Çerkini: Zemrat e familjarëve të personave të pagjetur nuk shërohen

Aktuale

Çerkini: Zemrat e familjarëve të personave të pagjetur nuk shërohen

Nga: F.B. Më: 2 dhjetor 2021 Në ora: 13:03
Bajram Çerkini

Me pjesëmarrjen e shoqatave të personave të pagjetur nga dy anët e qytetit të Mitrovicës, përkatësisht të pjesëmarrësve nga të gjitha komunitetet që jetojnë në këtë qytet përfshire serbët, boshnjakët turqit dhe komunitetet tjera, në organizim të Qendrës Burime për personat e zhdukur, u mbajt tryeza e përbashkët me anëtar të Komisionit qeveritar për të pagjeturit, policinë e Kosovës dhe ambasadorin zvicran Rudi Severin.

Kreu i shoqatës “Zëri i Prindërve” dhe nikoqiri i tryezës Bajram Çerkini, ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen nga ambasadat e huaja, për projektet edhe aktivitetet e shoqatave të personave të pagjetur dhe mundësinë që të gjithë ata që përballen me mungesën e familjarëve të vetë pa dallim nacionaliteti të tubohen, diskutojnë dhe shprehin qëndrimet edhe kërkesat e veta lidhur me zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

“institucionet tona qendrore edhe ato ndërkombëtare duhet të bëjnë presion që çështja e personave të pagjetur si çështje humanitare të mos politizohet por të zgjidhet dhe njëherë e mirë familjarët të lehtësojnë dhembjen qe vazhdon të zgjatet deri në agoni, por edhe duke shkuar shumë prindër nga kjo botë pa ditë për bijtë edhe të afërmit e vetë” ka thënë Çerkini.

Ai njoftoi se vetëm gjatë një viti, 8 prindër që kanë pasur fëmijë edhe familjarë të pagjetur kanë ndërruar jetë (2 në veri edhe 6 në jug të qytetit), duke ikur nga kjo botë me brengën dhe mallin për zbardhjen e fatit të familjarëve të vetë.

Ambasadori zviceran Rudi Severin theksoi se duhet fuqizuar puna dhe përpjekja e përbashkët që të zbardhet fati i secilit person, pasi nuk do ketë qetësi në zemrat e familjarëve të pagjeturve, duhet angazhim i secilit mbi të gjitha institucioneve që të mbështetën aktivitetet e këtilla, duke shpresuar në përmbylljen e procesit me zbardhjen e fatit të secilit të pagjetur.

Faik Dili nga sektori për të zhdukurit në Policinë e Kosovës falënderoi Zvicrën për projektin e angazhimit të 6 personave nga komunitetet për skenimin e dokumenteve për të pagjetur, projekt ky i realizuar së bashku me Qendrën Burimore, ku janë skanuar mbi 5700 dosje.

Më pas rreth hallit dhe brengës shumëvjeçare kanë fol Halil Ujkani që ka 5 djem të zhdukur, që theksoi se “djemtë mi kanë marr të gjallë, unë i kërkoj të gjallë, po nëse jo të gjallë i dua të vdekur”, duke insistuar në imazhe satelitore dhe hapjen e dosjeve të Serbisë për zbardhjen e fatit të djemve të vetë.

Motra e dr Adem Ademit , Lutfije Ademi Vokshi po ashtu tha se vetëm hapja e dosjeve të mbrojtjes territoriale e policisë dhe imazhet satelitore mund të zbardhin vendndodhjen e varrosjes së grupit të 23 intelektualëve të vrarë në Dreth.

Radmila Shmikiq-Rakiç theksoi se ka të zhdukur dy prindër të vjetër, ndërsa ajo tash ka 73 vjet e ende nuk di asgjë për ta sikurse as për tre kushërinj tjerë të rrëmbyer në luftë.

Zbardhjen e fatit të familjarëve e kërkuan edhe Ismet Zasella që ende kërkon babën dhe Nezir Avdyli që ka gjetur njërin djalë të zhdukur, ndërsa nuk di ende asgjë për tjetrin.

Negovan Mavriç theksoi se lufta nuk sjell të mira, shkakton dëme edhe le plagë, por duhet të angazhohemi për zbardhjen e fatit të secilit persona të pagjetur, duhet të bëhen projekte të përbashkëta me të rinj për të krijuar bashkëpunimin dhe bashkëjetesën.

Lidhur me hallet e veta për më të dashurit folën edhe Sevdije Osmani që ka dy djem të pagjetur, Dragisha Kurtiç që ka të pagjetur gjyshin dhe Kadri Isufi që ka të pagjetur 3 familjarë.

Kokludim i kësaj tryeze ishte se duhet vazhduar bashkëpunimi mes shoqatave dhe presioni i përbashkët në institucione që të zbardhet fati i personave të pagjetur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat