Raportimet për ngjyrosje të autoblindave të FSK-së, Bekë Berisha tregon të vërtetën

Aktuale

Raportimet për ngjyrosje të autoblindave të FSK-së, Bekë Berisha tregon të vërtetën

Më: 3 dhjetor 2021 Në ora: 14:57
Bekë Berisha

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Siguri, Bekë Berisha, i ka quajtur të pavërteta dhe trillime raportimet për ngjyrosje të autoblindave të FSK-së dhe përdorimin e tyre nga Policia e Kosovës.

Në një konferencë për media pas raportimit të ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj, Berisha tha se është siguruar nga ky i fundit se çdo herë kur vendi merr kontingjent të armatimit nga ShBA, vjen edhe nota diplomatike për mënyrën e përdorimit të tyre.

“Këto nuk janë të vërteta, ka pas pyetje të deputetëve, janë kryesisht manipulime dhe lajme. Këtu kemi të bëjmë me Ushtrinë e Kosovës, edhe ne si deputetë edhe ju si gazetarë e kemi ndjenjë Ushtrinë e Kosovës. Duhet pasur kujdes në prodhimin e këtyre lloj rrenave dhe manipulimeve se Kosova, apo Ushtria e Kosovës ka dashur të përfshihet në një operacion policor.

Ne aspirojmë NATO-n, s’ka nevojë pasi kemi blinda të Policisë së Kosovës boll dhe ajo është e zonja t’i menaxhojë këto situata. Këto janë disa trillime të panevojshme… Gjithë herë kur marrim kontingjent armatim ose diçka vjen ajo si vërejtje ose letër. Nuk ka notë proteste apo diplomatike në kundërshtim me diçka. Ajo është përpara aty dhe pastaj është lulëzu nga disa medie”, theksoi Berisha.

Ndërrimin e komandantit të FSK-së, deputeti opozitar e konsideroi si aspekt normal që ndodh në demokraci.

“Emërimet dhe ndërrimet janë normale, ndodhin, do të ndodhin edhe në të ardhmen. Nuk ka diçka që mundem të potencoj”, shtoi ai.

Sa i përket gjendjes së sigurisë në vend dhe rastit të fundit në Gllogjan, Berisha tha se është shqetësuese dhe se dorasi duhet të dalë para drejtësisë sa më shpejt.

“Këto janë shqetësuese sidomos rasti në Gllogjan ku u vranë një shofer dhe dy fëmijë. Mirëpo, si komision kur të ftojmë ministrin e Punëve të Brendshme dhe drejtorin e Policisë i trajtojmë këto tema”, tha Berisha.

Konferencën për medie, Berisha e mbajti pasi një pjesë e raportimit të ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj u mbajt e mbyllur për medie.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat