“Lugatët” e LPK-së, mashtruesit dhe falsifikatorët e ngjarjeve historike! Grupet e para ushtarake i krijoi LDK-ja!

Aktuale

“Lugatët” e LPK-së, mashtruesit dhe falsifikatorët e ngjarjeve historike! Grupet e para ushtarake i krijoi LDK-ja!

Nga: Osman Ferizi Më: 24 nëntor 2021 Në ora: 13:16
Adem Jashari në mes, me grupin e dytë të ushtarëve të stërvitur në Shqipëri nga LDK-ja!

Në një debat televiziv ishin rreshtuar në T7, ish lpk-istët si dhe të zellshmit e prontomafisë, ti vënë vulën historisë.

UÇK-në e krijuan ata, emrin ia dhanë, ani pse ushtarë nuk kishin, madje në fund të ‘97-ës, ushtria me komandant Adem Jasharin, i kishte vetëm rreth 40 ushtarë, sipas Blerim Latifit pjesëmarrës në debat!

Si guxoni ta merrni autorësinë e formimit të UÇK-së duke injoruar dhe zhbërë kontributin e themeluesve të vërtetë Sali Çekajt, Adem e Hamëz Jasharit, Zahir Pajazitit dhe Ahmet Hoxhës, të filluar në vitin 1991 me stërvitje profesionale, të mbi 100 vetave.

Ju pretendoni se emrin ia latë UÇK në vitin 1994, e pastaj sa ushtarë kishit dhe kur, këtë nuk e dini, dhe pas disa vitesh, më 1997 e bëni komandant sot, të UÇK-së Adem Jasharin, vit në të cilin u vra Zahir Pajaziti.

Pra, e shpallni komandant Adem Jasharin, ndërsa ia fshini veprimtarinë e tij luftarake, 1991-1994, së paku tri vite aktivitet ushtarak. Ia asgjësoni të kaluarën e tij. Kështu nuk bëhet historia, as nuk ka ndodhur asgjë ashtu.

Ju e deklaroni komandantë të UÇK-së, pas flijimit, por asnjëherë nuk iu bindët as kërkesave të tij, as ‘urdhrave’ të tij, as nuk i dërguat vullnetarë apo ushtarë, as para! Por, ju as nuk i shkuat në ndihmë kur më së shumti ai kishte nevojë!

E gjithë bota e di, se Adem Jashari nuk ra fli me ushtarët e vet, por me familjen e vet!

Ju që thirreni në disa kryesi të LPK-së dhe në disa shtabe, jeni përgjegjës që penguat furnizimin me armë të njësitit të Adem dhe Hamëz Jasharit, ju jeni përgjegjës për dekonspirimin e Zahir Pajazitit dhe ju jeni përgjegjës për pengimin, sabotimin dhe shantazhet gjatë dhe pas luftës me kërcënime, diskreditime e deri në eliminime fizike të kundërshtarëve politik dhe ushtarak.

Atentati kundër Rugovës, Listat e Zeza, vrasja e I. Konushevcit, B. Allaqit, Komandantëve (Kumanova, Korbi, Bardhi, Petriti), Xhevat Isufi, T. Zemaj, S. Hajdaraj.

-Cili nga komandantët humbi dikë nga familja e tij?

Kjo klasë politike, ish Shtabi pas vrasjes se Ademit, Zahirit, Ilir Konushevcit me komplotet e tyre staliniste bënë PUQ në UÇK! Kështu ka ndodhur, këto janë argumente të pamohueshme! Nuk shkruhet historia duke i kapërcyer vrasjet.

Veprimtaria dhe veprimet kriminale të njerëzve të SHIK-ut në terren janë të njohura, askush deri më sot nuk ka raportuar në Parlament të Kosovës, por dihen raportet e KFOR-it dhe shërbimeve gjermane, amerikane dhe angleze rreth cilësimit të tij, si organizatë kriminale.

Prerja e “BESËS“ së Marrëveshjes dhe dakordomit në Oslo për një bashkim dhe unitet të faktorit Ushtarak në Kosovë na kujton Marrëveshjen e tradhtisë së Mukjes mes partizanëve dhe ballistëve – kësaj force të djathtë që u vranë prapa shpine duke i shpallur bashkëpunëtor të armikut e  tradhtar, pas kësaj vritet tradhtisht në Tiranë koloneli Ministri i parë i Mbrojtjes Ahmet Krasniqi, e që pasohet me shumë vrasje tjera nëpër Kosovë e Shqipëri (Ilir Konushevci, Dr. Mala, vëllezërit Nikqi...).

Faktet flasin që ju Adem Jasharin e keni sabotuar dhe izoluar dhe jeni tallë me të. Ai në shkurt të vitit 1998 kërkonte 30 mijë DM mbështetje nga ne -LDK-ja nëpërmjet Baces Rifat (thoshte që të kërkoni nga kryeministri B. Bukoshi, sepse kam siguruar një kanal për armatime).

Unë takohem me B. Bukoshin me 22.02.1998 në Ëürzburg, e marrë në takim edhe Shaip Azemin-ish pjesëtar i grupit të dytë nga viti 1991, bisedojmë dhe ia paraqesë kërkesën e Adem Jasharit të marrë nëpërmjet bacës Rifat. Bukoshi shprehet se është i gatshëm, por thotë që i duhet kohë. Unë i them që koha nuk pret. Këtë dëshmi e paraqita për t’i argumentuar LPK-së që propagandonte në “Zërin e Kosovës” se ishte një propagandë boshe dhe një demagogji e stilit bolshevik.

Kjo kapërdisje e disa individëve të pa autoritet nga mërgata nuk durohej duke shpif dhe përçarë në “patriot” e tradhtarë, kur populli i djegur, i masakruar dhe dhunuar i drejtohej bashkësisë ndërkombëtare për ndihmë. Këta që sot paraqiten në media si themelues të UÇK-së janë po ata të djeshmit që kërcënuan, shpifën dhe vranë e sot janë MILIONER në emër të luftës, familjes Jashari dhe qindra viktimave të tjera.

Po kush e vrau lirinë ma shumë se kjo klasë politike (PDK, AAK, Nisma), si i ndoqën intelektualët, si e privatizuan pronën shtetërore dhe komplet aparatin shtetërore dhe të gjitha ndërmarrjet publike (dogana, telekom, post, kek….), familjet Thaçi, Haradinaj, Buja, Lushtaku etj... duke blerë nga 50 cent e deri në 27 euro arin më së shtrenjti.

Veprimet e kujt i quan drejtuesit e UÇK-së në Hagë, sigurisht vrasjet politike sepse këta serbë nuk kanë vrarë. Si i lejohej një ish drejtuesi të UÇK-së të kërkonte, që të falen krimet dhe të amnistohen kriminelët, madje e pat përgatitur edhe një Projektligj për amnisti.

-Prandaj është e padrejtë që t’ju paguhet mbrojtja në Hagë nga taksapaguesit kur kanë miliona pasuri dhe atje nuk akuzohet UÇK-ja, por për veprimet e tyre individuale.

Si një njeri i tillë përulet para varrezave serbe, ku shkruan të vrarë nga terroristët shqiptarë- pra janë njerëz të shitur, kameleon dhe mercenar. Pra, këta janë të “Mallkuarit e Popullit” siç ishte shprehur i ndjeri Xhemajl Mustafa, të cilët e mallkonin popullin në vitin 2000 pse nuk e votoi PDK-në.

Lufta e tyre e pistë që të hyhet dhunshëm në histori pa veprimtari reale në vijat e frontit, me komunikata, deklarata politike dhe inskenime e video incizime nga banesat e Cyrihut të Milaim Zekës e Xhavit Halitit nuk ju ndihmon, koha juaj ka ikur bashkë me të bëmat e juaja, historia është shkencë dhe ka rregullat e veta.

Bazament, themel i Ushtrisë së Kosovës ishin dy Grupet e para që në rrugë institucionale u dërguan në Shqipëri (Surel), këtë marrëveshje e arriti ish Presidenti Rugova me Ramizë Alinë.

Figurat kyçe dhe emblematike të luftës janë Adem & Hamëz Jashari, Sali Çekaj, Zahir Pajaziti dhe Ahmet Hoxha, pa e përjashtuar rolin dhe veprimtarinë e grupeve të tjera në periudha të ndryshme (Dukagjin, Llap, Ana Drin, Karadakë, Ferizaj).

Ps. Osman Ferizi ishte pjesëtar i grupit të dytë të armatosur me 1991

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat