Mattarella: BE do të jetë e kompletuar vetëm me Ballkanin Perëndimor

Aktuale

Mattarella: BE do të jetë e kompletuar vetëm me Ballkanin Perëndimor

Më: 22 tetor 2021 Në ora: 21:39
Sergio Mattarella

Mungojnë ende pesë vende në Bashkimin Evropian, i cili nuk mund të konsiderohet i plotë për shkak të historisë, kulturës dhe vlerës që ato përfaqësojnë dhe këto janë Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia, i ashtuquajturi Ballkani Perëndimor, deklaroi presidenti italian, Sergio Mattarella, sipas gazetës italiane ”La Stampa”.

”Italia ka një vëmendje të veçantë ndaj tyre sepse stabiliteti i asaj zone na intereson  shumë. Ne kemi një interes thelbësor në zhvillimin e marrëdhënieve përtej Adriatikut. Duhet të luftojmë për të konsoliduar marrëdhëniet miqësore, për të kapërcyer keqkuptimet historike dhe për të hedhur themelet për një bashkim më të gjerë”, shtoi ai.

Kulmi i kësaj strategjie u arrit një vit më parë, kur presidenti italian dhe homologu i tij slloven Borut Pahor bashkuan duart përpara Foiba di Basovizza.

Frytet politike të atij gjesti vëllazëror, i cili donte të ndërtonte një kujtesë të përbashkët historike mbi rrënojat e së kaluarës, u mblodhën dje në Nova Gorica, ku të dy krerët e shteteve kremtuan shpalljen e qytetit slloven si Kryeqytetit Evropian të Kulturës për vitin 2025.

”Procesi i integrimit të kontinentit nuk do të jetë i plotë derisa vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë në gjendje të ndajnë të gjitha perspektivat tona”, shtoi presidenti.

”Italia dhe Sllovenia kanë një përgjegjësi të veçantë. Të mbështesim së bashku aspiratat e fqinjëve tanë dhe të shoqërojmë proceset reformuese që ata po ndjekin”, theksoi ai.

”Nuk ka asnjë justifikim për hezitim nga ana e 27-ve, por as edhe ndërrim kursi nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Nuk duhet të kthehemi kurrë pas”, theksoi presidenti  italian, Sergio Mattarella.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat