Osmani në Forumin e Sigurisë në Kanada: Dy shtete abuzuan me “diplomacinë e vaksinave” për të shtrirë ndikimin

Aktuale

Osmani në Forumin e Sigurisë në Kanada: Dy shtete abuzuan me “diplomacinë e vaksinave” për të shtrirë ndikimin

Më: 20 nëntor 2021 Në ora: 19:55
Vjosa Osmani

Presidentja e vendit Vjosa Osmani në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë Halifax, që po mbahet në Kanada, ka thënë se pandemia COVID-19 ka goditur njëlloj të gjitha vendet, pavarësisht nëse janë shtete të mëdha ose me të vogla.

“Pandemia ka qenë e ashpër në secilin dhe çdo njërin prej nesh, pavarësisht se a janë shtete të vogla apo të mëdha që nënkupton që për t’u rimëkëmbur duhet të bëjmë shumë gjëra. Do të thoja që duhet të sigurohemi se mësimet e nxjerra të mos jenë mësime të harruara. Kjo ka ndodhur shumë herë në historinë tonë”.

Osmani, që është pjesë e panelit ku po diskutohet për situatën globale të krijuar pas pandemisë, ka thënë se një mësim i nxjerrë nga pandemia është që vendet demokratike duhet të kenë bashkëpunim.

Ajo ka thënë po ashtu se nëse nuk do të jetë ky bashkëpunim vendet autokrate do të kenë më shumë fuqi.

“Një mësim shumë i rëndësishëm që të gjithë mësuam, veçanërisht vendet e vogla, është që ka fuqi në bashkëpunim. Në një botë komplekse me kaq shumë probleme komplekse, që u bë edhe më komplekse për shkak të pandemisë, duhet ta kuptojmë se bashkëpunimi dhe të punuarit bashkë janë çelësi i zgjidhjes së problemeve. Nëse nuk e bëjmë këtë padyshim se do të përballemi me shumë pandemi të tjera, kriza ndërkombëtare dhe kriza humanitare në të ardhmen dhe do të kemi padyshim shumë pak sukses dhe së dyti nëse nuk e kuptojmë që ka fuqi në bashkëpunim po lejojmë autokratët që të jenë shumë më të suksesshëm sesa që ishin deri tash”.

Osmani ka shtuar se Rusia dhe Kina kanë abuzuar me situatën e pandemisë për të shtrirë ndikimin e tyre.

“Pandemia ka treguar se si vende si Rusia dhe Kina kanë abuzuar me këtë situatë shumë të vështirë dhe me “diplomacinë e vaksinave” për të shtrirë ndikimin keqdashës ndaj vendeve të tjera dhe derisa po e bënin këtë në të njëjtën kohë po përdornin keqinformimin përmes të cilit po siguroheshin që ndikimi i tyre keqdashës bëhet keqdashës, keqdashës për shkak se vret njerëz. Rezultati ishte që njerëzit kanë vdekur. Pa dyshim se ky ndikim keqdashës do të jetë shumë më i suksesshëm nëse nuk e kuptojmë vërtet që fuqia jonë qëndron në bashkëpunimet që kemi, në vlerat që secili nga ne prezanton, në të punuarit bashkë për të mbrojtur atë që kemi arritur në shekujt e kaluar – të drejtat e njeriut, demokracia dhe sundimi i ligjit”.

“Vendet demokratike që punojnë bashkë që të sigurohemi se ndërtojmë shoqëri më fleksibile në secilin prej vendeve tona është çelësi që të sigurohemi se rimëkëmbja do të jetë e suksesshme. Nëse dikush mendon që mund ta bëjë këtë vetëm, pavarësisht nëse janë një vend i madh ose i vogël, nënkupton që mësimet e nxjerra janë mësime të harruara”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat