​Qytetarët optimistë për të ardhmen e kryeqytetit, presin që fituesi i garës të mbajë premtimet zgjedhore

Aktuale

​Qytetarët optimistë për të ardhmen e kryeqytetit, presin që fituesi i garës të mbajë premtimet zgjedhore

Më: 14 nëntor 2021 Në ora: 13:00
Foto ilustrim

Sot kur po mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, edhe qytetarët e Prishtinës po ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar. Ata po presin që pavarësisht rezultatit për të parin e kryeqytetit, fituesi i garës të mbajë premtimet e dhëna gjatë fushatës. 

Banorët e Prishtinës po konsiderojnë se kryeqyteti ka nevojë për ndryshim, përmes së cilit thonë se bëhet i mundshëm përmirësimi i jetës. 

I motivuar nga dëshira për ndryshim, nga diaspora për të votuar ka ardhur Feti Cakolli, i cili fton edhe qytetarët e tjerë që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar. 

Cakolli: Nevoja për ndryshim në Prishtinë më shtyu që të vij për të votuar nga diaspora 

"Unë e shfrytëzova të drejtën time për të votuar. Jam nga diaspora dhe kam ardhur dje bashkë me bashkëshorten dhe familjen. Shpresoj që do të kemi kandidatin më të mirë që fiton... Presim shumë. Prishtina ka nevojë për ndryshim të madh", thotë Cakolli. 

Lulzim Berisha, i cili votoi në Shkollën e Mesme të Mjekësisë "Ali Sokoli", në Prishtinë, tha se për të është e rëndësishme që të realizohen të gjitha projektet e premtuara gjatë fushatës zgjedhore. 

Berisha: Presim me i realizu premtimet 

"Presim me i realizu premtimet që i kanë dhënë", thotë ai. 

Optimiste për të ardhmen e kryeqytetit shprehet të jetë qytetarja Batesha Islami. Ajo porositë bashkëqytetarët që të votojnë në mënyrë që më pas të mos ankohen. 

Islami: Nëse nuk voton, nuk ke të drejt të ankohesh

 

"Presim ma mirë. Gjithmonë mirë e më mirë... Shumë me rëndësi është (me votu), e lanë ndërgjegjen. Pastaj nuk ke të drejtë me u anku", thotë ajo. 

Edhe Qerim Braha uron që kushdo që të vije në krye të Prishtinës të nxjerrë qytetin nga "kaosi", të cilin thotë se po mbretëron. 

Braha: Lutem që të dalim nga kaosi në Prishtinë

"Inshalla na nxjerrin prej kësaj situate të gjithë bashkë. Paçim fat e shëndet e kjo pandemi na hiqet një herë e përgjithmonë. Shpresojmë të mirën", thotë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat