“Kosova ka zot shtëpie, Bashkësia ndërkombëtare, duhet ta zgjojë Vuçiqin nga ëndrra e “botës serbe”

Aktuale

“Kosova ka zot shtëpie, Bashkësia ndërkombëtare, duhet ta zgjojë Vuçiqin nga ëndrra e “botës serbe”

Nga: A.SH Më: 21 shtator 2021 Në ora: 15:00
Pjesëtar i Njësisë Speciale të Kosovës

Ish-ministri i Integrimeve Evropiane, njëherësh profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare, Blerim Reka ka reaguar pas deklaratave të presidentit serb.

Sipas tij, Vuçiq në reagimin e tij që bëri sot edhe zyrtarisht ri-konfirmoi strategjinë e tij për “Botën Serbe”.

Tutje, Reka shkruan se Kryeminstri Kurti, Presidenti malazez Gjukanoviq dhe Kryeministri kroat Plenkoviq, qartë ia rikujtuan këto ditë botën reale të pesë shteteve sovrane.

“Qeveria e Republikës së Kosovës vetëm zbatoi normën, pra atë që Brukseli vazhdimisht e kërkon prej saj: sundimin e ligjit. Ndaj fqiut verior, Kosova po zbaton vetëm parimin si bazë (quid pro quid) të marrëdhënieve ndër-shtetërore: reciprocitetin bilateral”, ka shkruar ai në Facebook.

Postimi në Facebook:

Reciprociteti dhe ëndrra e “botës serbe”

Në reagimin e tij të sotëm ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet, Vuqiqi edhe zyrtarisht ri-konfirmoi strategjinë e tij për “Botën Serbe”. Pra, se nuk i njeh shtetet sovrane, e as kufijtë e Ballkanit. Ato nuk vlejnë për Vuqiqin, i cili vazhdon të ëndërrojë botën virtuale serbe që shtrihet “çdokund ku ka edhe një varr serb”.

Kryeminstri Kurti, Presidenti malazez Gjukanoviq dhe Kryeministri kroat Plenkoviq, qartë ia rikujtuan këto ditë botën reale të pesë shteteve sovrane. Por, ish ministri i luftës (i informatave të Millosheviqit), vazhdon ta ëndërrojë botën e imagjinuar serbe - larg realitetit.

Pas Cetinjes, (ku vendosi mitropolitin e Kishës Serbe), e pas Banjallukës (ku joshi Republika Srpsken në idenë për pavarësim nga Bosnja), në tërë Ballkanin urdhëroi serbët të valojnë flamujt e Serbisë në “ditën e bashkimit serb”; kurse sot, i kërkoi Kosovës “kthimin e gjendjes - para vendimit për reciprocitetin e targave”.

Kosova ka Zot shtëpie. Është shtet sovran, me kushtetutë, kufij e ushtri që i mbron ato. Ajo zbaton ligjin dhe marrëveshjet ndërkombëtare, si atë të Brukselit për reciprocitetin e targave - të nënshkruar nga vet Vuqiqi. Prandaj, BE në vend të apeleve për “përmbajtjen e dy palëve nga tensionimi”, duhet t'ia rikujtojë njerës palë - Serbisë, parimin: pacta sunt servanda, pra obligimin për zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar.

Qeveria e Republikës së Kosovës vetëm zbatoi normën, pra atë që Brukseli vazhdimisht e kërkon prej saj: sundimin e ligjit. Ndaj fqiut verior, Kosova po zbaton vetëm parimin si bazë (quid pro quid) të marrëdhënieve ndër-shtetërore: reciprocitetin bilateral.

Bashkësia ndërkombëtare, përfundimisht, duhet ta zgjojë Vuqiqin nga ëndrra e “botës serbe”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat