Demi – Kurtit: Nuk mund të bësh fushatë me duar në xhepa, sepse votuesit nuk falin

Aktuale

Demi – Kurtit: Nuk mund të bësh fushatë me duar në xhepa, sepse votuesit nuk falin

Më: 15 nëntor 2021 Në ora: 11:14
Albin Kurti

Analisti i politikave në institutin GAP, Agron Demi, ka komentuar rezultatet pas rundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë, duke thënë se për një dekadë në opozitë, Vetëvendosje ka vendosur një standard se si të gjykohet pushteti.

Sipas Demit, në bazë të atij standardi, VV ka arritur që të fitojë më 14 shkurti 2021 mbi 50 për qind të votave, ndërsa sipas tij, në këta nëntë muaj qeverisje, po kjo parti ka ngecur në standardin që ajo e ka vendosur.

Ai thotë se nuk mundësh që për një dekadë t’i kritikosh xhipat e zi, ndërsa kur dikush të vijë në pushet të mbajë fjalime mbi po ata xhipa, duke iu referuar kryeministrit Albin Kurti.

“Nuk mundesh për një dekadë me i kritiku xhipat e zi, e pastaj kur të vish në pushtet me mbajt fjalime mbi xhipa e me u sjellë me xhipa, prej votimeve në Tiranë me 25 prill e deri te votimet në Prishtinë më 14 nëntor”.

“Nuk mundesh me i kritiku pushtetarët qysh po rrethohen prej popullit me truproja, e vetë me u rrethu me ma shumë truproja”, ka shkruar Demi në llogarinë e tij në Facebook.

Më tej, Demi duke iu referuar kryeministrit Kurti, thotë se nuk mund të kritikosh qeveritë e mëhershme se si e kanë orientuar buxhetin në komunat ku qeverisin, ndërsa tash ta vendosësh të gjithë arsenalin e pushtetit qendror në mbështetje të kandidatëve të kësaj partie.

“Nuk mundesh me i akuzu se LDK e PDK u banë bashk, kur në shumë komuna ke garu me njerëz të PLAN e ke ba aleancë me individë të degraduar që janë aq toksik sa edhe LDK, AAK e PDK i ka largu nga partia”

“Nuk mundesh me u mburrë se për 9 muaj ke marr rreth 400 vendime, e ato vendime mos me ndryshu aspak mirëqenien e qytetarëve”, ka thënë tutje Demi.

Në fund, ai tha se nuk mund të bësh fushatë me duar në xhepa, sepse sipas Demit, votuesit e falin paditurinë e gabime e paqëllimshme, por jo arrogancën.

“Tash, janë edhe 3+ për me na e dëshmu që 14 shkurti nuk ishte gabim”, tha Demi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat