Mehmeti zotohet për hapjen e një zyre në komunë për bizneset

Aktuale

Mehmeti zotohet për hapjen e një zyre në komunë për bizneset

Më: 13 tetor 2021 Në ora: 17:52
Gëzim Mehmeti

Kandidati i AKR-së për kryetar të Prishtinës, Gëzim Mehmeti, i shoqëruar edhe nga nënkryetari i kësaj partie kanë vizituar Aleancën e Kosoves të Bizneseve (AKB). Me këtë rast Mehmeti tha se me ardhjen e tij në pushtet do të hapë zyrën për bizneset në komunë. Sipas tij, kryeqytetit do ta bëjë model të investimeve, duke shtuar se nuk do të lëshohen leje për ndërtim pa u plotësuar të gjitha kushtet.

“Si kryetar i ardhshëm zotohem që ndër vendimet e para do të jetë hapja e zyrës ku do të jenë të përfaqësuara të gjitha bizneset duke përmendur në këtë rast edhe AKB-në. Zotohem se do të përdori mundësinë ligjore që të gjitha bizneset të kenë mundësi ta shfrytëzojnë hapësirën komunale. Gjatë aplikimit për leje zotohem se të gjithë ata ndërtues që i plotësojnë kushtet do të kenë mundësi të pajisen me leje. Prishtinën duhet ta bëjmë model të investimeve. Nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa të kthehen investitorët dhe të investojnë në qytet”, ka thënë Mehmeti.

Ndërkaq nënkryetari i AKR-së, Selim Pacolli, është shprehur se sfidë mbetet mbrojtja e interesave të bizneseve, duke shtuar se me hapjen e zyrës në komunë nuk do të ketë më telashe.

“Ne biseduam për shumë pika, por ajo që është me rëndësi në këtë mandat synojmë hapjen e zyrës për komunitete të biznesit. Besoj që në të ardhmen bizneset nuk do të kenë telashe”, ka thënë Pacolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat