Imeraj: Skandaloz verdikti i Kushtetuese për Manastirin e Deçanit

Aktuale

Imeraj: Skandaloz verdikti i Kushtetuese për Manastirin e Deçanit

Më: 2 dhjetor 2021 Në ora: 23:01
Shkodran Imeraj

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2016, i cili e bën Manastirin e Deçanit pronar të 24 hektarëve tokë, është antiligjor dhe antikushtetues, thotë Shkodran Imeraj, kryetar i Lidhjes së Historianëve të Kosovës, dega në Deçan.

Sipas Imerajt, ky vendim i Gjykatës Kushtetuese ishte skandaloz, pasi i legjitimoi vendimet e Millosheviqit, të cilat nuk ishin pranuar në atë kohë as nga vetë shtetet e QUINT-it.

”Lidhja e Historianëve të Kosovës dhe ne si bartës të atij organizmi e konfirmojmë që Manastiri i Deçanit është një monument i respektuar i kulturës dhe i të kaluarës sonë historike dhe assesi gjitha këto reagime tona nuk kanë të bëjnë me atë tempull fetar, gjithë ato reagime dhe qëndrime tona kanë të bëjnë me kreun e kësaj kishe, i cili padrejtësisht, edhe me përkrahjen e faktorit ndërkombëtar, ka rritur presionin ndaj institucioneve të Kosovës për t’i bartur në pronësi të Manastirit të Deçanit rreth 24 hektarë tokë, duke u thirrur në një vendim antikushtetues dhe antiligjor që ka marrë Gjykata Kushtetuese e Kosovës në maj të vitit 2016”.

”Kur themi vendim antikushtetues dhe antiligjor natyrisht që ne duhet ta argumentojmë përse, dihet që nga marsi i vitit 1989 deri në qershor të vitit 1999, Serbia ka marrë me qindra vendime për Kosovën dhe natyrshëm pjesë e këtyre vendimeve janë edhe dy akte faljeje, njëra e vitit 1993 dhe tjetra e vitit 1997, në bazë të të cilave i është falur prona në fjalë, pra rreth 24 hektarë tokë dhe ne mendojmë se ky është veprim i papranueshëm, sepse e dimë që të gjitha këto shtete të Quint-it, ose përfaqësuesit e këtyre shteteve të Quint-it, në vitet 1998-1999, i kanë luftuar këto ligje diskriminuese të Millosheviqit dhe për ne është pak paradoksale kur dihet se këto vendime të periudhës 90-99 edhe administrata e Kombeve të Bashkuara i ka shpallur null, do të thotë i ka shpallur të pazbatueshëm, Është shumë paradoksale se si Gjykata Kushtetuese në Kosovë, në krye me Arta Rama-Hajrizin, në maj të vitit 2016, e ka sjellë një vendim shumë skandaloz dhe është një vendim precedent, por edhe raste të tjera që mund të ndodhin me kërkesat që do të vinë nga kishat serbe dhe ne për këtë arsye e kemi parë që është goxha një presion i rritur i faktorit ndërkombëtar, qoftë ndaj komunës, qoftë ndaj Agjencisë Kadastrale të Kosovës për të bartur pronën”, tha Imeraj.

Imeraj shtoi se Gjykata Kushtetuese, me vendimin e saj për Manastirin e Deçanit, ka kaluar në pronësi të këtij manastiri, jo vetëm prona të ndërmarrjeve publike, por edhe prona private të qytetarëve të Deçanit.

”Ne e kemi parë vetëm një rrugë, e para, rrjedh pyetja se përse shtetet e Quint-it kanë kaq urgjencë të zbatohet një vendim kur dihet se 40 mijë qytetarë të Deçanit janë kundër këtij vendimi, nën një, e dyta, në momentet kur Kosova do ta përfundojë shtetndërtimin e saj, ne kemi të drejtë që këtë vendim ta dërgojmë në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut dhe faktikisht nuk e di përse dhe mediat nuk i kushtojnë rëndësi. Këto janë dhe prona private të qytetarëve të Deçanit, jo vetëm prona të ndërmarrjeve. Pra vendimi i Gjykatës Kushtetuese kap dhe rreth 3-4 prona që janë titullarë banorët e Deçanit. Nuk e di se si Gjykata Kushtetuese e sjell një vendim të tillë, duke shkelur të drejtën më elementare të njeriut, pra të marrë pronën dhe t’ia falë tempullit fetar”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat