Haradinaj: Institucionet po i rrezikojnë qytetarët, të miratohet Ligji i Pagave

Aktuale

Haradinaj: Institucionet po i rrezikojnë qytetarët, të miratohet Ligji i Pagave

Më: 22 nëntor 2021 Në ora: 07:30
Foto nga vendi i ngjarjes

(E plotësuar 12:52) - Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka mbajtur tryezën me temën “Pagat në sektorin publik, statusi aktual i projektligjit dhe urgjenca e procedimit të tij”.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, kërkoi miratimin e Ligjit të Pagave, duke thënë se institucionet po i rrezikojnë qytetarët.

Nëse ne nuk e përcjellim trendin e rritjes lineare që është një mandat 4-vjeçar mbi 20% ta fuqizojmë me këtë ligj, ne jemi kah e rrezikojmë krejt sektorit publik në Kosovë. Institucionet nuk po e rrezikojnë vetëm administratën, ose vetëm arsimin e shëndetësinë, por po e rrezikojnë direkt qytetarin, për shkak se ai është përfitues i këtyre shërbimeve”.

Ai tha se me gjendjen aktuale do të ketë varfërim të sektorit privat dhe kualitet më të dobët në shërbime.

Problemi ka me qenë që me kalimin e kohës jo vetëm që do të varfërohen këta që janë në sektor publik, sepse janë rritur çmimet e po ndodh rritja e kostos së jetës, por problemi do të jetë shumë më i madh, pra përpos demotivimit, kjo do të jep kualitet më të dobët në shërbim, pra cilido shërbim do të bjerë në cilësi”.

Por, jo vetëm kaq. Do ta humbim kuadrin, cilido kuadër i nivelit të mirë do ta ketë problem ta vazhdojë besnikërinë e vet ose përcaktimin e tij me qenë shërbyes publik për shkak të ofertës në treg ose për shkak të ofertës që i japin edhe palët e tjera, si rasti i vendeve të BE-së e i ekonomive të tjera”.

Sipas meje është mjaftë e nevojshme që ta sjellim në parlament Ligjin e Pagave menjëherë, duke mos u vonuar, pra mos ta pengojmë ne këtë ligj në asnjë mënyrë, t’ia fillojë me kohë, të ketë planifikim buxhetor për vitin që vjen, të ndodh pastaj edhe rritja lineare, ajo ka qenë praktik dhe duhet vazhduar”.

***

Grupi parlamentar i AAK-së, sot me fillim nga ora 11:00, në Kuvendin e Kosovës do të organizojë tryezën me temën “Pagat në sektorin publik, statusi aktual i projektligjit dhe urgjenca e procedimit të tij”.

Qëllimi i kësaj tryeze është që të diskutohet për nevojën urgjente për të miratuar ligjin për pagat në sektorin publik, për t’iu përgjigjur nevojave dhe kërkesave të kategorive të pambrojtura të këtij sektori pas ngritjeve të çmimeve dhe jo stabilitetit ekonomik.

Pjesëmarrës në këtë tryezë, përpos deputetëve, do të jenë edhe përfaqësuesit e sindikatave dhe OJQ-ve.

Ndryshe, pas miratimit nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2019, Gjykata Kushtetuese e pati shpallur Ligjin për pagat në sektorin publik të pavlefshëm, pasi nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të aktit më të lart juridik në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat