Policia e Kosovës në kërkim të vëllezërve Avdyli, të akuzuar për vrasjen në Norvegji

Aktuale

Policia e Kosovës në kërkim të vëllezërve Avdyli, të akuzuar për vrasjen në Norvegji

Më: 28 tetor 2021 Në ora: 14:45
Valon dhe Visar Avdyli

Dy vëllezërit Valon dhe Visar Avdyli janë duke u kërkuar tash e disa ditë nga autoritetet norvegjeze, ndërsa ata po akuzohen për vrasjen e Hamse Hashi Adan, 20-vjeç në Mortensrud, vrasje kjo që ndodhi dy javë më parë.

Valon dhe Visar Avdyli janë duke u kërkuar edhe nga Policia e Kosovës, të cilët janë duke bashkëpunuar me policinë norvegjeze për arrestimin e tyre.

Kështu kanë konfirmuar, zyra për media e Policisë së Kosovës.

“Me datë 15.10.2021, Policia e Kosovës lidhur me çështjen në fjale ka pranuar informacionin nga autoritetet Norvegjeze dhe nga ajo kohe është në komunikim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me Policinë Norvegjeze. Po ashtu lidhje me urdhër arrestet ndërkombëtare të lëshuara nga autoritetet Norvegjeze, janë njoftuar autoritetet kompetente”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Gjatë 7 tetorit, Hamse Hashi Adan u qëllua derisa po qëndronte me disa persona tjerë para shkollës Lofsrud në Mortensrud. Të nesërmen ai ndërroi jetë nga plagët e marra.

Pas dy javëve hetime intensive, policia arriti të arrestojë një person rreth të 40-ve nga Oslo. Ai tani është në paraburgim. E policët janë në kërkim edhe të dy personave tjerë të cilët akuzohen për këtë vrasje. Ata kërkohen nga policia norvegjeze. Mediat norvegjeze raportojnë se policia beson se dy vëllezërit Valon dhe Visar Avdyli janë të përfshirë në këtë rast.

Policia ka konfirmuar emrat e të dyshuarve gjatë një konference për media. Gjithashtu publikuan fotografitë e tyre të marra nga kamerat e sigurisë në aeroportin e Oslos gjatë 9 tetorit, dy ditë pas të shtënave, nga ku besohet se udhëtuan për në Prishtinë.

Ndryshe, në vitin 2016, Valon Avdyli, 35-vjeç, ishte dënuar për pjesëmarrje në organizatën terroriste ISIS. Ai ishte dënuar me katër vite e gjashtë muaj burgim.

Ndërkaq vëllai i tij i vogël Visar Avdyli, 31-vjeç, ishte dënuar me tetë muaj burgim për të njëjtin rast.

Ata janë vëllezërit e Egzon Avdylit, i cili u vra në Siri gjatë vitit 2014 si pjesë e ISIS-it. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat