Profesori Sadri Ramabaja ka komentuar deklaratat e Abelard Tahirit i cili kërkoi që vendi të shkonte në zgjedhje.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka kërkuar që ngërçi parlamentar të zgjidhet përmes zgjedhjeve të reja në vend.
Ai në një konferencë për media tha sot se mazhoranca nuk e ka vullnetin për të qeverisur.
“Ngërçi parlamentar do të zgjidhej më së mirë me zgjedhje të reja dhe meqenëse kemi hyre në një krizë të njëpasnjëshme të Kuvendit të Kosovës, siç duket mazhoranca është në një krizë të thellë pas zgjedhjeve të 14 nëntorit po shohim që nuk e kanë vullnetin me qeverisë. Nuk e kanë vullnetin me qenë prezent në Kuvend. Ju e keni parë nuk janë as ministrat, as deputetët. Kjo mazhorancë i ka dy drejtime. Ja duhet ta kthejë mandatin te populli, ose duhet me qeverisë vendin. Këta janë duke abstenuar realisht”, ka thënë Tahiri.
Mirëpo Ramabaja tha se nuk i merr seriozisht këto deklarata nga ky njeri.
“Këtë nuk e marrë seriozisht. Në fakt më bëri të qeshë. As vetë nuk i besonte fjalët që i thoshte. Më vjen keq për PDK-në, që është vazhdimësi e LPK-së, që ka rënë në këtë gjendje ku ky person është shef i grupit parlamentar”, tha Ramabaja në emisionin Pressing në T7.