VOA: Kosovë, fillon fushata për raundin e dytë të zgjedhjeve për pushtetin lokal

Aktuale

VOA: Kosovë, fillon fushata për raundin e dytë të zgjedhjeve për pushtetin lokal

Më: 8 nëntor 2021 Në ora: 19:53
Foto ilustrim

Të hënën në Kosovë filloi fushata pesëditëshe për raundin e dytë të zgjedhjeve në në të cilat do të votohet për kryetarët e 21 komunave.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se janë duke u bërë përgatitjet për raundin e dytë të zgjedhjeve në të cilat të drejtë vote kanë mbi 1 milion e 270 mijë votues.
 

“Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të komunave mbahet në 21 komuna dhe nëse flasim për aspektin teknik të një procesi zgjedhor atëherë i bie që ky raund do të organizohet në 66 për qind të vendvotimeve, pra në 1, 638 nga 2 mijë e 477 sa ka qenë në raundin e parë. Numri i qytetarëve me të drejtë vote në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave është rreth 1 milionë e 270 mijë ndërkaq në raundin e parë kanë qenë diku rreth 1 milionë e 900 mijë votues”, tha Valmir Elezi, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Në raundin e parë të zgjedhjeve për pushtetin lokal, 17 komuna kanë zgjedhur kryetarët e tyre, nëntë nga të cilat nga Lista Serbe.

Eugen Cakolli nga organizata për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” thotë se zgjedhjet lokale të këtij viti janë ndryshme nga zgjedhjet paraprake.

“Ajo që kemi parë është që krahasuar me proceset e kaluara zgjedhore është shënuar një avancim i konsiderueshëm në atë se çfarë kanë ofruar dhe çfarë kanë kërkuar qytetarët nga ana e subjekteve politike të cilat ofertat programore tashmë në masë shumë të madhe janë duke i bazuar në kërkesa të qytetarëve dhe jo vetëm në shabllone siç ka qenë praktikë deri para disa palë zgjedhjeve”, tha ai.

Konkurrenca më e ashpër zhvillohet në disa nga qytetet e mëdha të vendit në Prishtinë, Prizren, Gjakovë e Gjilan. Vëzhguesit thonë se gjuha politike po bëhet më e ashpër sesa në raundin e parë të zgjedhjeve për shkak të rëndësisë që kanë komunat kryesore të vendit.

Zoti Cakolli thotë se partitë politike janë përfshirë në një fushatë të ashpër për të fituar sa më shumë komuna të vendit.

“Edhe për atë se si do të ripërcaktohen politikisht disa nga komunat duke ditur që tashmë kemi kaluar diku rreth gjashtë muaj nga procesi zgjedhor i zgjedhjeve parlamentare dhe që tashmë pritshmëritë kanë qenë dukshëm më të mëdha nga të gjitha subjektet politike”, tha ai.

Edhe ky raund i votimeve pritet të ndiqet nga një numër i madh i vëzhguesve vendas e ndërkombëtarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat