MSh shpalos planet rreth dhënies së dozës së tretë të vaksinës

Aktuale

MSh shpalos planet rreth dhënies së dozës së tretë të vaksinës

Më: 10 nëntor 2021 Në ora: 16:50
Foto ilustrim

COVID-19 po vazhdon të jetë akoma prezent si në Kosovë, ashtu si edhe në mbarë botën.

Teksa shtetet e rajonit kanë filluar administrimin e dozës së tretë të vaksinës anti-COVID, Kosova ende nuk ka ndërrmarë një hap të tillë.

Në Kosovë, sipas njohësve, miratimi për dozën plotësuese për luftimin e pandemisë po shihet si i nevojshëm.

Media ka kontaktuar Ministrinë e Shëndetësisë lidhur me këtë çështje.

Të njëjtit kanë thënë se së shpejti pritet rekomandimi për dhënien e dozës përforcuese dhe dozës së tretë kundër COVID-19.

“Komiteti për imunizim kundër COVID-19 e ka trajtuar çështjen e dhënies së dozës përforcuese dhe dozës së tretë kundër COVID-19 dhe pritet shpejt që të bëhet rekomandimi edhe për dhënien e këtyre dozave”, ka bërë të ditur MSH-ja.

Tutje, MSH-ja ka theksuar edhe dallimet që kanë mes vete doza përforcuese nga doza e tretë.

“Një dozë përforcuese e COVID-19 është një dozë e re që i jepet një personi plotësisht të vaksinuar për të ndihmuar në përmirësimin e mbrojtjes që ka rënë me kalimin e kohës. Disa grupe që janë treguar se e humbasin mbrojtjen më shpejt se të tjerët tani kanë të drejtë për një përforcues. Ndërsa, një dozë shtesë (e tretë) kundër COVID-19 është një dozë tjetër vaksine që i jepet dikujt që nuk mori mbrojtje të mjaftueshme nga seritë fillestare të vaksinave të tyre. Disa njerëz me sistem imunitar të dobësuar mund të marrin një dozë shtesë për t’u mbrojtur plotësisht kundër COVID-19”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Në anën tjetër, infektologu i njohur kosovar Ilir Tolaj ka përsëritur disa herë për mediat lokale se është e domosdoshme dhënia e dozës së tretë të vaksinës kundër koronavirusit, dhe sipas tij ky vendim duhet të merret sa më parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat