Presidentja Osmani i kundërpërgjigjet PDK-së: Sa për mua le të më dërgojnë çdo javë nga një rast në Kushtetuese

Aktuale

Presidentja Osmani i kundërpërgjigjet PDK-së: Sa për mua le të më dërgojnë çdo javë nga një rast në Kushtetuese

Më: 20 tetor 2021 Në ora: 17:44
Presidentja Vjosa Osmani

Presidentja Vjosa Osmani, i është kundërpërgjigjur zërave që kanë deklaruar se do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

“Mua nuk do të mund të më zmbraps askush me kërcënime për dërgim në Gjykatën Kushtetuese. Sa për mua le të më dërgojnë çdo javë nga një rast. Si presidente e vendit do të mbetem e përkushtuar në zbatim të plotë të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi dhe do të jem e pakompromis në garantimin e integritetit të institucioneve të pavarura në vend”, ka thënë presidentja sot në një konferencë për medie.

Kujtojmë se, Vëzhguesit e Bashkimit Evropian kanë dërguar sot raportin preliminar për zgjedhjet e 17 tetorit, ku ndër të tjerash është përmendur edhe vendimi i presidentes Vjosa Osmani për shkarkimin e ish-kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka.

Në raportin e lëshuar nga vëzhguesit e BE-së, thuhet se vendimi i Osmanit për shkarkimin e Dakës nuk ka qenë i mbështetur në Ligjin për Zgjedhje të Përgjithshme.

Zyrtari i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi ka thënë se kjo parti ka provuar që një kohë të gjatë që të mbledhë nënshkrimet për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Osmanit për shkarkimin e Valdete Dakës.

“Siç e dini edhe ju PDK-ja ka provuar që një kohë të gjatë që të mbledhë nënshkrimet për ta dërguar këtë vendim në Kushtetuese. Kjo e dëshmon edhe një herë atë që ka thënë Partia Demokratike që zonja Osmani për t’i shërbyer Albin Kurtit e ka shkelur Kushtetutën e Kosovës, gjithashtu për qëllime të pushtetit”, ka thënë Gjoshi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat