Rreziku nga varianti Omicron – rikthehet vaksinimi gjatë vikendeve, MSh fton qytetarët për t’u vaksinuar

Aktuale

Rreziku nga varianti Omicron – rikthehet vaksinimi gjatë vikendeve, MSh fton qytetarët për t’u vaksinuar

Më: 5 dhjetor 2021 Në ora: 08:32
Foto ilustrim

Varianti Omicron i  cili së fundi është paraqitur në disa vende të botës, ka bërë që në Kosovë institucionet shëndetësore të marrin masa të reja për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Ndonëse në vendin tonë ende nuk është konfirmuar ndonjë rast me variantin Omicron, Qeveria  e ka parë të arsyeshme që të marrë masa parandaluese.

E si rrjedhojë e kësaj, Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që kanë marrë një dozë të vaksinës kundër coronavirusit, që ta marrin edhe dozën e dytë për të fituar mbrojtje më të madhe nga ky virus.

“Duke qenë se një numër i qytetarëve pas marrjes së dozës së parë të vaksinës, nuk shkojnë për të marrë dozën e dytë në periudhën brenda katër javësh (28 ditë pas marrjes së dozës së parë), Ministria e Shëndetësisë, i rikujton kësaj kategorie të qytetarëve se certifikata e tyre me vetëm një dozë do të përdoret si dëshmi vetëm nëse ajo është jo më e vjetër se katër javë apo nëse testi RT-PCR është kryer në 48 orët e fundit krahas marrjes së një doze”, është thënë në njoftimin e Ministrisë.

Në kuadër të kësaj, me vendim të Komitetit për vaksinim  të MSH-së, ka rifilluar vaksinimi edhe gjatë vikendit.

Kujtojmë se ditë më parë ministria ka njoftuar se vaksinimi mund të kryhet në cilëndo qendër të vaksinimit dhe pa caktuar terminë.

Në 24 orët e fundit janë dhënë 2 mijë e 777 doza të vaksinës. Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.624.584 doza të vaksinës. Deri më sot 765.669 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.

Qytetarët e Kosovës mund të vaksinohen me vaksina të kompanive: Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca.

Kujtojmë se sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, nga 6 dhjetori qytetarët që kanë vetëm një dozë të vaksinës do të duhet të kenë edhe një test negativ PCR në coronavirus, i cili do të jetë i vlefshëm për 48 orë, në mënyrë që të hyjnë në Kosovë.

Me masat aktuale, hyrja në Kosovë mundësohet me test negativ PCR.

Mbajtja e maskës do të vazhdojë të jetë obliguese edhe me masat e reja, ashtu si edhe kufizimi i lëvizjes nga mesnata deri në orën 05:00.

Në 24 orët e fundit janë konfrimuar vetëm 4 raste të reja, kurse në total numri i rasteve aktive me coronavirus është 324. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat