Autorët e vrasjes së Jusuf Haklajt dhe Sebehate Tolajt janë bandat kriminale dhe këlyshët e UDB-së!

Aktuale

Autorët e vrasjes së Jusuf Haklajt dhe Sebehate Tolajt janë bandat kriminale dhe këlyshët e UDB-së!

Nga: I. M. Më: 28 nëntor 2021 Në ora: 19:59
Bekë Osmani, autori me Isuf Haklajn në Karaullën e Kosharës, maj 1999

Dhembjet e miqëve nuk pushojnë kurrë, por për miqtë e luftës duket se dhimbjet janë edhe më të mëdha. E tillë është ajo e veteranit të luftës, Bekë Osmanit, bashkëluftëtarit Sali Çekut e të Agim Ramadanit, njëri nga luftëtarët më të shquar.

Bekë Osmani e ka kujtuar sot komandantin e policisë ushtarake në Koshare Jusuf Haklajn, duke e risjellë një shënim të tij të bërë nga ai me rastin e 17 vjetorit të vdekjes. Isuf Haklaj për katër ditë me radhë luftoi me vdekjen, pas atentatit të bërë ndaj tij dhe Sebehate Tolajt, e cila mbet e vdekur në vend. Atentati ishte bërë pasi këta e kishin hetuar me shumë seriozitet dhe mund t’i zbulonin shpejt atentatorët dhe porositësit e vrasjes së kolonelit Tahir Zemajt, së bashku me djalin Enisin dhe kushëririn Hasanin.

Sipas Osmanit, autorët e vrasjes janë bandat kriminale dhe klyshët e UDB-së!

Në vijim shkrimi i Bekë Osmanit,

Sot 17-të vite më parë, me datë 28 Nëntor 2003 pushoi së rrahuri zemra e atdhetarit, veprimtarit, nacionalistit, luftëtarit, dhe Komandantit të Kompanis së Policisë Ushtarake të Brigadës 138 "Agim Ramadani" t'pavdekshmit Isuf Haklaj.

Në orët e mëngjesit të datës 24 nëntor 2003 gjatë rrugës për në vendin e tij të punës (Stacioni i Policisë në Pejë) u goditen në pabesi me breshëri plumbash Isuf Haklaj dhe Sabahate Tolaj, ku në vendin e atentatit mbeti e vdekur oficerja e Policisë së Kosovës, Sabahate Tolaj, ndërsa Isufi i mbijetoj atentatit për katër ditë radhazi në një gjendje tepër të rëndë, për t'i mbyllur sytë mu në ditën e e festës së flamurit kombëtar dhe Pavarësisë së Shqipërisë.

Mallkuar qofshin ata që kanë dhënë urdhër, sepse vetëm klyshët e OZN-ës dhe UDB-së në emër të "patriotizmit" goditin pas shpinës dhe në mënyrën më qyqare, dhe t'pabesë... gjithmonë bandat mafioze dhe kriminale, të cilat ishin dhe janë të interesuar që rendi dhe ligji në institucionet tona të mos funksiononte ashtu siç kërkohet në shtetin ligjor.

Përjetova shumë dhimbje para luftës, si vrasje të bashkëfshatarëve të mi në demostratat e vitit 1989, në Deçan dhe Pejë, përjetova dhimbje dhe derdhje gjaku të studentëve (shokëve të mi) në demostratat e vitit 1989, 1990 e tutje, në Prishtinë dhe në qendra të tjera të Kosovës, përjetova vrasje dhe dhimbje për luftëtarët e lirisë në fshatin tim në Isniq dhe më gjerë (1998) përjetova dhimbje për vrasjen e komandantëve dhe bashkëluftëtarëve në frontin e Koshares, përjetova dhimbje të madhe për vrasjen e djalit të axhës në Burgun e Dubravës (maj 1999 ) përjetova dhimbje të madhe për vrasjen e dy tezakëve të mi, (qershor, 1998), pra isha shumë me moral të fortë përkundër dhimbjes që kisha, sepse këta u vranë nga forcat policore dhe ushtarake nga shteti pushtues serbë.

Vrasja në kohë paqeje e luftëtarëve të lirisë, nga bandat kriminale dhe klyshët e UDB-së për mua ishte goditja dhe dhimbja më e madhe që e përjetova deri më tani... një jetë të tërë në shërbim të Atdheut, ia kushtoi Isuf Haklaj deri në ditën e vrasjes kriminale nga faqezinjtë që nuk janë për rend dhe shtet ligjor.

Nuk ka post, para, gradë, dhe as pasuri që mund t'më gjunjëzojnë para bandave mafioze dhe kriminale, këlyshëve të UDB-së, vrasësve të pa besë, pra edhe në qoftë se është nevoja edhe me çmimin tim kapital (jetën time).

Lavdi, dhe i përjetshëm qoftë kujtimi o i madhi, dhe i paharruari Isuf Haklaj!

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat