​KMDLNj: Refuzimi i shërbimeve të pjesëtarëve të komuniteteve në lokale, racizëm i kulluar

Aktuale

​KMDLNj: Refuzimi i shërbimeve të pjesëtarëve të komuniteteve në lokale, racizëm i kulluar

Më: 22 nëntor 2021 Në ora: 09:03
Foto ilustrim

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka reaguar lidhur me pretendimet se disa lokale të gastronomisë në Gjakovë kanë refuzuar t’i shërbejnë disa personave të komuniteteve, duke kërkuar hetime të shpejta nga Policia e Kosovës.

Bojkotimi i lokaleve që eventualisht paskan refuzuar të shërbejnë pjesëtarët e komuniteteve nuk është përgjigje e duhur dhe sipas KMDLNj –së është masë e lehtë prandaj, si masë parandaluese efikase dhe e domosdoshme duhet të jetë veprimi i shpejt i ligjit.

Reagim i KMDLNj – së:

REFUZIMI I SHËRBIMIT TË PJESËTARËVE TË KOMUNITETEVE NË LOKALE, RACIZËM I KULLUAR !

Sipas një informate të postuar nga ministri Engelbert Krasniqi, disa lokale gastronomike në Gjakovë paskan refuzuar t’i shërbejnë pjesëtarët e komuniteteve dhe për këtë arsye ministri Krasniqi ka propozuar që të bojkotohen këto lokale nga qytetarët tjerë. KMDLNj –së nuk ka informata të verifikuara që e mbështesin këtë deklaratë të ministrit Krasniqi, prandaj thërret Policinë e Kosovës që , mbështetur në deklaratën publike të një zyrtari të lartë institucional , të fillojë hetimet pas së cilave , nëse sigurohen prova , do të merreshin masa ligjore ndaj atyre që , duke refuzuar të shërbejnë pjesëtarët e komuniteteve bëjnë shkelje të të drejtave të njeriut të garantuara me Kushtetutën e Kosovës , si akti më i lartë juridik sikur që këto të drejta janë të garantuara me të gjitha dokumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut , nga Deklarata Universale e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut , Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Konventa Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare. Nëse pohimet publike të ministrit Krasniqi vërtetohen nga Policia e Kosovës atëherë këto raste mund të cilësohen si racizëm i kulluar apo diskriminim në baza raciale . Për fat të mirë , në Kosovë , përkundër shumë vështirësive dhe problemeve , kryesisht për shkak të situatës së rëndë ekonomike , pikërisht pjesëtarët e komuniteteve , sidomos të komunitetit romë , egjiptas dhe ashkalinj kanë mbetur pa arsimim të nevojshëm prandaj edhe shkalla e papunësisë te këto komunitete është më e larta në Kosovë mirëpo nuk ka pasur diskriminim në baza raciale. Edhe qasja në shërbime publike ka qenë më e vështirësuar . Mirëpo , përkundër problemeve të mëdha me të cilat është përballur ky komunitet e që përmbajtjen e kanë kryesisht të natyrës socio – ekonomike , deri më tani urrejtja apo mosdurimi ndaj këtyre komuniteteve për shkak të përkatësisë etnike të tyre nuk ka qenë e theksuar në Kosovë . Së paku nuk janë raportuar rastet se ndaj tyre po bëhet diskriminimi në baza raciste. Për këtë arsye , KMDLNj –ë kërkon hetime të shpejta nga Policia e Kosovës për dyshimet publike të ngritura nga ministri Krasniqi për refuzim të shërbimit në disa lokale gastronomike për pjesëtarët e komuniteteve dhe vetëm pas kësaj opinioni në Kosovë , që padyshim është i shqetësuar për këtë , do të informohet drejt. Bojkotimi i lokaleve që eventualisht paskan refuzuar të shërbejnë pjesëtarët e komuniteteve nuk është përgjigje e duhur dhe , sipas KMDLNj –së është masë e lehtë prandaj , si masë parandaluese efikase dhe e domosdoshme duhet të jetë veprimi i shpejt i ligjit ! Nëse ky dyshim i ministrit Krasniqi vërtetohet , çdo mosveprim i ligjit do të jetë inkurajues për shkelësit e mundshëm në të ardhmën. Deklaratat publike , nëse nuk dëshmohet vërtetësia e tyre , kanë përgjegjësi për ate që e thotë , pavarësisht pozitës që e mbanë prandaj KMDLNj –ë këmbëngul që Policia e Kosovës të hetojë rastin sepse të drejtat e njeriut nuk mbrohen me deklarime publike por mbrohen me ligj !

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat