Një grusht forcash serbe mund të shkërmoqeshin shumë lehtë, por dikush...

Aktuale

Një grusht forcash serbe mund të shkërmoqeshin shumë lehtë, por dikush...

Idriz Morina Nga Idriz Morina Më 9 nëntor 2021 Në ora: 13:32
Pamje nga operacioni i policisë në veri!

Bazuar në aktakuzën e gjykatës speciale për rreth 100 vrasje shumë shpejt mund të vije dita për disa arrestime të reja në Kosovë.

Në fakt gjykata speciale është konsideruar nga shumë, dhe nga unë vetë, si çelësi i demokratizimit të Kosovës, shansi kyç për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Qeveria Kurti duhet ta kuptojë këtë mesazh më drejtë dhe të përparojë më shpejt në luftimin e krimit të organizuar nëse mund të themi të kryerjes së arrestimeve në nivelin 2 dhe 3, veçanërisht.

Mbajtja në burg e figurave kyçe të krimit të organizuar, këtyre që janë në Hagë dhe të tjerëve që do t’iu bashkohen, përbëjnë rrezikun e parë apo kyç të krimit të organizuar, korrupsionit dhe inkriminimit të institucioneve.

Duke qenë të lirë nga kjo kupolë institucionet qeverisëse duhet të shtyjnë fuqishëm të lëvizin hetuesia, prokuroria dhe gjykatat që të ndëshkojnë nivelin 2 dhe 3, të krimit të organizuar, i cili po vazhdon të jetë shumë i fuqishëm, jo vetëm në çështje të krimit, por me rol shumë aktiv ende në politikë, në administratë, në biznese madje edhe me shumë ndikim në drejtësi në trekëndëshin gjykatë-prokurori-hetuesi (polici), dhe kështu ta rëndojë demokracinë dhe vetë jetën në Kosovë.

Po ashtu spastrimi i këtyre dy nivele do t’i hapte rrugë zhvillimit më të shpejtë të Kosovës, në të gjitha aspektet.

Nëse kushti i parë është plotësuar (sipas Qeverisë) mosvjedhja e buxhetit, ende jemi shumë larg nga ulja e humbjeve të tregut të zi, naftës, cigareve, alkoolit, drogës dhe bizneseve të tjera që kanë të hyra të mëdha dhe që e dëmtojnë më së shumti buxhetin e shtetit nga evazioni fiskal, ndërsa me paratë e drogës, synojnë një shtet paralel sikurse po ndodhë në Shqipëri.

Aksionet e kryera në veri kundër kontrabandës dhe në zonat tjera të Kosovës, si dhe disa arrestime më të hershme, nuk kanë shtrirje as në nivelin e tretë të krimit. Niveli i dytë i krimit tek ne mund të përbëhet nga figura të dyshuara si ajo e ‘Currit”, si ajo e Rrahim Hashimit të dënuar e të tjerë, të cilët janë ndërmjetësit kryesorë me kupolën e krimit, dhe nivelet e mëposhtme, apo nivelin 3.

Në veri duhet të arrestohen kokat e krimit, figura të njohura si Radojçiq e Veselinoviq, të cilët bashkëpunonin hapur me drejtuesit e shtetit të Kosovës, Hashim Thaçin, Ramush Haradinajn etj.

Sikurse tregoi edhe ndërhyrja e Qeverisë në veri për vendosjen e masave të reciprocitetit, ku u ballafaqua me turma të organizuara, por me prirje kriminale veçmas të udhëheqësve të tyre, është e domosdoshme zhvillimi i hetimeve të pavarura, jo nga policia lokale atje,

Një sfidë më vete është kontrolli i Mbrojtjes Civile Serbe (MCS), e cila edhe pse u krijua si organizim në përpjekje të shuarjes së strukturave shtetërore të Serbisë në veri, në fakt krijoi një pengesë të re, edhe pse formalisht pjesë e Kosovës, ky organizim nuk menaxhohet drejtpërdrejt nga Kosova.

Edhe vetë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla e ka pranuar se popullata në veri manipulohet nga qarqet e strukturave paralele.

“Ne kemi dëshmi të presioneve të ndryshme nga strukturat paralele kriminale dhe institucioneve nga Serbia që po u bënë presion qytetarëve serbë që të bashkohen në protesta, por këto iniciativa janë duke iu dështuar. Pas vendimit vendimit legjitim të Qeverisë së Kosovës, ata janë duke përhapur dezinformata në lidhje me sigurinë, me qëllim të destabilizimin e situatës”, deklaronte ai në fund të shtatorit të kaluar.

Paralel me vështirësitë e Qeverisë për ta paqtuar veriun, është presioni ndërkombëtar, se nismat e atjeshme për vënie të kontrollit nëpërmjet rendit dhe ligjit mund ta destabilizojnë veriun, janë pengesë më vete.

Në një mënyrë, kjo gjendje është konservuar atje, pikërisht për shkak të kësaj tautologjie të ndërkombëtarëve, përndryshe ka ekzistuar forca e mjaftueshme për shpërbërjen e atyre forcave, meqë Serbia, sidomos në vitet e para të pas luftës e kishte të ndaluar të afrohej në 5 km vijë tokësore, forcat e saj, dhe 25 km forcat ajrore, nga kufiri i Kosovës.

Një grusht forcash serbe mund të shkërmoqeshin shumë lehtë, por dikush kishte interes ta ruante dhe rriste fuqinë e tyre. Sot, Serbia është ajo që kërcënon me ndërhyrje nëse veprojnë institucionet e vendit.

Madje së fundi kërcënoi, edhe nëse Qeveria provon ta vë nën kontroll e nënstacionit elektrik të Vallaqes, që ndodhet jo shumë larg Mitrovicës, përkatësisht në komunën e Zveçanit.

Për të përmbyllur gjendjen trazuese që e shkaktojnë udhëheqësit e jo më shumë se 35 mijë serbëve, përveç se marrëveshje ndërkombëtare, nevojitet edhe veprimi i forcës së shtetit ligjor. Duke kapur nga niveli i poshtëm kriminelët, duke i çuar hetimet dhe provat drejt kupolës. Apo siç thuhet në pedagogji, mësimi i problemit nga situatat e thjeshta kah të ndërlikuarat!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat