Haki Abazi i reagon ashpër Ramush Haradinajt rreth çështjes së gazit: Ju Haradinaj jeni njeriu që...

Aktuale

Haki Abazi i reagon ashpër Ramush Haradinajt rreth çështjes së gazit: Ju Haradinaj jeni njeriu që...

Më: 18 nëntor 2021 Në ora: 13:22
Haki Abazi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, u është kundërpërgjigjur akuzave të opozitës në Kuvend se asnjë zyrtar i vetëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk e ka cilësuar çështjen e projektit të gazit si problematik.

Ai duke iu përgjigjur kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj, tha se duhet t’iu tregojnë qytetarëve pse dëshirojnë të përdorin Amerikën për të mbuluar interesat private dhe të atyre që kanë blerë toka rreth mihjeve të qymyrit.

“Asnjë zyrtar i vetëm i SHBA-së asnjëherë, në asnjë moment nuk e ka cilësuar çështjen e gazit problematike, kështu që tregoni qytetarit të vërtetën që ekziston, e jo interesat që fshehën mbrapa projekteve... 17 vjet është tentuar të ndërtohet një termocentral qymyri me financa private, ju Haradinaj jeni njeriu që keni udhëhequr procesin e nënshkrimit të marrëveshjes me Contour Global, i cili e vendos Kosovën në pozitën më të vështirë të mundshme ndonjëherë të tranzicionit energjetik. Keni bërë marrëveshjen për ndërtimin e termocentralit dhe keni bërë po ashtu marrëveshjen për blerjen e energjisë e cila trefishon koston e energjisë elektrike po të zbatohej për qytetarin. Do të thotë nuk është brengosje për qytetarin, është brengosje për përfitime të atyre që kanë blerë toka rreth mihjeve të qymyrit që një ditë ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën ato toka të shiten tek operatori i termocentralit. Kështu që, tregoni qytetarëve pse po doni në vazhdimësi për ta përdorur Amerikën për të mbuluar interesin privat dhe përfitimet e grupeve klanore”, tha ai.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se nuk do të çojë përpara projektin për lidhjen me një gazsjellës ekzistues me Maqedoninë e Veriut, një projekt i propozuar nga Korporata amerikane, Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC).

Qeveria ka theksuar se Kosova ka nevojë për më shumë informata për të qenë më e sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë për tranzicionin energjetik, ndërsa MCC-ja ka afate të përcaktuara kohore për zhvillim dhe nënshkrim të programit të saj.

Qeveria ka diskutuar për disa muaj me radhë me përfaqësuesit e MCC-së për këtë çështje.

Opozita në Kosovë i bëri thirrje qeverisë në disa raste që të shfrytëzojë projektin amerikan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat