Thaçi tregon se çfarë duhet të bëjë bashkësia ndërkombëtare që ta shkëpus Serbinë nga vëllazëria ruse

Aktuale

Thaçi tregon se çfarë duhet të bëjë bashkësia ndërkombëtare që ta shkëpus Serbinë nga vëllazëria ruse

Nga: M.L. Më: 22 shtator 2021 Në ora: 20:43
Jusuf Thaçi

Ish zëvendësministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Jusuf Thaçi ka vlerëson se Serbia ka probleme me të gjitha shtetet me të cilat kufizohet.

Ai në një postim në Facebook ka thënë se Serbia është edhe adresa për ushtrim të presionit e kërkim të përgjegjësisë nga faktori ndërkombëtar për problemet.

Të mos lodhemi duke ia përmendur bashkësisë ndërkombëtare në përgjithësi e Bashkimit Evropian në veçanti se në rajonin tonë është Serbia si shteti i vetëm që ka probleme me të gjitha shtetet me të cilat kufizohet (sidomos me ato të dala nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë): me Kroacinë, me Bosnjën e Hercegovinën, me Malin e Zi, me Kosovën e me Maqedoninë e Veriut. Asnjëra nga këto shtetet tjera nuk kanë probleme me njëra-tjetrën, përveç se me Serbinë. Pra, shteti burim i problemeve, i jo-stabilitetit e i kërcënimit të paqes e sigurisë në rajonin tonë është Serbia, qartësisht e identifikuar apo së paku qartësisht e identifikueshme. Rrjedhimisht, edhe adresa për ushtrim të presionit e kërkim të përgjegjësisë nga faktori ndërkombëtar për problemet, jo-stabilitetin e kërcënimin e paqes e të sigurisë në rajonin tonë është Serbia”, u shpreh Thaçi.

Sipas tij, për aq kohë sa bashkësia ndërkombëtare e ngatërron këtë adresë, atëherë ajo vetëm se do t’i kontribuojë përkeqësimit të gjendjes në rajonin tonë dhe asnjëherë përmirësimit të kësaj gjendjeje.

Ai u shpreh se me këtë qasje bashkësia ndërkombëtare veçse i rritë apetitet e ambiciet e Serbisë e bashkë me këtë largohet nga përmirësimi i gjendjes në rajon.

Nëse bashkësia ndërkombëtare (perëndimi) dëshiron ta shkëpusë Serbinë nga vëllazëria, bashkëpunimi e ndikimi rus (që është qëllim shumë i mirë), atëherë le të përdorë për këtë qëllim instrumente të tjera (shkop e karrotë) të vetat që i ka në dispozicion, e jo ta përdorë sakrifikimin e të drejtave e të interesave të shteteve që e rrethojnë Serbinë, sepse këto shtete nuk i kanë asgjë borxh Serbisë. Është e kundërta, Serbia ju ka borxh të gjitha këtyre shteteve (borxh i shumëllojshëm i grumbulluar me dekada e shekuj, sidomos qe 30 vite). Me këtë qasje bashkësia ndërkombëtare veçse i rritë apetitet e ambiciet e Serbisë e bashkë me këtë largohet nga përmirësimi i gjendjes në rajon”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat