që të largohet ky vendim, ministri Sveçla u shpreh se ky është vendim legjitim i institucioneve të Republikës së Kosovës.

Ministria e Punëve të Brendshme ka nisur sot zbatimin e vendimit që obligon të pajisen me targa të përkohshme të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës./

***

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, ka thënë se do t’i kompensojnë të gjitha dëmet që iu shkaktohen shqiptarëve të Luginës së Preshevës, pas vendosjes së reciprocitetit për targat me Serbinë.

Sveçla, ka thënë se vendimi për të obliguar personat me targa të Serbisë që të pajisen me targa të përkohshme të Kosovës është legjitim.

Tutje, ai në gjuhën serbe i është drejtuar qytetarëve serbë që të mos bllokojnë rrugët.

Ai ka thënë se partnerët ndërkombëtarë kanë qenë të njoftuar për këtë vendim dhe se është bërë në koordinim me ta.

MPB-ja me qëllim të mundësimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe pas skadimit të marrëveshjes së 14 shtatorit të vitit 2016, ka nxjerrë vendim që obligim targa të përkohshme për gjitha automjetet me targa të Serbisë që hyjnë në Kosovë. Nga data 21 shtator përveç mundësisë së pajisjes me targa të përkohshme në gjitha pikat kufitare, qytetarët mund të pajisen edhe në gjitha Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve. Gjendja e sigurisë është e qetë. Policia ka marrë të gjitha masat e nevojshme operative e logjistike për të mos penguar lëvizjen e njerëzve e mallrave. Vendimi është legjitim për faktin se përkundër që Kosova ka liruar qytetarët nga Serbia që të lëvizin lirshëm në Kosovë me automjete të tyre, Serbia detyron qytetarët e Kosovës të vendosin targa të përkohshme për të hyrë në Serbi”.

Ky vendim ka të bëjë me qarkullimin me targa të Serbisë. Do të ketë mekanizma të lirë që të kompensojmë çfarëdo dëmi që i bëhet shqiptarëve në Luginën e Preshevës”.

***

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka mbajtur konferencë për media pas fillimit të zbatimit të vendimit për pajisje me targa të përkohshme të automjeteve që mbajnë targa të Serbisë.

Ai tha se kjo është një e drejtë legjitime e shtetit tonë dhe qytetarëve tanë.

Sveçla tha se për këtë veprim janë koordinuar edhe me aleatët e Kosovës.

“Sa i përket sigurisë në vazhdimësi ne angazhojmë kapacitet tona si shtet i Kosovës. Koordinohemi me gjithë aleatët tanë. Edhe për këtë rast ata kanë qenë të njoftuar. Zv. Kryeministri Bislimi a ka paralajmëruar këtë veprim. Më 15 shtator kjo marrëveshje ka skaduar si afat dhe rrjedhimisht ka qenë çështje e organizimit të resurseve.

Për sa i takon barrikadave i bëj ftesë gjithë qytetarëve të Kosovës që mos të bllokojnë rrugët. Qarkullimi është e drejtë themelore e të gjithë qytetarëve dhe krejt çka bëjnë është se dëmtojnë edhe qarkullimin e vetvetes”, tha ai.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat