​Ahmetaj: KQZ ka pranuar për balotazh mbi 1500 pako me fletëvotime nga jashtë

Aktuale

​Ahmetaj: KQZ ka pranuar për balotazh mbi 1500 pako me fletëvotime nga jashtë

Më: 13 nëntor 2021 Në ora: 14:35
Foto ilustrim

Për balotazhin e së dielës në 21 komuna, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar mbi 1500 pako të supozuara me fletëvotime. Procesi i pranimit të votave nga diaspora ka përfunduar dhe vlerësimi i tyre do të fillojë nesër. Në mbledhjen e sotme të KQZ-së është diskutuar edhe për votimin me asistencë, ku u tha se kjo mënyrë mund të përbëjë shkelje.

Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, ka bërë të ditur se ka përfunduar procesi i rinumërimit të të gjitha vendvotimeve, por që janë në pritje të një vendvotimi në Pejë. 

Ai theksoi se në 30 komuna në raundin e parë të zgjedhjeve kanë votuar me asistencë mbi 2300 vendvotime. 

Për këtë, anëtari i LVV-së, Sami Kurteshi ka kërkuar nga KQZ që të vendoset që një person të mos asistojë dy herë. 

Kurteshi: Ata duan të shohin se parat që i kanë paguar iu shpërblehen me votë 

“Unë kërkoj nga KQZ që të marrë vendim që nuk ka asnjë votim me asistencë që është në mënyrë të kundërligjshme, jo se jo i njëjti person më shumë se dy votuesve të ju asistojë. E dyta, te shikimi i dobët dhe nevoja për asistim janë bash të kota. Ata si besojnë dhe duan të shohin se parat që i kanë paguar iu shpërblehen me votë. Duhet të kërkojë KQZ që sipas doracakut që të asistojë ka të drejtë vetëm njeriu i parë që është duke pritur në radhë për votim dhe të njëjtën vendvotim”, ka kërkuar Kurteshi.

Më tej, Ahmetaj shtoi se procesi i votimit për personat që janë jashtë Kosovës ka përfunduar ditën e djeshme, ku mbi 1500 pako të supozuara janë dërguar me postë. 

Ahmetaj: KQZ ka pranuar 1571 pako të supozuara me fletëvotime

“Gjithsejtë KQZ ka pranuar 1571 pako të supozuara me fletëvotime. Po ashtu në tabelë e keni edhe datat kur KQZ ka pranuar të gjitha materialet apo pakot e supozuara. Procesi i verifikimit të të gjitha këtyre pakove do të fillojë ditën e diele nga shërbimi votues. Dhe sapo të përfundojë ky proces do të dërgohen të gjitha pakot apo fletëvotimet me postë në QNR”, ka thënë ai. 

Në mbledhjen e KQZ-së, kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së ka treguar edhe për numrin e personave të regjistruar me nevoja të veçanta. 

Ahmetaj: Janë 1544 votues të cilët janë të regjistruar me nevoja të veçanta

“Janë 1544 votues të cilët janë të regjistruar. Ndërsa, për kategorinë e votuesve të regjistruar në institucione janë 899 votues të regjistruar... Ndërsa, sa i përket organizimit për ditën e zgjedhjeve për raundin e dytë për kryetarë të komunës, KQZ ka bërë të gjithë furnizimin me materiale zgjedhore në të gjitha komunat. Janë shpërndarë të gjitha materialet zgjedhore me datën 10 dhe 11 nëntor. Ndërsa, gjatë ditës së sotme janë dërguar edhe të gjitha materialet e ndjeshme, tash në këto momente komunat janë duke i pranuar materialin e ndjeshëm”, ka theksuar ai. 

Në të gjitha komunat ku do të ketë garë të dytë për të zgjedhur të parin e komunës, janë 114 ekipe mobile të cilët do t’iu mundësojnë qytetarëve votimin. 

Po ashtu, Zyra për Regjistrimin e Partive Politike në KQZ ka bërë të ditur se raundin e dytë të zgjedhjeve do ta monitorojnë 10,510 vëzhgues. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat