Lushaku: Partitë opozitare kanë punuar shumë më intensivisht dhe më seriozisht

Aktuale

Lushaku: Partitë opozitare kanë punuar shumë më intensivisht dhe më seriozisht

Më: 15 tetor 2021 Në ora: 21:48
Jehona Lushaku-Sadriu

Analistja politike Jehona Lushaku-Sadriu ka thënë se fushata për zgjedhjet e 17 tetorit e cila përmbyllet sonte ka qenë e qetë, por e karakterizuar me takime intensive.

Ajo pohoi se partitë opozitare kanë qenë shumë më aktive krahasuar me partinë në pushtet.

“Nuk kemi parë tubime masovike që mund ta kakarakterizonin këtë fushatë. Gjithsesi mendoj që është karakterizuar me intensitet të shtuar në krahasim me partinë në pozitë nga partitë opozitare të cilat kanë qenë shumë më aktive. Partitë opozitare kanë punuar shumë më intensivisht dhe më seriozisht si qasje për shkak të prezantimit të hershëm të kandidatëve dhe programeve të tyre. Janë karakterizuar po ashtu me intensitet të kontaktit derë më derë të qytetarëve dhe bërjes së një lloj fushate të ndërtuar mbi personalitetin e kandidatëve. Një gjë e tillë nuk është bërë në të gjitha komunat, sepse ndoshta në disa komuna nuk kemi pasë edhe kandidatë shumë cilësor”.

“Kjo fushatë ka prezantuar shumë kandidatë të rinj dhe shumë kandidatë të partive opozitare për t’u rikonfirmuar. LDK-ja ka paraqitur disa kandidatë për të cilët është më e sigurt se do të rizgjedhen, PDK-ja ka pasë kandidatë të rinj për shkak që ka qenë një tendencë për të sjellë frymë të re dhe për t’u identifikuar edhe me ndryshimet që janë bërë brenda partisë, derisa AAK-ja e ka bërë gjithë këtë aktivitet me tendencë të paraqitjes së kandidatëve më cilësorë. Ndërkohë partia që është në pushtet në disa komuna ka paraqitur kandidatët në fazë më të vonshme, vlen për t’u përmendur Prishtina ku Arben Vitia është prezantuar si kandidat derisa kampanja e tij ka nisur dy javë pas fillimit të fushatës”.

Lushaku-Sadriu ka deklaruar se kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Prishtinën nuk është marrë seriozisht me prezantimin e programit të tij. Ajo e ka kritikuar edhe programin e Arben Vitisë të cilin e cilëson si jo të qartë.

“Kemi pasë një joseriozitet në prezantimin e programit dhe po ashtu të vizionit të qartë të kandidatit. Kemi pasë joseriozitet për shkak të prezantimit të vonshëm të programit derisa programi është jashtëzakonisht i paqartë, jo konkret dhe është larg më i pakrahasueshëm me programet e partive opozitare për garën e Prishtinës, edhe për nga mënyra e vizuelizimit dhe kontaktit me qytetarë. Edhe për mua sot nuk është e qartë se çfarë ka paraparë Vetëvendosja në shumë fusha. Partitë opozitare e kanë bërë këtë përpjekje, derisa sa është i qëlluar programi është diskutim krejt tjetër”.

Analistja politike Lushaku-Sadriu ka thënë se nga 38 komuna në mesatare del se vetëm dy kandidatë nga kandidatët e të gjitha partive e kanë prezantuar programin e tyre.

“Krahasuar me zgjedhjet e kaluara ka një prezantim më të madh të programeve, por gjithsesi mungon një vizion i tërësishëm që do t’i karakterizonte partitë. Nuk ka një përmbledhje nga asnjëra parti e të gjitha programeve ku do të thoshte se këto janë prioritetet kryesore dhe në ndërlidhje me këto prioritete janë edhe prezantimet e programeve në të gjitha komunat”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat