Prizreni, qyteti i parë me impiant për trajtimin e ujërave të ndotura në Kosovë

Aktuale

Prizreni, qyteti i parë me impiant për trajtimin e ujërave të ndotura në Kosovë

Më: 3 nëntor 2021 Në ora: 21:32
Foto nga vendi i ngjarjes

Ka filluar sot operimin e fazës së parë, për 50 mijë banorë të Prizrenit, impianti për trajtimin e ujërave të ndotura urbane, i pari i këtij lloji në Kosovë, mbështetur nga shteti gjerman, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Komuna e Prizrenit.

Në inaugurimin e këtij projekti, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, theksoi rëndësinë e këtij impianti, veçanërisht për shkak të sfidave në rritje e sipër, që lidhen me mungesën e ujit në Kosovë.

 “Ripërdorimi i ujërave të ndotura pasi të jenë trajtuar është thelbësor për ta reduktuar ndotjen, për ta rritur cilësinë, për ta përmirësuar efikasitetin e shfrytëzimit të ujit dhe për t`i zvogëluar humbjet”, tha ai.

Kurti po ashtu bëri të ditur se në linjë me Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe me fondet që Kosova do të përfitojë nga Bashkimi Evropian, do të investojnë në trajtimin e ujërave të zeza për ripërdorim në bujqësi, si dhe në grumbullin e trajtimin e ujërave të zeza urbane. U zotua që në bashkërendim me ministritë e linjave për resurse ujore dhe shërbime ujore, do të investohet në krijimin e një brezi të ri të profesionistëve në këtë sektor vital për vendin tonë.

Këtë projekt e ka komentuar edhe kryetari i këtij qyteti, Mytaher Haskuka.

Përmes një statusi në Facebook, ai tha se impianti dhe parku inovativ janë hapa të rëndësishëm në përparimin e përgjithshëm të komunës së Prizrenit. Me një vend mik dhe partner të qëndrueshëm si Gjermania, jo vetëm Prizreni, por Kosova në përgjithësi, do të bëhet më e gjelbër dhe më e qëndrueshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat