Sulmuan drejtorin e ri të “Trepçës”, gjykata cakton paraburgim ndaj pesë personave

Aktuale

Sulmuan drejtorin e ri të “Trepçës”, gjykata cakton paraburgim ndaj pesë personave

Më: 20 tetor 2021 Në ora: 17:14
Trepça

Gjykata Themelore në Mitrovicë i ka caktuar një muaj paraburgim ish-ushtruesit të detyrës së kryeshefit të “Trepçës” pasi që dyshohet se ka kryer veprën penale “sulm”.

Lajmin e ka konfirmuar avokati i të akuzuarit, Mahmut Halimi, i cili tha se masa e njëjtë i është caktuar edhe katër të  dyshuarve tjerë në këtë rast.

“Po, i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaj. Masa e njëjtë i është caktuar edhe katër personave të tjerë të përfshirë në këtë rast”, tha Halimi.

Ndërkaq, sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi se të dyshuarit, duke qenë të pakënaqur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për caktimin e drejtorit të ri në Kombinatin “Trepça”, nën udhëheqjen e ish-drejtorit Rafet Ibishi, punëtorët janë mbledhur dhe kanë protestuar me ç’rast i dyshuari, Rafet Ibishi, e ka sulmuar fizikisht drejtorin e ri, Enis Abdurrahmani.

Kurse, të dyshuarit B.S., B.I., dhe Z.I., kanë sulmuar fizikisht të dëmtuarit E.A., dhe B.H., të cilët kanë pësuar lëndime të lehta trupore dhe po ashtu kanë sulmuar zyrtarët policorë që kanë ndërhyrë në këtë rast.

Ndryshe, të hënën, kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike “Trepça”, Enis Abdurrahmani dhe drejtori i Administratës së kësaj ndërmarrjeje, Besim Haxhiu, janë sulmuar fizikisht nga një grup njerëzish.

Abdurrahmani e kishte akuzuar ish-kryeshefin e Trepçës, Rafet Ibishin, për këtë sulm, duke thënë se kishte për qëllim dëmtimin e pronave të ndërmarrjes.

“Ne jemi sulmuar fizikisht në zyrat tona të punës nga ish kryeshefi, Rafet Ibishi dhe një grup i tij mbi 50-60 persona që kanë hyrë në objekt dhe mbi 100 persona që kanë qenë jashtë objektit”, ka thënë ai në konferencë për shtyp.

Pas këtij incidenti, Ibishi është suspenduar nga një pozitë tjetër që e mbante në këtë ndërmarrje.

Menaxhmenti i Trepçës e ka justifikuar këtë vendim si masë disiplinore pas sulmit fizik ndaj ushtruesit të tanishëm të detyrës së kryeshefit të Trepçës, Enis Abdurrahmanit, si dhe drejtorit të administratës, Besim Haxhiut./

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat