Kadri Veseli ua ka borxh shqiptarëve, tregimin e vërtetë për SHIK-un–vrasjet politike

Aktuale

Kadri Veseli ua ka borxh shqiptarëve, tregimin e vërtetë për SHIK-un–vrasjet politike

Nga: Idriz Morina Më: 22 nëntor 2021 Në ora: 15:02

Kadri Veseli pas shumë vitesh në krye të SHIK-ut, pastaj të PDK-së dhe Kuvendit të Kosovës, një vit më parë udhëtoi drejt Hagës, i akuzuar si rrallëkush tjetër.

Para se të ngrihej në detyrën e SHIK-ut, ai jetonte azil në Zvicër, ku e shfrytëzonte ndihmën sociale, ndërsa i kishte braktisur studimet në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Bujqësisë.

Askush nuk e kishte njohur për të pasur. Por, sot besohet se ka një pasuri të jashtëzakonshme, hiq, ato miliona e miliona euro, që jo rrallë shkruajnë mediat se mund t’i ketë.

Kadri Veseli shkoi në Hagë, pa e përmbyllur si duhet aferën e pasaportave ku besohet se u abuzuan 1.4 milion euro, ndërsa emri i tij u implikua nga njerëzit afër tij, të cilët u zbuluan se kishin përvetësuar shuma të mëdha parash.

Vrasjet politike

Kadri Veseli, shkoi pa e përmbushur premtimin e tij bërë deputetëve në Kuvend, ‘se kom me ju rrasë SHIK”, kur deklaronte i acaruar nga akuzat e deputetëve për krime të kryera nga agjencia që ai e udhëhiqte.

Për veprimtarinë e SHIK-ut, sa i përket dokumentacionit dihet shumë pak. Vetë Kadri Veseli e pat deklaruar mbylljen e tij, pas Pavarësisë së Kosovës, por arkiva e SHIK-ut nuk dihet ku ka përfunduar apo edhe nëse një pjesë e tij është zhdukur, kuptohet për të zhdukur provat, që do të ndihmonin në zbulimin e krimeve.

Kadri Veseli ia ka borxh shqiptarëve, madje edhe atyre njerëzve që punuan nën udhëheqjen e tij, tregimin e vërtetë për SHIK-un.

SHIK-u që nga themelimi i tij, nuk i ka ndjekur parimet fundamentale të atdhetarisë, dhe inkriminimi i vazhdueshëm i njerëzve që i ka mbështetur dikur e ka krijuar një organizim me veprimtari të rrezikshme për vendin dhe shoqërinë.

Shumëherë në media ia kanë dalë ta ndërtojnë një narracion të kundërt me ndodhitë reale, dhe gjërat për të cilat janë akuzuar.

Në shumë raste kanë deklaruar se vrasësit apo edhe porosia për vrasje është bërë nga njerëz të LDK-së, pa argumentuar asnjëherë se si ka ndodhur apo ka mundur të ndodhë kjo.

Nëse do të kishte qenë ashtu, atëherë ata e kanë pasur lehtë ta zbulojnë të vërtetën, dhe veçmas duke pasur nën kontroll mediat televizive dhe shumicën absolute të mediave të tjera, kjo do të ishte arritur lehtësisht prej tyre.

Po ashtu si organizatë e fshehtë sigurie, pse nuk i shpëtuan të paktën disa njerëz eminentë që të mos vriteshin, sepse roli i agjencive inteligjente është parandalues. Këtë se kemi dëgjuar asnjëherë!

Prandaj, mbi barrën e tyre bien rreth 200 vrasje të natyrave të ndryshme deri në vitin 2000, ndërsa mund të jenë edhe qindra të tjera pastaj.

Vrasjet politike ishin të drejtuara, kryesisht ndaj njerëzve të Rugovës dhe LDK-së. Nuk janë këto vlerësime thjesht sentimentale, janë kualifikime të hetimeve superiore, të kryera nga KFOR-i, pra vendet e NATO-s, por edhe nga ato të BE-së, përkatësisht nga Eulexi. Që të gjithë e kanë vlerësuar SHIK-un si organizatë kriminale.

Jo rastësisht edhe dosja e prokurorit Ëilliamson, në hetimin paraprak për themelimin apo jo të një gjykate speciale për Kosovën, qartëson rolin kriminal të SHIK-ut.

Informacion të ngjashëm vlerësimi, madje në veten e parë e ka dhënë Shkumbin Mehmeti, i cili i takonte kësaj organizate dhe vazhdon të mbahet në burg për kryerjen e dënimit të përgjithshëm prej 30 viteve.

Çfarë emri atëherë duhet t’i vëmë

Po ashtu SHIK-u është marrë edhe me kurdisje tenderësh, diskualifikim të personaliteteve dhe lëvizjeve, dhe me çka jo negative. Çfarë emri atëherë duhet t’i vëmë atij organizimi, nëse jo se ajo ishte një organizatë mafioze, ilegale dhe se veprimtaria e saj është e dënueshme.

Ajo ka deklaruar se ata merreshin me vrasje, plagosje, rrëmbime, haraç, plaçkitje, zhvatje, uzurpime, shantazhe, shpërthime me eksploziv, vjedhje, tregti me drogë etj. Pra, në listën e rrëfyer nga Mehmeti, nuk ka thuajse ndonjë lloj krimi, që këta nuk janë përfshirë.

Pyetja është se nëse ata paskan qenë atdhetar si po pretendojnë, si patën kohë që të merren gjerësisht me këto veprimtari, dhe ta harrojnë aktivitetin e shërbimeve inteligjente të Serbisë.

Në luftë shkaktuan ndasi, në paqe i vazhduan edhe më rrufeshëm, atëherë në anën e cilit atdhe ishin, nëse Rugova nuk ishte atdhetar me gjithë atë lëvizje të papërsëritshme historike kundër Jugosllavisë dhe vetë Serbisë.

Edhe drejtësia e kontrolluar nga SHIK-u dhe ish njerëzit e këtij shërbimi, nuk kanë mundur t’i lënë pa dënuar disa prej tyre, përfshirë rastet për vrasje, si Remin, Latif Gashin, Daut Haradinajn, Nazim Bllacën, Fahredin Gashin, Shpresim Ukën dhe të tjerë, akuzat aktuale që e rëndojnë ndaj Azem Sylës dhe grupit të tij (rasti “Toka”), të arrestuarit nga gjykata speciale, atëherë është e pamundur të mos arrish në përfundimin se SHIK-u ishte një krah apo nëntokë e PDK-së.

Madje, pa u distancuar PDK-ja nga krimet e SHIK-ut, ajo kurrë nuk do të mund të bëhet një parti normale demokratike.

SHIK-u e ka dëmtuar imazhin e Kosovës edhe jashtë vendit, pasi raportet ndërkombëtare kanë mundësuar botimin e akuzave në Amerikë, Francë, Angli e gjetkë, duke i kushtuar shumë vëmendje një vendi, i cili u përkrah të shpëtohet dhe rindërtohet nga ta, dhe në fund të njihet si shtet i pavarur.

Por, Kadri Veseli gjithashtu duhet të tregojë se pse qëndroi për disa muaj në shtëpinë e Adem Jasharit, duke e fshehur identitetin e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat