Pesë vjet para ekzekutimit Hashim Thaçi e kishte etiketuar Behajdin Hallaqin si spiun të UDB-së/ Kufoma ende nuk i është gjetur

Aktuale

Pesë vjet para ekzekutimit Hashim Thaçi e kishte etiketuar Behajdin Hallaqin si spiun të UDB-së/ Kufoma ende nuk i është gjetur

Nga: Idriz Morina Më: 5 dhjetor 2021 Në ora: 11:09
Foto ilustrim Hashim Thaçi në gjykatën speciale në Hagë, dhe portreti i Behajdin Hallaqit

Vite më parë në letrat e tij të famshme Murat Jashari, tani i ndjerë, e akuzonte Hashim Thaçin se padrejtësisht e kishte njollosur Behajdin Hallaçin, një veprimtar i ilegales në Kosovë, si bashkëpunëtor të UDB-së.

Po me këtë akuzë u arrestua dhe po mbahej në burgun e Kleçkës. Nga atje një natë u nxor për t’u mos u kthyer kurrë më i gjallë!

Ndërtimi i akuzës!

Në linjë me këto pohime, vijnë dëshmi të reja, të pohuara nga dëshmitarë të ngjarjeve. Njëri prej tyre është Ibrahim Kelmendi, i cili në një letër të tij publike, polemizuese, shfaq të dhëna befasuese për Hashim Thaçin. Ai i referohet një takimi, që e quan mbledhje të LPK-së, të mbajtur në Maqedoni, në vitin 1993, në një fshat të Kërçovës, ku kishin marrë pjesë edhe disa nga ata që do të deklaronin se janë udhëheqës të luftës në Kosovë, si Azem Syla, Hashim Thaçi, Ali Ahmeti, Behajdin Hallaqi, Bilall Sherifi etj. Pas mbledhjes, sipas këtyre informacioneve dikush e kishte dekonspiruar takimin, dhe kishin ndodhur arrestime nga policia e Jugosllavisë (Maqedonia tashmë ishte e pavarur).

“... kuadrot e Lëvizjes mezi ia kanë dalë të organizojnë një mbledhje në prill 1993, e mbajtur në Kollare të Kërçovës (Makedoni). E kanë quajt “mbledhje konsultative”. Pjesëmarrës: Gafurr Elshani, Ahmet Haxhiu, Ali Ahmeti, Adnan Asllani, Hashim Thaçi, Azem Syla, Behajdin Allaçi, Adem Grabovci, Bilall Sherifi, Halil Selimi, Xhavit Haziri, Ramadan Avdiu, Hidajete Krasniqi, Hysen Gega, Ramadan Pllana, Ilaz Kadolli, Fadil Bajrami, Musa Demiri, Bexhet Luzha, Fatmir Brajshori, etj. Ajo Mbledhje ka zgjedh “grupin e organizimit”, për thirrje dhe organizim të Kuvendit të Katërt. Udhëheqës grupi Adnan Asllani, anëtarë Ramadan Avdiu, Behajdin Allaqi, Bilall Sherifi. Meqë Hashimi po mbetej “jashtë historisë”, aty për aty e akuzon Behajdin Allaqin si spiun i UDB-së. Behajdini dëshpërohet, jep dorëheqje nga Grupi i organizimit. Katapultohet Hashimi. Pasojnë arrestimet...”, shkruan Kelmendi.

Nëse kjo është e vërtetë dhe pretendimet që i ngrit më herët Murat Jashari në letrat e tij, duket që Hashim Thaçi në luftë do të hakmerrej ndaj kundërshtarëve personal apo njerëzve me të cilët mund të ketë pasur konflikte.

Sipas letrave të Murat Jasharit, vëlla me Ismet Jasharin, i njohur si komandant “Kumanova”, i vrarë në rrethana të dyshimta, Behajdin Hallaqi dhe Shaban Shala mund të jenë likuiduar nga Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, sepse këta ishin të fundit, që u ndanë nga ai.

Informimi për vrasjen e paralajmëruar

Murat Jashari, i njohur për letrat e tij me pyetje i akuzonte hapur për vrasje Thaçin dhe Veselin, dhe për akuzat e bëra askush nuk u përgjigj kurrë: “Ti dhe Kadri Veseli e morët Shefin Politik të UÇK-së, krahun e djathtë të Ukshin Hotit apo jo?”. Sipas rrëfimeve të tij, Murat Jashari e kishte kuptuar nga vëllai i tij Ismeti se ishin arrestuar Behajdin Hallaqi dhe Shaban Shala, të cilët po akuzoheshin si spiun të Serbisë.

“Pastaj Ismeti vazhdoi:

– “Naj kanë pru këtu në Kleçkë dy vetë, i kemi në burg. Kishin qenë udhëheqës të Lëvizjes dhe na kanë thënë se shpiuna janë”.

Unë e pyeta, si i kishin emrat?

-“BEHAJDIN ALLAQI DHE SHABAN SHALA”.

Unë fillova ta përdori memorien, meqenëse isha shumë i lodhur, dhe më erdhi shpejt një mendim, ndoshta edhe jo më i miri.

– “Nuk e dijë gagës se si është organizimi momental tek ju, por mos zbato asnjë urdhër sa i takon atyre dy vetëve. Le të merren ata ma të „mëdhenjtë“ me ta. Ky emër Behajdin pak më është i njohur, nuk e dij nga po më vjen se nga kam dëgjuar, kurse për atë tjetrin nuk paskam dëgjuar””, pohonte në rrëfimet e tij në vitin 2012 Murat Jashari, të shkruara si kujtime.

Pra, pas rreth pesë vitesh nga takimi në afërsi të Kërçovës, tashmë përveç akuzës Hallaçi ndodhej i arrestuar në Kleçkë, dhe i rrezikuar seriozisht për jetën.

Murati pavarësisht që nuk e njihte po bënte përpjekje nëse do të mund t’i shpëtonin Hallaqin dhe Shalën, pavarësisht që sipas tij nuk njihej me ta, përveç se kishte dëgjuar për njërin prej tyre.

Ai e kishte kontaktuar Xhavit Halitin, por ky përveç se e informon që është në dijeni dhe se i ka kërkuar “Abazit” të merrej me rastin, i kërkon që Murati të mos e ‘përhapte’ lajmin.

“E kreva bisedën me tim vëlla dhe menjëherë ju lajmërova Zekës (Xhavit Halitit). Zeka më tha se është i informuar për këtë punë. Kam informuar Abazin (Ali Ahmetin), ky nuk e kishte ditur dhe më tha, do të interesohem dhe më porositi që mos ta përhapi si lajm”, shkruante Murati.

Ky mesazh i Xhavit Halitit, nuk është i parëndësishëm, pasi i ndërlidhë ngjarjet dhe rrëfimet.

Murat Jashari në pyetjen e 66 në letrën publike dërguar Thaçit në vitin 2012, në mënyrë eksplicite e akuzon për vrasje: “66. Pse e vratë Behadin Allaqin shefin politik të UÇK-së?”.

Sipas Jasharit, Behadin Allaqi, ishte kryetar i Lëvizjes së Frontit të Rezistencës së Kosovës, të cilën e përbënin “Ukshin Hoti, Sokol Dobruna, Remzi Hoxha, Ali Uka, Avdyll Krasniqi (ati i Gjevë Lladrovcit), Zahir Pajaziti dhe shumë të tjerë…”

Sipas Muratit kjo organizatë i kishte dërguar njerëzit e parë në trajnim në Shqipëri. Sipas tij LFRK-ja ishte dega politike ilegale e UNIKOMB-it të Ukshin Hotit. Ndërsa, Behadin Hallaqi ishte krahu i djathtë i Ukshin Hotit.

Sipas Muratit, Hallaqi ishte shef politik i UÇK-së. Këtë e konfirmon në pyetjen e 76: “Pse ti me Kadri Veselin e keni vrarë shefin politik të UÇK-së?”.

Ai më tej i akuzon edhe për zhdukje të kufomës: “Ti Hashim bashkë me Kadri Veselin keni vrarë me një plumb në krye Behadin Allaqin dhe e keni zhdukur kufomën e tij, apo jo?”

Disa nga pyetjet tronditëse të Murat Jasharit për Hashim Thaçin

77. Pse SHIK-u ka vrarë patriotët si Remzi Hoxhen, Ali Uken zëdhënësin e parë të UÇK-së, shefin politik të UÇK-së Behadin Allaqin?

78. Ju SHIK-u keni bë propagandë se Remzi Hoxha është njeriu i serbisë, pse?

79. Ju SHIK-u keni bërë propagandë se anëtarët e familjes Jashari janë të Serbisë, pse?

80. Ju SHIK-u keni bërë propagandë se Adem Demaçi është i Serbisë, keni lëshuar disa dokumenta në Kosovë për të faktuar kinse është spiun, pse?

81. Ju SHIK-u keni krijuar propagandë kundër të gjithë patriotëve, pse?

82. Pse ti me shokët e tu ke bërë propagandë denigruese për të gjitha familjet patriotike?

83. Pse SHIK-u apo UDB-ja ka organizuar kurthet ndaj patriotëve si për Zahirin?

84. Deri në mars/prill të 1998 ke qëndruar në Zvicer mos gaboj?

85. Mbas ofensivës të Rahovecit ku ke qendruar në Kosovë?

86. A është e vërtetë se ke qëndruar në Prishtinë?

87. Ushtarët e UÇK-së kanë luftuar, por ti si Shef i shumë kërkuar nga Serbia (pa i bërë asnjë dëm) ku je strehuar?

88. Ke qenë në një vend shumë të sigurt në Prishtinë!?

89. Te kush ke qenë?

90. Ke mundesi t’i tregosh popullit!?

91. A e dini o popull!!!!? Ku ka qenë ky alamet Drejtor i Drejtorisë Politike i UÇK-së!!?

92. Zotëri Hashim Thaçi ishte strehuar tek Faik Morina në Prishtinë njeriu i Arkanit!!!

93. A është kështu mor adalet superkomandant???

94. Faik Morina ishte i vëllazëruar me Arkanin dhe bile dilte në televizion bashkë me të, zotëri Thaçi?

95. Ti, te jarani, te vëllau i Arkanit ke pasur konak.

96. Shef i UÇK-së dhe i SHIK-ut Hashim Thaçi, Kadri Veseli ishin strehuar te vëllau i ARKAN-it!!!???

97. Nëse nuk është e vërtetë dil dhe demantoje këtë!!!!!

98. Prej Prishtinës Hashim a ke dal në Maqedoni?

99. Kush ta aranzhojke këtë kalim?

100. Kush të përcillte deri në Maqedoni?

101. A të kalojke Billal Ceka?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat