Ngjarje e rëndë/ Sulmohet me armë një autobus me nxënës, në Gllogjan, konfirmohen 3 të vrarë dhe një i plagosur

Aktuale

Ngjarje e rëndë/ Sulmohet me armë një autobus me nxënës, në Gllogjan, konfirmohen 3 të vrarë dhe një i plagosur

Nga: Bota sot Më: 26 nëntor 2021 Në ora: 20:38
Pamje e autobusit ku ndodhi tragjedia në Gllogjan

(E plotësuar 09:20) - Vendi ku ndodhi tragjedia në Gllogjan, autobusi është ende aty

Një sulm me armë në drejtim të një autobusi ka tronditur mbrëmë Kosovën.

Tre persona kanë humbur jetën si pasojë e gjuajtjes me armë nga një person i maskuar.

“Është raportuar se një autobus derisa ishte duke bartur udhëtarë (nxënës) është sulmuar me armë zjarri (dyshohet të jetë AK-47) nga një i dyshuar i panjohur. Në këtë rast lëndime vdekje-prurës ka pësuar drejtuesi i autobusit, viktima mashkull kosovar, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Ndërsa tri viktima, dy meshkuj dhe një femër (nxënës) janë dërguar në Spitalin Rajonal Pejë, dy prej tyre kanë ndërruar jetë (një mashkull dhe një femër ) ndërsa viktima tjetër është duke u trajtuar në spital. Njësitet relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes. I dyshuari gjendet në arrati, rasti në procedurë hetimore”, thuhet në raportin e Policisë.

Ndërsa, autobusi ndaj të cilit është bërë sulmi gjendet ende në vendin ku ka ndodhur krimi.

“Bota sot” ka siguruar një foto nga vendi i ngjarjes, pas tragjedisë së mbrëmshme.

Lidhur me rastin ende nuk ka asnjë të arrestuar./BS/

Image

Policia jep detaje për sulmin me armë në Gllogjan

Policia e Kosovës ka dal me raport për sulmin makabër që u krye mbrëmë në Gllogjan, ku u vranë tre persona dhe u plagos një.

Policia ka bërë me dije se shoferi ka vdekur në vendin e ngjarjes, derisa dy nxënësit kanë vdekur në spital.

I dyshuari për rastin gjendet në arrati.

Sipas Policisë, dyshimet janë se autobusi është sulmuar me kallash.

“Fsh. Gllogjan, Deçan 26.11.2021-18:58.  Është raportuar se një autobus derisa ishte duke bartur udhëtarë (nxënës) është sulmuar me armë zjarri (dyshohet të jetë AK-47) nga një i dyshuar i panjohur. Në këtë rast lëndime vdekje-prurës ka pësuar drejtuesi i autobusit, viktima mashkull  kosovar, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Ndërsa tri viktima, dy meshkuj  dhe një femër (nxënës) janë dërguar në  Spitalin Rajonal Pejë, dy prej tyre kanë ndërruar jetë (një mashkull dhe një femër ) ndërsa viktima tjetër është duke u trajtuar në spital. Njësitet relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes. I dyshuari gjendet në arrati, rasti në procedurë hetimore”, thuhet në raport.

Ende asnjë i arrestuar për sulmin vdekjeprurës në Deçan

Nuk ka ende asnjë të arrestuar pas sulmit në autobus në fshatin Gllogjan të Deçanit, që la të vdekur 2 studentë dhe shoferin e autobusit.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova, tha se ende policia nuk ka dijeni për vend-ndodhjen e të dyshuarit.

Dyshimet e para të policisë janë se sulmi është kryer nga një person i vetëm.

Nga sulmi i mbrëmshëm që tronditi vendin mbetën të vdekur ndy nxënës të moshave 19 dhe 17 vjeç, ndërsa nxënësi tjetër i lënduar i cili është në tretman mjekësor është po ashtu 17 vjeçar.

Drejtori i Policisë: Aktualisht i kemi dy apo tri pista që jemi duke punuar për vrasjen në Gllogjan

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka treguar se janë dy-tri pista në të cilat janë duke u kryer hetimet për vrasjen që ndodhi në Gllogjan të Deçanit mbrëmjen e së premtes, e ku mbetën të vrarë tre persona, nga ta dy nxënës dhe shoferi i autobusit.

Mehemti tregoi se lidhur me rastin janë duke u zhvilluar aktivitetet policore dhe janë duke u intervistuar persona që ndërlidhen potencialisht me rastin.

“Në këtë vend ku qëndrojmë në kemi pas një situatë tragjike. Fatkeqësisht një person ka humbur jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa dy të plagosurit kanë vdekur në spitalin e Pejës dhe një tjetër është i plagosur dhe është jashtë rrezikut për jetë. Hetimet janë intensitetin më të madh të mundshme të gjitha njësitet relevante janë këtu dhe aktualisht jemi duke bërë hetimet preliminare dhe fillestare[…]Aktualisht i kemi dy apo tri pista që jemi duke punuar. Fatkeqësisht nuk mund të jap detaje për shkak se pistat në të cilat jemi duke hetuar janë në fazën fillestare. Kjo do të thotë se jemi në dy ose tri drejtime të caktuara, kemi dyshime me një bazë të caktuar por është shume herët me thënë se kemi person të dyshuar. Aktualisht ne kemi njësi të mjaftueshme policore në gjithë këtë zonë. Mirëpo në situatë në teren, qeni nuk arrin me nuhat erën e ndonjë të dyshuari potencial apo armë, ne kemi edhe njësinë e qenve. Janë duke u zhvilluar aktivitet, janë duke intervistuarat individ dhe persona që mund të ndërlidhen potencialisht me rastin. Informacionet fillestare tregojnë për një person por potencialisht mund të ketë edhe të tjerë”, tha Mehemti para medieve.

Ndërsa, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj tha se janë duke intervistuar individë në cilësinë e dëshmitarit, për çka ka theksuar se deri më tani nuk ka të dyshuar.

“Aktualisht nuk mund të prononcohemi dhe të definojmë saktë për çka bëhet fjalë. Ne po punojmë për me i identifiku çdo detaj që e konsiderojmë si relevant që lidhet me rastin.  Kjo është faza fillestare e hetimit dhe nuk mund të prononcohemi më shumë se na lejon vet etika e ajo profesionale. Personat që po intervistohen janë si dëshmitar dhe jo të dyshuar. Për momentin nuk kemi të dyshuar”, tha Isufaj në konferencën e përbashkët me Mehmetin.

Trupat e të vrarëve në Deçan largohen nga spitali i Pejës

Kufomat e viktimave që vdiqën në tragjedinë në Gllogjan të Deçanit janë larguar nga Spitali i Pejës pak minuta më parë.

Në pamjet e publikuara shihet se si mjekët largojnë kufomat.

Image

Kujtojmë se nga kjo tragjedi mbetën të vdekur dy nxënës dhe shoferi i autobusit.

Prokuroria: Jemi duke i ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e autorit të krimit në Gllogjan

Nga Prokuroria e Shtetit janë deklaruar lidhur me vrasjen në Gllogjan të Deçanit, për çka thonë se janë duke i ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e autorit të krimit.

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, njofton se Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, së bashku me Zëvendës-kryeprokurorin e kësaj prokurorie dhe prokuroren kujdestare të Departamentit të Krimeve të Rënda, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në koordinim me Policinë e Kosovës janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e autorit të krimit të ndodhur në Gllogjan të Deçanit”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Tutje kanë bërë thirrje që kushdo që ka informata rreth ngjarjes, atëherë të njoftohet prokuroria dhe policia.

“Po ashtu, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, bën thirrje që kushdo që ka ndonjë informacion për këtë rast të bashkëpunojë me Prokurorinë dhe Policinë, në mënyrë që kryerësi e këtij krimi të kapet dhe të dalë sa më shpejtë para drejtësisë”, përfundon komunikata. 

Flet prokurori i rastit për tragjedinë në Gllogjan: Janë disa pista të hetimit

Prokurori i rastit për ngjarjen në Gllogjan ka thënë para mediave se janë disa pista të ndryshme të hetimit.

Ai tha se për momentin s’ka ndonjë motiv të caktuar që dyshohet se ka mundur të çojë deri në ngjarjen ku mbetën të vrarë tre persona, por se janë duke punuar në zbardhjen e autorëve të mundshëm të krimit.

“Ka pista të ndryshme të hetimit. Për momentin s’kemi motiv të caktuar dhe s’kemi informata që të ndajmë me ju”.

“Nuk mund të flasim as për numrin e personave të dyshuar por vetëm jemi duke punuar në drejtim të identifikimit të kryerësve të këtij krimi tragjik”, është shprehur ai.

***

Gentiana Mustafaj dhe Ledjan Hamzaj janë dy nxënësit të vrarë sonte në Gllogjan pas të shtenave nga një person i maskuar qëlloj me kallashnikov mbi autobusin me 10 veta në të.

Krerët e shtetit kanë shprehur ngushëllime për rastin tragjik dhe kanë kërkuar që të kapet autori i krimit sa më parë.

Image
Gentiana Mustafaj dhe Ledjan Hamzaj

Mjekësia Ligjore merr trupin e pajetë të shoferit të autobusit në Gllogjan

Ekipi i Institutit të Mjekësisë Ligjore ka marrë trupin e pajetë të shoferit të autobusit që mbeti i vrarë në sulmin në Gllogjan.

Sipas Policisë së Kosovës, ai ka vdekur në vend, ndërsa dy nxënësit që ishin duke udhëtuar me këtë autobus vdiqën në spital.

Ata nuk mundën t’i mbijetojnë plagëve që morën nga arma e zjarrit.

Njësi të shumta policore, ekipet e forenzikës, prokuroria kanë dalë në vendin e ngjarjes për të filluar menjëherë me marrjen e provave të para nga ngjarja tragjike që ka ndodhur.

Policia: Sulmi nuk ishte akt terrorist

Zëvendësdrejtori i Policisë Rajonale të Pejës, Veton Elshani, ka deklaruar se dyshimet e para bazuar në hetime, tregojnë se sulmuesi i autobusit mund të ketë qenë i vetëm, në kryerjen e veprës së rëndë në Gllogjan të Deçanit sonte, ku vdiqën tre persona, shoferi dhe dy nxënës.

Numri dy i Policisë Rajonale të Pejës, përjashtoi mundësinë e ndonjë akti terrorist. Ndërsa tha se kanë angazhuar të gjitha njësitet elite policore të rajonit e shumë shpejt pritet t’iu bashkohen edhe ato nga Prishtina, të udhëhequra nga Drejtori i Përgjithshëm.

“Nuk mendohet e as bëhet fjalë për ndonjë akt terrorist. Nuk ka aso lajme që mund të qarkullojnë. Bëhet fjalë për ngjarjen tronditëse, vrasje të trefishtë dhe një të plagosur në gjendje stabile në spital. Kemi angazhuar të gjitha njësitet elite, njësiti me qen, specialët dhe shumë shpejt bashkohet edhe Prishtina, që nga Drejtori i Përgjithshëm. Kaq mund të them”, tha Elshani.

Ndërkohë njohësi i çështjeve juridike Ehat Miftaraj e ka cilësuar sulmin mbi autobusin me nxënës dhe vrasjen e trefishtë e ka quajtur sulm terrorist.

Dy të rinjtë e vrarë ishin studentë në Gjakovë, po ktheheshin për në shtëpi

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka folur për sulmin tragjik që ndodhi këtë të premte në Gllogjan ndaj një autobusi ku të vrarë mbetën tre persona.

Ai tha se është një dhimbje e madhe për qytetarët e kësaj komune.

“Gjithçka deri tash është paqartë dhe e dimë që bilanci është tragjik dhe sidomos në vigjilje të festave të nëntorit ku ne të gjithë jemi përgatitur për me e shpreh gëzimin tonë na ndodh kjo sot që dy nxënës të fshatit Gllogjan, një vajzë dhe një djalë, që janë studentë në Gjakovë duke u kthyer dikush ka dalë e ka gjuajtur autobusin. Shoferi ka vdekur në vend të ngjarjes, ndërsa dy nxënësit kanë ndërruar jetë në spitalin e Gjakovës. Një fatkeqësi tepër e madhe që shpresoj që këto veprime makabre të mos përsëriten në kombin tonë.

“Ishalla Zoti i forcon dhe i bën të përballojnë këtë dhimbje”.

Shoferi i vrarë në Gllogjan është nga Skivjani i Gjakovës

Kryetari i fshatit Gllogjan, Mustafë Selmani ka dhënë detaje për ngjarjen e rëndë ku mbeten të vrarë tre persona në fshatin Gllogjan.

Selmani ka thënë se shoferi i cili mbeti i vdekur në vendin e ngjarjes është nga fshati Skivjan i Gjakovës.

Image

Tragjedia që ndodhi në Deçan, la të vdekur dy nxënëse, shoferin e autobusit nga gjuajtja me armë nga një person.

Mësohet se shoferi i autobusit është Gani Gjokaj.

 Zëdhënësi i Policisë jep detajet e fundit: Kur u sulmua autobusi në të ishin tetë persona

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi ka deklaruar se rreth orës 19 policia është njoftuar se ka të shtëna drejt një autobusi në fshatin Gllogjan.

Image
Fadil Gashi

“Tetë persona kanë qenë, do të thotë autobusi ka qarkullu nga Gjsakova në Deçan dhe në fshatin Glloxhan, mirëpo një numër i nxënësve kanë ndaluar në fshatra të tjera".

Tutje ai bëri të ditur se në vend të ngjarjes ka mbetur i vdekur një person, kurse tre të tjerë janë dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë, ku kanë vdekur më pas dy nga ta.

Kurse në vend të ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante dhe policia është në kërkim të të dyshuarve.

Dyshohet se ky është motivi i sulmit me automatik në Gllogjan

Tre persona kanë vdekur dhe një person është plagosur pasi një person i maskuar ka sulmuar me automatik autobusin me nxënës në fshatin Gllogjan.

I vrarë në vend ka mbetur shoferi i autobusit dhe dy nxënës, të cilët janë dërguar pa shenja jete në spital.

Dyshohet se motivi i ngjarjes tragjike ishin mosmarrëveshjet që kishin mes vete pronarët e kompanive të autobusëve.

Përkundër informacioneve të dala se numri i të vrarëve ka arritur në katër, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi ka thënë se si pasojë e sulmit me armë të një autobusi në fshatin Gllogjan, tre persona kanë vdekur, si dhe një tjetër është plagosur.

​Drejtori i Spitalit të Pejës: Dy nxënës erdhën pa shenja jete, i treti është i plagosur

Drejtori i spitalit të Pejës, Skender Dreshaj tha se para një ore kanë pranuar tre nxënës, dy prej të cilëve kanë arritur pa shenja jete dhe një nxënës tjetër i plagosur.

“Para 1 ore janë sjellë në spital me armë dy pa shenja jete dhe një i plagosur me armë në këmbë dhe është jashtë rrezikut për jetë”, tha ai.

Dy nga nxënësit mësohet se janë nga fshati Gllogjan.

Ndërkohë raportohet edhe për vdekjen e personit të katër, gjë që ende nuk është konfirmuar.

Sulmi në Gllogjan/ Tri pista të dyshimta

 Sulmi i sontëm në Gllogjan, drejt një autobusi me nxënës, ishte shkaktar i vdekjes së tre personave.

Sipas burimeve, sulmi është kryer nga një person i dyshuar, i cili në momentin e sulmit ka qenë i maskuar dhë i pajisur me një armë të gjatë, me të cilën dyshohet të ketë shtënë në drejtim të autobusit.

Mësohet gjithashtu se hetimet mbi këtë sulm janë duke u realizuar në tri pista të dyshimta.

Kryetari i Gllogjanit rrëfen si ndodhi ngjarja tragjike: Një person i maskuar ka gjuajtur me automatik

Mustafë Selmani, kryetar i fshatit Gllogjan, ka folur për ngjarjen e rëndë që ndodhi sonte në këtë vend.

Ai ka thënë se dëshmitarët e ngjarjes kanë rrëfyer se një person me maskë ka gjuajtur me automatik, duke vrarë shoferin dhe dy nxënës, përcjell Bota sot.

Selmani ka thënë se shoferin e kanë gjetur të vdekur në vend, derisa nxënësit kanë vdekur duke u dërguar në spital.

Dy nxënësit e vrarë janë nga fshati Gllogjan

Kryetari i Deçanit Bashkim Ramosaj ka konfirmuar se tre persona janë vrarë sonte pas gjuajtjes me armë zjarri ndaj autobusit që po barte nxënësit.

“Shoferi ka vdekur në vend derisa dy prej nxënësve kanë ndërruar jetë në spital”, tha Ramosaj.

E në mesin e të vrarëve është edhe shoferi i autobusit, Gani Gjokaj.

Burime të medias bëjnë me dije se shoferi ishte nga fshati Skivjan i Gjakovës.

Image
Gani Gjokaj
Image

Ramosaj tha se autobusi po barte nxënësit nga Gjakova për në Deçan.

Ai tregoi se dy nxënësit, një djalë dhe një vajzë janë nga fshati Gllogjan, dhe mbiemrat e tyre janë Mustafaj dhe Hamzaj.

E konfirmuar: Dy nxënës dhe shoferi i autobusit mbesin të vrarë në Gllogjan 

Spitali i Pejës ka konfirmuar  se nga të shtënat me armë zjarri në Gllogjan kanë mbetur të vdekur dy nxënës dhe shoferi i autobusit.

Nga ky spital thanë se për numrin e të plagosurve nuk dihet por që autoambulanca është duke e bërë bartjen e  tyre nga komuna e Deçanit.

Nxënësit e vdekur nga ky rast i përkasin moshës 19 vjeç dhe 17 vjeç, ndërsa nxënësi ilënduar i përket moshës 17 vjeçare.

***

Selmon Berisha nga QKMF-ja e Deçanit ka njoftuar se tre persona kanë mbetur të vdekur nga tragjedia që ndodhi rreth dy orë më parë.

Berisha në një lidhje direkte në T7 tha se përveç 3 të vrarëve, ka mbetur i plagosur edhe një person, ku sipas tij është jashtë rrezikut për jetë.

“Një i plagosur ka plagë të lehta nuk ka rrezik për jetë”, tha Berisha.

Image

 

Tragjedia ne Gllogjan, këta janë emrat e nxënësve të vrarë

Media pak më parë raportoi për një vrasje që ka ndodhur në fshatin Gllogjan të Deçanit.

Media mëson se viktima është shoferi i autobusit, ndërsa të plagosur kanë mbetur gjashtë nxënës, tre prej tyre në gjendje të rëndë dhe tre pak më lehtë.

Spitali i Pejës ka konfirmuar se nga të shtënat me armë zjarri në Gllogjan kanë mbetur të vdekur dy nxënës dhe shoferi i autobusit.

Viktimat nxënës dyshohet se janë të shkollës së mesme, Genta Mustafaj, 17-vjeçare dhe Ledion Hamzaj, 18-vjeçar.

Ndërkaq, i plagosur dhe jashtë rrezikut për jetë është Fliant Turkaj, 16-vjecar

***

Gjashtë nxënës të plagosur nga atentati ndaj autobusit në Deçan

Nga atentati ndaj autobusit në Deçan ka mbetur i vrarë shoferi i autobusit, ndërsa të plagosur kanë mbetur gjashtë nxënës, tre prej tyre në gjendje të rëndë dhe tre pak më lehtë.

Shoferi i autobusit është nga fshati Skivjan.

Ndërsa kompania e autobusit është “Erblini” me seli në Gjakovë.

“Deri më tash personat që kanë gjuajtur me armë janë ende të panjohur, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00 dhe është sulmuar autobusi që po shkonte nga Deçani për në fshatin Gllogjan”.

***

Këta janë emrat e personave të vrarë në Gllogjan

Në mbrëmjen e së premtes tre persona kanë mebtur të vrarë në Gllogjan të Decanit.

Spitali i Pejës ka konfirmuar se nga të shtënat me armë zjarri në Gllogjan kanë mbetur të vdekur dy nxënës dhe shoferi i autobusit.

Nga ky spital thanë se për numrin e të plagosurve nuk dihet por që autoambulanca është duke e bërë bartjen e tyre nga komuna e Deçanit.

IO ka siguruar emrat e viktimave.

Ata janë; Gani Gjokaj – shoferi, Ledion Hamzaj dhe Gentiana Mustafaj.

***

Ka shkuar në katër numri i të vrarëve nga të shtënat me armë në drejtim të një autobusi në fshatin Gllogjan.

Siç ka mësohet, në vend të ngjarjes kanë vdekur shoferi dhe konduktori i autobusit, ndërsa më vonë, si pasojë e plagëve, edhe dy të rinj, të lindur më 2003, përkatësisht 2004. 

Gjendja e dy të plagosurve tjerë është stabile.

***

Dy persona kanë arritur pa shenja jeta dhe një tjetër i plagosur nga armët e zjarrit natën e sotme në spitalin e Pejës.

Drejtori i Spitalit Rajonal të Pejës, Skender Dreshaj ka konfirmuar numrin e viktimave.

“3 persona kane mbërritur në spital dy pa shenja jete, njeri me plagë si duket prej armës së zjarrit’, tha Dreshaj.

Ndërkohë sipas tij, personi i tretë i plagosur, gjithashtu i moshës së re, është në gjendje stabile.

***

Në fshatin Gllogjan të Deçanit para pak minutash dyshohet se ka ndodhur të shtëna me armë zjarri ndaj një autobusi me nxënës.

Media merr vesh nga burime se kanë mbetur të vdekur tre persona.

Nxënësja ka vdekur në spital, ndërsa shoferi i autobusit në vendin e ngjarjes.

***

Dy persona kanë mbetur të lënduar pas të shtënave me armë zjarri në drejtim të një autobusi në fshatin Gllogjan të komunës së Deçanit.

Këtë e bëri të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

“Mund të ju konfirmoj se ka pasur të shtëna me armë zjarri në drejtim të autobusit, për momentin janë dy të lënduar”, është shprehur Gashi.

***

Në fshatin Gllogjan të Deçanit para pak minutash dyshohet se ka ndodhur nje vrasje dhe disa të plagosur.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikqi ka konfirmuar se ka teë shtëna me armë zjarri ndaj një autobusi me nxënës.

“Dyshohet se ka te shtena me arme zjarri ne drejtim te nje autobusi me nxenes, prokurorja kujdestare eshte nisur ne drejtim te vendit te ngjarjes”.

Media merr vesh nga burime se ka të plagosur dhe të vrarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat