Kryetari i Komisionit parlamentar për Legjislacion, Vigan Qorrolli, ka bërë të ditur se në kuadër të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë është zhvilluar një takim me ambasadorin e Belgjikës në Kosovë, Arnaud Dusaucy.
Përmes një postimi, Qorrolli bëri të ditur se në takim u diskutua për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe integrimin evropian të Kosovës.
Ai e cilësoi Belgjikën si partnere të rëndësishme të Kosovës, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së saj për zhvillimin demokratik dhe perspektivën evropiane të vendit.
Postimi i plotë:
Kosova dhe Belgjika, partneritet për një të ardhme të përbashkët evropiane!
Sot, në kuadër të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, zhvilluam një takim me Ambasadorin e Mbretërisë së Belgjikës në Kosovë, Sh.T. Arnaud Dusaucy, në frymën e forcimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe thellimit të bashkëpunimit ndërinstitucional.
Belgjika është një shtet mik dhe partner i rëndësishëm i Republikës së Kosovës, mbështetja e së cilës për shtetësinë, zhvillimin demokratik dhe perspektivën tonë evropiane përbën një kontribut të çmuar. Integrimi evropian, diplomacia parlamentare, bashkëpunimi ekonomik dhe sundimi i ligjit mbeten fusha me potencial të veçantë për avancimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve.
Kosova mbetet e përkushtuar për t'i thelluar partneritetet e saj evropiane, me Belgjikën si një ndër miqtë e saj të rëndësishëm.