Gërvalla tregon se do të udhëtojë për në ShBA, flet për liberalizimin e vizave dhe njohjet/Përmend Asociacionin e Ballkanin e Hapur

Aktuale

Gërvalla tregon se do të udhëtojë për në ShBA, flet për liberalizimin e vizave dhe njohjet/Përmend Asociacionin e Ballkanin e Hapur

Më: 2 nëntor 2021 Në ora: 07:07
Komisioni për Integrime Evropiane

(E plotësuar 12:11) - Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla gjatë raportimit në Komisionin për Integrim Evropian ka paralajmëruar se marrëveshja për Asociacionin nuk do të zbatohet.

Sipas saj, Asociacioni dhe Ballkani i Hapur janë dy tema të dëmshme për vendin.

Vendimet në të kaluarën janë marrë me një lehtësi të jashtëzakonshme. ‘Open Ballkan’ e Asociacioni janë dy tema që i kemi analizuar dhe janë të dëmshme. Po themi janë të dëmshme dhe të punojnë që t’ua shpjegojmë atyre që ia duan të mirën se janë të dëmshme”.

“Asociacioni e krijon një Bosnje të dytë në Kosovë. Nuk duam të paralizohemi si Bosnja. Nuk e kemi luksin t’i zbatojmë marrëveshjet që janë të dëmshme”, ka thënë ajo para deputetëve.

Gërvalla, ka thënë se Kosova duhet t’i bindë me forcim të sistemit ligjore disa shtete që qytetarëve të vendit t’u liberalizohen vizat.

Ajo e ka quajtur të padrejtë, por edhe të pashpjegueshme vonimin që po u bëhet liberalizimit të vizave.

Nëse konstatohet se qeveritë pararendëse i kanë plotësuar pse vonohet.

Ka ende vende skeptike, mbetet që të identifikojmë faktorët. Ka shtete që na thonë se duhet forcuar sistemin ligjor, duhet t’i bindim ato me rezultate konkrete”.

Tjetër se disa refuzime janë për shkak të zhvillimeve të brendshme në disa shtete. Në dy prej shteteve ka ndodhur një ndërrim i vogël. Nuk do të përmendi data, por jemi të vetëdijshëm për pengesat reale”, ka thënë ajo.

“Nuk kalon asnjë ditë pa u bërë një hap apo një punë e vogël në drejtim të liberalizimit të vizave”.

Gërvalla tha se ambasadori i BE-së, Tomas Szunyog po gabon kur po flitet për procesin e vettingut.

“I gjykon gabimisht proceset dhe gabon, por megjithatë nuk e mohoj që është  detyra e imja që me ambasadorin e BE të hyjmë në dialog dhe ta bisedojmë”.

Është i domosdoshëm procesi i vettingut dhe pjesë e detyrimit është që të bindim partnerët që kemi nevojë për ndihmë të madhe por nuk them që nuk kemi detaje, por në përgjithësi procesi i vettingut është i domosdoshëm, dhe duhet të shohim se sa kohë na nevojitet”.

***

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz ka folur në Komisionin për Integrime Evropiane është pyetur rreth anëtarësimit në organizata ndërkombëtare dhe për çështjen e gazpërçuesit amerikan.

Gërvalla nuk është përgjigjur saktësisht në asnjëren prej pyetjeve.

E pyetur nëse Kosova do të aplikojë në UNESCO, Gërvalla ka thënë se duhet organizim i mirëfilltë kur bëhet fjalë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe duhet të mendohet edhe për organizata që nuk e kanë interes primar subjektivitetin ndërkombëtar, por edhe ato që e rregullojnë mirëqenien e qytetarëve.

Më tepër sesa për piketime veç e veç të organizatave, Kosova ka nevojë për organizim të mirëfilltë, cilat janë organizatat ndërkombëtare që janë të domosdoshme për qytetarët, shembull, po marr vetëm OBSH-në, kemi subjektivitetin ndërkombëtar, por kemi edhe interesat jetike të qytetarëve që p.sh në rastin e OBSH-së kontribuon për sistem të shëndetësisë më të mirë për qytetarët, ne shohim interesin e subjektivitetit ndërkombëtar, por kemi edhe organizata që duken të parëndësishme politikisht, por kanë impakt në jetën e qytetarëve. Unë mendoj se vetëm një strategji afatgjatë, neve na ruan nga gabimet që mund t’i bëjmë gjatë procesit dhe unë ju them se anëtarësimi në organizata ndërkombëtare bëhet në disa etapa.  Ne nuk aplikojmë në asnjë organizatë pa qenë të sigurtë se do të kemi sukses. Unë si ministre në kabinetin tim kemi hartuar dhe përpiluar një strategji afatgjatë se cilat janë etapat e ndryshme në të cilat kalon anëtarësimi i Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare, ne kemi organizata ku nuk jemi pjesë, por edhe në disa që jemi pjesë por jo si anëtar i barabartë. Nuk mund t’iu them sot a po aplikojmë ose jo për UNESCO sepse duhet t’i shikojmë të gjitha elementet. Ne tentojmë të tregojmë që jemi partner serioz për bashkësinë ndërkombëtare.”, ka thënë Gërvalla.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra e ka pyetur ministren Gërvalla edhe rreth çështjes së gazifikimit të Kosovës nëpërmjet interkonektorit Greqi – Maqedoni e Veriut, projekt ky për të cilin Korporata MCC kishte ndarë fonde 200 milionëshe, ndërsa u refuzua si projekt nga qeveria e Kosovës.

Lidhur me këtë, Gërvalla ka thënë se strategjia për energjinë e së ardhmës është e rëndësishme, por sipas saj, asnjë vend në botë nuk e ka përfunduar debatin lidhur me çështjen e energjisë, duke mos dhënë përgjigje të saktë lidhur me projektin në fjalë.

Çështja e strategjisë se si do të jetë energjia e së ardhmes është e rëndësishme për Kosovën, jo vetëm për ekonominë por edhe për shëndetin, por është temë komplekse jo vetëm për Kosovën, por që nuk i ka dhënë përgjigje asnjë shtet në botë. Ka tentativa, unë kam jetuar në Gjermani dhe e kam parë sa i rëndësishëm është debati dhe është një debat të cilin Kosova e ka filluar, por është larg përfundimit të këtij debati dhe pa një analizë të mirëfilltë nuk jam në gjendje t’iu them sot se cila do të jetë rruga e Kosovës drejt një energjie më të pastër dhe më stabile. Ne mund t’i kemi idetë më të mira, por kur ulemi dhe bëjmë llogaritë sa do t’i kushtojë qytetarit në fund e shohim se nuk jemi të përgatitur sepse qytetari nuk mund ta paguaj atë. Prandaj, në këtë rrugë që jemi nisur të gjithë së bashku, ne si Kosovë, rajoni, Europa dhe gjithë kontinenti, Kosova ka shumë për të bërë.”, tha Gërvalla.

Më tutje, ajo ka folur edhe rreth mundësisë për njohjen e Kosovës nga Greqia dhe ndërlidhjen e këtij procesi me gazifikimin e Kosovës nëpërmjet interkonektorit në Greqi, ajo ka thënë se me Greqinë nuk është diskutuar kjo çështje.

Por, Gërvalla tutje ka thënë se fondet e ndara për këtë projekt do të adaptohen, ndërsa në të ardhmën projekti për gazifikim mund të refuzohet ose të mos refuzohet, por sipas saj duhet të ketë përgjegjësi lidhur me metodat e energjisë. Ajo tha se edhe në këtë rast një përgjigje tani do të ishte “e papërgjegjshme”.

Unë kam zhvilluar shumë biseda me shumë përfaqësues të shtetit grek, jo vetëm me përfaqësuesin e tyre në Koosvë por me shumë përfaqësues të tyre, gazi nuk ka qenë kusht, por as temë e diskutimit. Ne kemi diskutuar me Greqinë për shumë tema, gazi që kalon nëpër Greqi mund të jetë mundësia jonë për energji të pastër, këtë përgjigje smund t’u japë askush tani. Unë e di që kjo pyetje lidhet edhe me një vendim që kemi marrë si qeveri në fund të shtatorit, që vendimi i 30 shtatorit që 200 milionë të MCC-së të mos jenë për projektin e gazit, por të jenë për një projekt tjetër të qeverisë, por pa e refuzuar. Ndoshta në të ardhmen mund ta refuzojmë ose të mos e refuzojmë.  Vendimet nuk merren apriori, duhet te jetë i përgjegjshëm,e konomik dhe t’i shërbejë qytetarit. Po të më pyesni mua sot si individ, për shkak se unë nuk jam ministre e ekonomisë, si individ, unë mendoj si teknologji tranizore, si burim tranzitor drejt zgjidhjes së energjisë së tipërtëritshme, të gjithë jemi të ndërgjegjshëm dhe nuk jemi naiv dhe e dijmë se energjinë e tipërtëritshme mund ta krijojmë për 5 vite. Për këtë sa kam arritur të lexoj dhe studioj mendoj se gazi mund të jetë ndër alternativat shumë të mira sepse është burim më i pastër. Ne kemi burime të thëngjillit për 400 vitet e ardhshme dhe është papërgjegjësi e jona që ta lëmë këtë rezervë dhe ta harrojmë. Shëndeti i qytetarëve është shumë i rëndësishëm, por këto gjëra ndodhën në një fazë ku nuk ka përgjigje përfundimtare. Në këtë rast përgjigja do të ishte e papërgjegjshme. Duhet kohë dhe analizë e institucioneve cilat janë mundësitë që kemi.”, tha Gërvalla.

Deputetja e PDK-së, Deliu-Kodra ka thënë se është interes strategjik i Kosovës projekti i gazifikimit duke shtuar se lidhet me raportet Kosovë – SHBA.

Gërvalla tha se nuk është dilemë çështja e orientimit strategjik të Kosovës dhe se ndikimi rus e kinez në Kosovë është pothuajse i pavërejtshëm.

Në asnjë minutë, në asnjë sekond, në trajtimin e kësaj çështje nuk ka qenë temë as ndikimi rus e as ndikimi kinez sepse është inekzistent në Kosovë, po të shikoni statistikat e investimeve ruse dhe kineze në rajon, Kosova është një ishull për shkak të përcaktimit strategjik. Unë e kuptoj që në aspektin politik ndikimi rus dhe kinez po bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm për Kosovën, por nuk ka ndikim rus dhe kinez në jetën ekonomike dhe qëllimet e kësaj qeverie.”, tha ndër të tjerë Gërvalla.

Gjatë raportimit në Komisionin për Integrime Evropiane, Gërvalla tha se janë duke punuar paralelisht për njohjet e reja, veçmas të 5 vendeve mosnjohëse të BE-së. Ajo tha se anëtarësimi në organizata ndërkombëtarë do të bëhet në disa etapa dhe se pa i siguruar gjitha votat nuk do të aplikojnë në asnjërën prej tyre.

Para deputetëve, Gërvalla nuk dha data për liberalizim të vizave, por tha se janë duke punuar me vendet skeptike.

Në vija të trasha mund të themi së është punuar me muaj të tërë hartimi i një strategjie për t’i qasur në një formë të duhur, jo vetëm 5 vendeve të BE-së që se kanë njohur Kosovën, por edhe vende të tjera mosnjohëse. Konsiderojmë se statusi i Kosovës është dobësuar me kalimin e viteve dhe ka një stangim për njohje të reja. Duhet paralelisht të punojmë për njohje të 5 vendeve mos njohëse të BE-së, dhe ndërtimin dhe forcimin marrëdhënieve bilaterale me vende të tjera”, tha ajo.

Sipas saj, ka një ndërrim të lehtë të qasjes së dy vendeve skeptike për liberalizim të vizave. Megjithëse ajo tha se janë plotësuar kriteret, disa vende kanë skeptizicëm për sundim të ligjit në Kosovë, ku duhet të punojnë më shumë në këtë aspekt.

Regjimi i vizave është i padrejtë dhe pashpjegueshëm. Është çështje e kredibilitetit të BE-së, kriteret janë plotësuar për liberalizim të vizave, por kemi shtete anëtare të BE-së që po e bllokojnë këtë proces. Mbetet për ne të identifikojmë të gjithë rrugët që ndryshojnë këtë qasje për vendet skeptike. Një pjesë e tyre po thirren në shtetin ligjor dhe ne duhet të punojmë në këtë aspekt. Ka një ndërrim të vogël të dy vendeve skeptike, por ne duhet të punojmë”, shtoi ministrja Gërvalla.

Lidhur me anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, Gërvalla tha se do të bëhet në disa etapa dhe me një strategji të mirëfilltë.

Kosova ka nevojë për strategji të mirëfilltë se cilat janë organizatat ndërkombëtare për anëtarësim. Ku kemi interesa për fuqizim të subjektivitetit ndërkombëtar, por edhe ndihmë qytetarëve”, theksoi ajo. 

***

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla ka raportuar në Komisionin për Integrime Evropiane.

Gërvallës iu kërkua të raportojë për marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe zbatimit të masave.

Për këtë ministrja Gërvalla tha se nuk dëshiron të ndërhyn në punën e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimit, sa i përket proceseve të integrimit evropian.

“Ne kemi marr raportin e Komisionit Evropian të riun, prandaj duke pas parasysh rrethanat e reja në vend, MPJD në çështjet që kanë të bëjnë me integrimet evropiane është pjesë e proceseve për aq sa kryeministria është përgjegjëse për këto procese”.

Ajo tha se për këtë çështje do të raportojë nuk herë tjetër, pasi e ka keqkuptuar takimin e sotëm.

E krejt kjo ngase Gërvalla tha se nuk ka kohë të mjaftueshme pasi që tha se do të udhëtojë për në SHBA.

“Unë këtë takim të sotëm e kam keqkuptuar, ka nevojë që të bisedojmë edhe një herë në detaje për shifra dhe procesin por me një datë që ju e konsideroni të duhur”, tha Gërvalla.

Gërvalla tutje tha se statusi i Kosovës është dobësuar, pasi që nuk ka pasur njohje të reja përveç asaj nga Izraeli.

“Është punuar me muaj të tërë në hartimin e një strategjia me qëllim që të iu qasemi në një forme jo vetëm pesë shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën por edhe shteteve të tjera që është e rëndësishme që të kemi marrëdhënie të mira bilaterale”.

“Statusi i Kosovës është dobësuar me kalimin e viteve dhe ka ardhur koha që kemi një stagnim që përveç njohjes nga Izraeli nuk kemi njohje të reja”.

Ajo tha se çdo ditë po punohet për liberalizimin e vizave.

“Nuk kalon asnjë ditë pa u bërë një hap apo një punë e vogël në drejtim të liberalizimit të vizave”.

Kryetarja e Komisionit, Rrezarta Krasniqi nuk është pajtuar me atë se çka tha Gërvalla.

“Kur të vjen Besniku, thotë pyesni Donikën, kur vjen t’i thua pyesni Bislimin”.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra tha se roli i ministres Gërvalla është i pakontestuar, derisa ka pritur që ajo të jetë e përgatitur për atë se çfarë është thirrur.

“Ne kemi konsideratë për vizitën që e keni në ShBA, por kapitulli i MSA-së prej Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe është obligim ligjor që ju të raportoni, por është në interes të opinionit se çfarë po bën MPJ në implimentimin e marrëveshjes së Stabilizim Asociimit”.

Deputetja e VV-së, Arbëresha Kryeziu tha se është në interes të tyre të dinë për zbatueshmërinë e masave të MSA-së.

“Ne ftojmë ministrat dhe interesi jonë se ku ka arrit marrëveshja, për neve do të ishte ne interes të dimë se çfarë qasje ka ministria tani që kjo zbatueshmëri e masave të rritet”.

Gërvalla raporton në Komisionin për Integrime Evropiane

Komisioni për Integrime Evropiane sot mban mbledhje.

RENDI I DITËS

1. Miratimi i rendit të ditës;

2. Raportim i znj. Donika Gërvalla – Zëvendëskryeministre, Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës;

3. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-007 për masat për uljen e kostos së shtrirjes së rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë, me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së;

4. Të ndryshme.

Vendi: N302 Koha: 11:00

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat