Hoti takon ministrin kroat të Veteranëve, diskutojnë për bashkëpunimin dhe të zhdukurit

Aktuale

Hoti takon ministrin kroat të Veteranëve, diskutojnë për bashkëpunimin dhe të zhdukurit

Nga: Armira Shaqiri Më: 23 nëntor 2026 Në ora: 17:58
Foto nga takimi

Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka takuar zëvendëskryeministrin dhe ministrin kroat të Veteranëve, Tomo Medved, me të cilin ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë.

Përmes një postimi, Hoti bëri të ditur se në takim u diskutua për ruajtjen e vlerave të luftës, mbrojtjen e trashëgimisë historike dhe të drejtat e kategorive të luftës

Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe përvojës kroate në memorializimin e luftës, përfshirë Qendrën Memoriale të Vukovarit, si model që mund të shërbejë për Kosovën.

Hoti përmendi gjithashtu kontributin e shqiptarëve në çlirimin e Kroacisë, duke kujtuar dëshmorët Xhelal Hajdën – Tonin dhe Selajdin Mullabazin – Micin, nga Rahoveci.

Postimi i plotë:

Ishte kënaqësi e veçantë të takoja Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Veteranëve, z. Tomo Medved, me të cilin diskutuam për ruajtjen dhe promovimin e vlerave të luftës, mbrojtjen e trashëgimisë historike, të drejtat e kategorive të luftës dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona mike.

Kontributi i shqiptarëve në luftën për çlirimin e Kroacisë është një pjesë e rëndësishme e historisë së përbashkët dhe një lidhje e fortë miqësie ndërmjet dy popujve tanë.

Vëmendje të veçantë i kushtuam modelit kroat të memorializimit, përfshirë Qendrën Memoriale të Vukovarit, si një përvojë e vlefshme për Kosovën në dokumentimin, ruajtjen dhe promovimin e historisë së luftës sonë çlirimtare.

Me krenari kujtuam edhe heronjtë tanë, Xhelal Hajdën - Tonin dhe Selajdin Mullabazin - Micin, nga vendlindja ime, Rahoveci, të cilët kontribuuan në luftën për lirinë e Kroacisë dhe më pas ranë dëshmorë për lirinë e Kosovës. z. Medved e falënderova veçanërisht për respektin dhe nderimin që shteti kroat vazhdon të tregojë ndaj tyre dhe familjeve të tyre.

Diskutuam gjithashtu për çështjen e personave të zhdukur dhe u dakorduam për konkretizimin e bashkëpunimit në këtë fushë përmes një marrëveshjeje ndërmjet ministrive përkatëse të dy shteteve.

Shkëmbyem pikëpamje edhe për çështje të tjera me interes të përbashkët strategjik.

E falënderova Ministrin Medved për mikpritjen dhe mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë ndaj Kosovës, si dhe e ftova për vizitë zyrtare në vendin tonë.

🇽🇰🤝🇭🇷 See less

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat