Komisioni Evropian publikon sot raportin e zgjerimit, Borrell: Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut

Aktuale

Komisioni Evropian publikon sot raportin e zgjerimit, Borrell: Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut

Më: 19 tetor 2021 Në ora: 11:23
Josep Borrell

Komisioni Evropian publikon sot paketën vjetore të zgjerimit të vitit 2022, si dhe raportet e vendeve, përfshirë edhe Kosovën, raporti i së cilës do t’i dorëzohet kryeministrit Kurti.

Do të jetë komisionari për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, ai i cili në orët e pasdites do të mbajë një konferencë për mediat.

Një ditë më parë, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell u ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, që t’i kthehen dialogut.

“Kemi pasur situatë të vështirë në kufirin Kosovë–Serbi. Kam biseduar si me presidentin Vuçiç ashtu edhe me kryeministrin Kurtin. Ngjarjet e fundit dhe marrëveshja e 13 shtatorit tregojnë se dialogu i ndërmjetësuar nga BE është e vetmja rrugë përpara. Unë i kam bërë thirrje të dyja palëve që të kthehen në situatën kur mund të vazhdojnë dialogun”, u shpreh Josep Borrell.

Borrell kryesoi Këshillin e BE-së në Luksemburg, ku informoi ministrat e Jashtëm të unionit mbi zhvillimet në veri të Kosovës, si dhe për bisedimet me udhëheqësit rajonalë në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Brdo, të Sllovenisë.

Kryediplomati evropian së fundi u kritikua gjerësisht për deklaratën pas aksionit të Policisë së Kosovës në veri në aksionin kundër mallrave kontranbandë, duke thënë se “aksionet e tilla duhet të koordinohen”.

Qeveria e Kosovës iu përgjigj se për luftim të kontrabandës dhe zbatim të ligjit nuk pyet askënd.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat