SKV me aksion simbolik përmend shkeljet që po bëhen në Fakultetin Ekonomik

Aktuale

SKV me aksion simbolik përmend shkeljet që po bëhen në Fakultetin Ekonomik

Më: 26 tetor 2021 Në ora: 12:03
SKV

Lëvizja Studentore për Barazi Studim Kritikë Veprim (SKV) ka vendosur kornizapara hyrjes së Fakultetit Ekonomik, me shkeljet që pretendojnë ata se po bëhen në këtë fakultet. Studentë të këtij drejtimi të martën kanë thënë se ka parregullsi të shumta, ku kanë kërkuar reagimin e Këshillit të Etikës dhe Rektoratit të Universitetit të Prishtinës. Në të kundërtën kanë paralajmëruar edhe radikalizëm të aksioneve.

SKV ka mbajtur një aksion simbolik para Fakultetit Ekonomik lidhur me parregullsitë e shumta siç thonë ata në këtë fakultet.

Studenti Edi Zenelaj ka treguar se në maj të këtij viti, UP ka shpallur konkursin për emërimin, riemërimin dhe avancimin e stafit ekonomik. Por, sipas tij, ka pasur shkelje të statusit dhe rregulloreve.

Zenelaj: Konkursi është përcjellë me shkelje të statusit dhe rregulloreve të UP-së

“Fatkeqësisht, sikurse viteve të kaluara edhe këtë vit, konkursi është përcjellur me shkelje të statusit dhe rregulloreve të UP-së. Tejkalimi i kompetencave e mosrespektimi i rregulloreve është shumë i shprehur edhe në Fakultetin Ekonomik ku gjendja është edhe më e rëndë e më e keqe se kaq. Këtu stafi akademik ka shkuar edhe më larg. Vetë dekani, profesor Fatos Ukaj, në fjalimin e tij me datë 14 tetor në senat ka konfirmuar se është sulmuar fizikisht, kurse ka pasur edhe fyerje, kërcënime, sabotazhe e shantazhe kundrejt anëtarëve të Këshillit të Fakultetit”, ka thënë ai.

Kjo organizatë studentore ka kërkuar reagimin e Rektoratit të UP-së për profesorët të cilët kanë vendime gjyqësore me dënime me burg, padi në gjyqe për vepra penale dhe të cilët janë të akuzuar për plagjiaturë ose që kanë bërë veprime që e forcojnë nepotizmin në fakultet me punësimin e familjarëve.

Edi Zenalaj ka theksuar se Fakulteti Ekonomik “është në rrezik” edhe nga parregullsitë e konkursit të fundit. Ai ka përmendur me emra të përveçëm profesorët, ku pretendohet, se kanë bërë shkelje.

Zenelaj: Tringë Krasniqi është vajza e Fejzullah Krasniqit

“Për të bllokuar avancimin e kandidates Albana Berisha Qehaja, në pozitën 19-të, Besnik Krasniqi dhe Gentrit Berisha dalin me një raport prej një faqe ku kërkojnë anulimin e konkursit. Më pas këta profesorë thonë se nuk ka fond të mjaftueshëm të orëve për lëndët në konkurs. Kurse për të bllokuar avancimin e kandidatit Flokart Aliu, me notë mesatare 9,92, në pozitën e 27-të, Besnik Krasniqi i kryetar i komisionit vlerësues, bashkë me Gentrit Berishën dhe Nagip Skenderin, si anëtar të komisionit, e dëmtojnë atë me -16 apo -17 pikë dhe favorizojnë kandidaten Tringë Krasniqi me +12 apo +14 pikë. Sipas hulumtimeve, Tringë Krasniqi del të jetë vajza e Fejzulla Krasniqit, i cili është sekretar në Akademinë e Shkencave, pra koleg i Besnik Krasniqit”, ka deklaruar ai.

SKV i ka bërë thirrje Këshillit të Etikës që të marrë masa ndëshkuese ndaj atyre që shkelin rregulloret në mënyrë kaq flagrante.

Zenelaj: Nëse gjërat nuk ndryshojnë atëherë aksioni i ardhshëm nga ne nuk do të jetë i kësaj natyre

“Shkeljet e rënda, skandaloze, janë evidente dhe mund të kuptohen lehtë e qartë në kornizat të cilat i kemi vendosur para hyrjes së Fakultetit. Komisioni i ankesave i ka vlerësuar si të bazuara ankesat e kandidatëve Albana Berisha Qehaja dhe Flokart Aliut, kurse ndonëse ka kaluar afati 30 ditor, Këshilli i Etikës nuk ka marrë asnjë vendim dhe kjo padyshim se përbën një skandal tjetër të madh. Ky aksion i yni është vetëm një paralajmërim për ata që cenojnë cilësinë e arsimit në UP. Nëse gjërat nuk ndryshojnë atëherë aksioni i ardhshëm nga ne nuk do të jetë i kësaj natyre”, ka përfunduar ai para mediave.

Edi Zenelaj, i cili është anëtar i SKV-së ka shtuar se nuk do të lejojnë kapjen e fakulteteve nga përfaqësueses të LDK-së apo partive të tjera, në bashkëpunim me disa organizata studentore që i shërbejnë atyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat