Isuf Haklaj kishte zbuluar tre vrasës potencial të Tahir Zemës/ Bajram Gecaj zbardhë bisedën e fundit me të

Aktuale

Isuf Haklaj kishte zbuluar tre vrasës potencial të Tahir Zemës/ Bajram Gecaj zbardhë bisedën e fundit me të

Nga: M.L. Më: 24 nëntor 2021 Në ora: 10:25
Sebahate Tolaj e Isuf Haklaj, pamje nga ceremonia e varrimit

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj ka përkujtuar sot policët Sebahate Tolaj e Isuf Haklaj, që u vranë para 18 viteve.

Gecaj përmes një postimi në Facebook ka shkruar se liria e Kosovës mban emrat e Isufit dhe Sebahates.

Sipas tij, kriminelët e organizuar, pos që vranë fizikisht Isufin e Sebahaten, mbytën njëkohësisht edhe shpresën dhe guximin për hetimin e vrasjeve të mbi 100 aktivistëve të LDK-së në periudhën e pasluftës.

Liria mbanë emrat edhe të Isufit, Sebahates ….

Sot mbushen 18 vite nga atentati i pastër politik kundër Isuf Haklaj dhe Sebahate Tolaj. Ata ishin vrarë pse kishin vullnetin dhe guximin njerëzorë e profesional të hetonin krimet, përfshirë edhe nga ato më të ndjeshmet politike.

Fatkeqësisht, duket se kriminelët e organizuar, pos që vranë fizikisht Isufin e Sebahaten, mbytën njëkohësisht edhe shpresën dhe guximin për hetimin e vrasjeve të mbi 100 aktivistëve të LDK-së në periudhën e pasluftës. Vranë, pra, edhe nocionin e sundimit të rendit e ligjit, vranë shpresën e jetës së lirë e demokratike, vranë edhe mundësinë e prehjes së qetë të tyre dhe të ngushëllimit për familjarët e viktimave”, shkruan Bajram Gecaj në Facebook.

Ai tregoi se polici Isuf Haklaj, që ishte edhe tezaku i tij, e kishte informuar se kishte identifikuar tre vrasës potencial të Tahir Zemës.

“Tezaku Isuf më kishte informuar, diku rreth dhjetë ditë para atentatit, se kishte identifikuar tre individë vrasës potencial të Tahir Zemës, dhe se njëri nga të tre ishte padyshim vrasësi. Kjo, fatkeqësisht, ishte biseda ime e fundit me te”, theksoi ai.

Në fund, Gecaj bëri thirrje që prokuroria të hetoj seriozisht të gjeturat e Isufit e Sebahatit.

"Isuf Haklaj dhe Sebahate Tolaj ishin profesionistë, prandaj edhe një herë apeloj, kërkoj dhe insistoi publikisht që prokuroria të hetoj seriozisht të gjeturat e Isufit e Sebahatit, të cilat besoj fuqishëm se janë edhe të dokumentuara dhe të arkivuara diku në sirtarët e policisë apo prokurorisë … shfletoni shkresat ju lutem dhe gjeni e dënoni vrasësit katilë; mos prisni që këtë ta bëjnë ndërkombëtarët!”, përfundoi ai.

Image
Bajram Gecaj dhe familjarë të tjerë të Isufit e Sebahates në homazhe te pllaka përkujtimore

 

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat