​Kurti në hapjen e Kursit të Sigurisë Publike: Diplomacia e sotme duhet të mbështetet në parimet e paqes dhe demokracisë

Aktuale

​Kurti në hapjen e Kursit të Sigurisë Publike: Diplomacia e sotme duhet të mbështetet në parimet e paqes dhe demokracisë

Më: 30 nëntor 2021 Në ora: 18:32
Kryeministri Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti deklaroi sot se Kosova është e gatshme dhe e përkushtuar të vazhdojë të kontribuojë për stabilitetin afatgjatë dhe paqen e qëndrueshme të rajonit dhe më gjerë.

Ai këto komente i bëri në hapjen e Kursit të Sigurisë Publike të bashkorganizuar nga Akademia Diplomatike e Kosovës dhe Akademia e Kosovës për Siguri Publike.

Në këtë trajnim që organizohet me qëllim të tërheqjes së vëmendjes, diskutimit dhe shkëmbimit të përvojave mbi sfidat ndërkombëtare të sigurisë, po marrin pjesë zyrtarë policor nga mbi dhjetë shtete.

“Republika e Kosovës, si shtet i ri, që ndër të tjera shquhet për diversitetin e saj kulturor, etnik dhe fetar, me bukuritë e saj natyrore dhe mikpritjen e qytetarëve të saj - është shembull i gjallë i "unitetit në diversitet", tha kryeministri.

Ndërsa Kosova rritet si shtet, ne vazhdimisht përpiqemi të shërbejmë si model për botën; si një vend ku komunitete dhe kultura të ndryshme jetojnë në paqe, pavarësisht nga një e kaluar e mbushur me luftëra dhe gjakderdhje”, shtoi ai.

Kurti theksoi gatishmërinë për të vazhduar kontributin për stabilitetin afatgjatë dhe paqen e qëndrueshme të rajonit dhe më gjerë, duke zgjeruar bashkëpunimin me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerë të tjerë.

“Pikërisht fakti që bota po ndryshon me një shpejtësi të jashtëzakonshme, veçanërisht gjatë dy dekadave të fundit, fati i shoqërive tona dhe i vendeve tona e ka bërë botën tonë më të ndërlidhur dhe të ndërvarur se kurrë”, tha ai.

Kurti theksoi se në të njëjtën kohë, kjo i ka bërë detyrat e policisë më komplekse dhe sfiduese.

“Diplomacia e sotme duhet të mbështetet, më shumë se kurrë më parë, në parimet e paqes dhe demokracisë, stabilitetit dhe progresit, në mënyrë që të sigurojë një botë më të drejtë, të lirë të begatë të jetueshme”, u shpreh ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat