Rrëfimi emocionues – Si u vra babai i Safet Gërxhaliut duke ndihmuar fqinjët

Aktuale

Rrëfimi emocionues – Si u vra babai i Safet Gërxhaliut duke ndihmuar fqinjët

Më: 6 dhjetor 2021 Në ora: 08:33
Safet Gërxhaliu

Një rrëfim i padëgjuar më parë për vrasjen e Xhem Gërxhaliut nga forcat serbe është përshkruar nga bashkëfshatari i Xhemës, Selim Izmaku.

Xhem Gërxhaliu ishte babai i njohësit të çështjeve ekonomike dhe ish kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, i cili në kohën kur babai i tij u vra ishte në mërgim.

E bashkëfshatari i tyre Selim Izmaku, me anë të një postimi në “Facebook”, i’a ka dedikuar një shkrim emocionues Xhem Gërxhaliut, i cili më të dëgjuar brima fëmijësh dhe grash shkoj tek fqinjët e tij për t’u ndalë në ndihmë, mirëpo ai së bashku më dymbëdhjetë fqinjët e tij u vra nga forcat paramilitare serbe.

Postimi i plotë i Selim Izmakut:

Sahere vjen data e tridhjetë e një Majit përplaset një gjamë… Ushton gryka… e qielli vranët …rënkon toka si klithmë… si ndërgjegje e vrarë…Atë ditë u vranë dymbëdhjetë andrra ….vranë fëmijë…këputen jetë!. Lajmi kobtar mori dhëne e vranë krejt familjen e Selatinit dhe bacin Gjemë

Sot baci Xhemë po shkruaj për Ty. Legjenda mbi sakrificën e njeriut për vëllain kojshi po përsëritet at botë e sot po të gjej Ty këmbëkryq n’oborr të Selatin Gërxhalisë! Kur shkove…?

Britma e atyre fëmijëve për ndihmë nuk më ka lënë të qetë…Duhet vdekë për kojshi…tha baci Xhemë!.

Një britmë për ndihmë që vinte nga shtëpia e Selatinit plakun Xhemë e ngriti në kambë..Një ulërime hienash të etur për gjak kishte rrethuar shtëpinë e Selatinit….
Medet për neve…ata janë fëmijë…., janë gra frikohen …ndoshta Selatini nuk asht n’shpi…të shkoj e ti shpëtoj, janë të pa mbrojtur, janë sabi. U nis drejt vdekjes si me lind përsëri.

U bënë 22 vite pritje…! Ama bacë me m’tregue si vdiset për vëlla e kojshi…?. Pasha bacinë na kurrë s’jemi ligshtue para armikut

Me më rrëfye rrugëtimin tënd nga shtëpia e Selatinit deri te Hamari i Gumnishtve…Ato pesëqind metra kohë jete a ishin të gjata?

Atë ditë lum bacin e kam pa se 12 lajmëtaret e lirisë përflakën qiellin, krismat e çlirimtares jehonin përtej dherave, avionet e Natos zdritnin qiellin… Liria ishte n’prag… Zoti ja the qafën zullumçarit.

A pate frikë nga vdekja…?.Se nuk tu dhimbt si me le…Foli baçi.

Mbramë kam pa andërr që ashti im u zgjat të rrënjet e fisit tim diku në Resnicë të Toplicës … Kështu të parët e mi para njëqind e kusur viteve nëpër tym e flak kanë shpëtuar kokën dhe u vendosëm këtu dhe prape u përsërit historia…. Po më vjen vdekja nën krismën e armëve…flakëve e bajonetave…ndoshta Zoti merr hak në ta. Kanë mbyll një shtëpi, një derë, kanë vra fëmijë të pambrojtur. Aty ndodhi ferri…Aty ka lot …ka dhimbje…!. Duam drejtësi. Duam ndëshkim. Nga ajo ditë s’ka më as drejtësi…as njerëzi as humane.

Kjo tragjedi është dhimbja e jetës sonë.

Popujt e vegjël paskan tragjedi të mëdha.

Baci Xhemë sonte po më dukesh si bajrak

Një burr fisnik prej gjiganti

që po banë hije …hije lirije!

Dritë pastë shpirti i të rënëve për liri!.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat