Strategjia Kombëtare për Zhvillim 2030, Kurti: Transformimi shoqëror nuk arrihet pa planifikim të kujdesshëm

Aktuale

Strategjia Kombëtare për Zhvillim 2030, Kurti: Transformimi shoqëror nuk arrihet pa planifikim të kujdesshëm

Më: 25 tetor 2021 Në ora: 19:44
Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar sot se Strategjia Kombëtare për Zhvillim 2030 synon përmirësimin e jetës së qytetarëve, rritjen e të ardhurave për punëtorët, ngritjen e mirëqenies dhe mbrojtjen e ambientit për gjeneratat e ardhshme.

Ai në hapje të takimit për Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2030, ka thënë se transformimi shoqëror nuk mund të bëhet pa planifikim të kujdesshëm dhe të mirëfilltë.

“Karakteri i planifikimit tregon për karakterin e qeverisjes: në të kaluarën kemi pasur planifikim të fragmentuar, të pa konsoliduar dhe nganjëherë edhe kontradiktor. Ato që janë deklaruar si prioritete qeverisëse, shpesh nuk janë buxhetuar dhe as financuar. Kjo nuk do të ndodh me qeverisjen tonë”, u shpreh Kurti.

Në këtë takim kryeministri vuri theksin te qëllimet dhe objektivat e qeverisë, të përmbledhura në punë dhe drejtësi. Ai përmendi punën e bërë në këta muaj të qeverisjes që ato të kthehen në plane konkrete dhe të realizueshme.

“Zhvillimi ekonomik duhet të shoqërohet me rritje të standardit jetësor, përmirësim të shërbimeve publike e shëndetësore, përmirësim të mjedisit duke e ruajtur e riparuar natyrën dhe zgjidhje të qëndrueshme për shfrytëzimin e resurseve si energjinë, ujin dhe burime të tjera,” tha Kurti.

Kurti potencoi se Strategjia Kombëtare për Zhvillim 2030 do të jetë dokumenti kryesor orientues afatgjatë për qeverisje, andaj në këtë drejtim nevojitet një menaxhim strategjik, i cili ndihmon administrimin e politikave dhe shërbimeve publike që çojnë drejt realizimit të vizionit qeverisës.

“Zhvillimi ekonomik duhet të shoqërohet me rritje të standardit jetësor, përmirësim të shërbimeve publike e shëndetësore, përmirësim të mjedisit duke e ruajtur e riparuar natyrën dhe zgjidhje të qëndrueshme për shfrytëzimin e resurseve si energjinë, ujin dhe burime të tjera. Vetëm zhvillimi i qëndrueshëm meriton të quhet zhvillim. Vetëm zhvillimi i qëndrueshëm afatgjatë që nuk përjashton as njeri, që është gjithëpërfshirës, që ka demokracinë brenda meriton emërtimin zhvillim. Përndryshe, maskon diskriminime, maskon shtypje dhe shfrytëzim, maskon përjashtime të ndryshme”, ka thënë kryeministri Kurti.

Ndryshe, takimi u organizua nga Zyra për Planifikim Strategjik në Zyrën e Kryeministrit dhe Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, në emër të Qeverisë Gjermane, me qëllim të përcaktimit të planeve për avancimin e projekteve të zhvillimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat